Përtej sistemit zgjedhor

Nga Ilir Kalemaj

Cilido sistem zgjedhor ka avantazhet krahasimore për secilën nga palët, ashtu sikundër nuk mund të jetë kurrsesi determinues për fatin politik të asnjë pale. Sistemet elektorale nuk mund të jenë kurrsesi të djathta apo të majta, konservative apo progresive, dhe nuk mund të pretendohet që kinse i japin pushtetin në tavolinë njërës apo tjetrës palë. Natyrisht ka sisteme që dukshëm mund të favorizojnë njërën palë.

Për shembull, sistemi me prim (që ka Greqia për shembull) dukshëm favorizon partinë socialiste për shkak se si forcë e parë elektorale numerikisht do ta kishte të lehtë dhe të mundshmetë krijonte qeveri një-ngjyrëshe. Ndërsa një sistem proporcional me lista të mbyllura apo të hapura, apo një sistem miks apriori mund të favorizonte në kushtet e sotme koalicionin e opozitës së bashkuar, për shkak të peshës specifike që kanë partitë aleate me partinë demokratike dhe votat që numërohen brenda të njëjtin “thes” por edhe metodave respektive d’Hondt për koalicionet dhe Saint Langue për partitë politike.

Megjithatë, mutandi mutandis, sistemet në vetvete asnjëherë nuk fitojnë zgjedhjet pa ndihmën e faktorëve të tjerë. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për teknikën (pra do bëhet votim apo numërim elektronik apo do qëndrojë sistemi që është, si do jetë përbërja e komisioneve etj). Nuk është fjala as vetëm do përfshihet apo jo vota e emigrantëve dhe diasporës, apo do kemi një listë votuesish më korresponduese ndaj realitetit faktik të vendit.

As vetëm në faktin që do vijojnë të përdoren “teknikat” e blerjes së votës, mekanizmi i infliltrimit të parasë kriminale dhe përdorimi i administratës dhe asete publike për tjetërsim vote. Në fakt, duke përjashtuar efektin e këtyre elementëve “teknikë” thelbësorë por jo detyrimisht përcaktues të rezultatit final, ashtu sikundër është edhe pragu elektoral, përbërja e koalicioneve etj., elementë ndoshta dhe më të rëndësishëm nga pikëpamja politike janë organizimi i hartës territoriale që prodhon rezultat elektoral, fabula politike që prodhojnë partitë apo koalicionet dhe rrjetizimi organizativ që kanë në territor.

Përsa i përket specifikisht partive politike, në një analizë sipërfaqësore mund të themi që faktorë favorizues me cilindo sistem elektoral për partinë socialiste për momentin mund të veçojmë: një antarësi e disiplinuar politikisht dhe rrjetizim i mirë-strukturuar organizativ që sjell diku te 750 mijë vota me pak firo nga njëra palë zgjedhje në tjetrën. Faktorë ndihmës në këtë janë grupe mbështetësish të konsoliduar si pensionistët apo veteranët e luftës në pjesën dërrmuese, nëpunës administrate vencarisht në kushte që partia socialiste administron e vetme si pushtetin qëndror, ashtu edhe atë lokal.

LEXO EDHE  Parashikimi i motit/ Ja çfarë kohe na pret në fundjavë

Një tjetër faktor favorizues është dhe vertikalizim i mesazhit politik që mundësoshet falë një antarësie të digjitalizuar dhe rrjeteve sociale aktive. Gjithashtu, indirekt por faktor i fortë përcaktues në rezultat zgjedhor është dhe largimi masiv nga vendi i rreth 46-48 mijë njerëzish në vit nga vendi. Ky eksod i të pakënaqurve që ka larguar rreth gjysëm milioni shqiptarë në këto 6-7 vitet e fundit me biletë një-drejtimëshe natyrisht sjell ulje në votën e protestës dhe për rrjedhojë ndikon në maksimizimin e votës opozitare.

Një faktor i fundit favorizues është dhe harta territoriale që për shembull në qarqe si i Tiranës (duke i hequr Paskuqanin dhe bashkangjitur një varg ish-komunash të majta), favorizon dukshëm partinë në pushtet. Faktorë penalizues për partinë socialiste nga ana tjetër janë erozioni dhe konsumimi nga 1 mandat e gjysëm në pushtet, pakënaqësitë në radhët e brendshme, fakti që nuk kanë parti aleate me peshë elektorale etj.

Faktorë ndihmues për opozitën e bashkuar janë bashkimi i aseteve elektorale të formacioneve me peshë të madhe elektorale (PD), të mesme (LSI dhe PDIU) dhe partive të vogla me profil të qartë dhe elektorat të qëndrueshëm (PR, PBDNJ, PAA, PDK dhe të tjerë). Faktor tjetër ndihmues i opozitës së bashkuar është narrativa anti-Rama e cila mund të përshkallëzohet në një narrativë anti-establishment për të kundërshtuar instalimin e një regjimi kërcënues për demokracinë shqiptare.

Faktor tjetër, është rritja e nivelit të pakënaqësisë si rezultat i frenimit të rritjes ekonomike, vështirësimit të bërjes biznes vencarisht për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, largimi frenetik nga vendi për një jetë më të mirë që bën që edhe familjarët e të ikurve të kenë një zë opozitar ndaj mazhorancës aktuale, bashkimi i zërave publikë me peshë dhe i një pjese të shoqërisë civile që ka kundërshtuar akte arbitrariteti si rasti i Teatrit, i Astirit, i Bregut të Lumit, i fermerëve të Lushnjes e me radhë në korin opozitar.

Faktorë penalizues janë mosgjetja ende e një mesazhi të kolauduar politik që do shkonte përtej kontestimit të qeverië aktualedhe që do bindte elektoratin gri, mospasja e një matësi real për elektoratin aktual të partive të koalicionit (që mund të kenë pësuar firo të dukshme si rezultat i mospasjes pushtet gjashtë vitet e fundit), mungesa e një ekipi të ri shprese që do të artikulojë një fabulë elektorale bindëse etj.