Konstituohet KED/ Emri i Arta Markut prish sërish rendin e institucioneve të reja të drejtësisë

Nga Boldnews.al

Emri i Arta Markut vijon të prishë rendin e gjërave në institucionet e reja kushtetuese. Ajo është zyrtarizuar si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi-2020, në mbledhjen e parë të kësaj strukture, të zhvilluar këtë të Mërkurë.

Megjithëse nuk është më në krye të institucionit të Akuzës, Arta Marku do të vijojë të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili gjatë këtij viti duhet të shqyrtojë kandidaturat për të paktën 5 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Në një njoftim zyrtar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, informon se është konstituuar trupa që do të jetë anëtarë e saj për vitin 2020, ndër të cilët edhe Arta Marku. Madje, kjo e fundit është përzgjedhur edhe si relatore për kandidaturat që do të aplikojnë për postin vakant në Gjykatën Kushtetuese, pas shkarkimit të anëtarit të sapo-zgjedhur, Besnik Muçi.

Arta Marku, e cila nuk ishte në mbledhjen konstituuese të KED-së, për shkak se është me leje të zakonshme deri në fund të Janarit, u shortua për të qenë pjesë e kësaj strukture në shortin e zhvilluar nga Presidenti i Republikës në 5 Dhjetor 2019.

Deri në momentin e shortit, Marku ishte Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, një post i paparashikuar ligjërisht dhe që nuk i jepte asaj statusin e prokurores në institucionin qendror të Akuzës.

Në të njëjtën ditë, vetëm pak orë nga shorti i Presidencës, Parlamenti votoi për Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Në atë garë, Arta Marku humbi përballë Olsian Çelës.

Së bashku me garën për kreun e Akuzës, ajo humbi edhe statusin e përkohshëm të prokurores në Prokurori të Përgjithshme, duke u kthyer në detyrën e saj të mëparshme, në Shkodër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me një lëvizje “dashamirëse”, vendosi që Arta Marku të caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Apelit të Tiranës, por duke ruajtur sërish statusin e saj si prokurore e nivelit bazë.

Në bazë të këtyre zhvillimeve, Arta Marku nuk ka më statusin që të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Por, duke qenë se ajo u shortua për të qenë në KED vetëm 3 orë para se të humbiste garën për Prokurore të Përgjithshme, kjo është vlerësuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi si “diçka e kryer” dhe se ajo konsiderohet si anëtare e kësaj strukture.

LEXO EDHE  "Nuk është fitore për artistët"/ Avokati i njohur zbulon strategjinë e Veliajt dhe Ramës për Teatrin

Logjikisht, Arta Marku nuk duhet të ushtrojë funksionin e anëtares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për shkak të ndryshimit të statusit të saj institucional.

Por, zgjidhja e kësaj situate është e paparashikuar në asnjë nga normat kushtetuese dhe ligjore të paketës së Reformës në Drejtësi, pasi, edhe caktimi i saj si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme nuk njihet formalisht në kuadrin ligjor shqiptar.

Institucioni i Presidentit, i cili zhvilloi shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të zhbërë zgjedhjen e Arta Markut.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nga ana e tij, nuk ka asnjë mekanizëm për të larguar Arta Markun nga anëtarësia në radhët e tij.

Parlamenti, përveçse ndonjë Rezolute, gjithashtu nuk ka asnjë tagër ligjor për të ndërhyrë në këtë situatë.

Një zgjidhje mund të ishte intepretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por, në kushtet kur kjo Gjykatë nuk është funksionale dhe, kur para saj janë shtruar çështje shumë më të rëndësishme, edhe nëse ajo nis funksionimin, një shqyrtim i mundshëm për emrin e Arta Markut do të dukej “luks i tepruar”.

Duke e parë situatën në të gjithë këndvështrimet, duket se Arta Marku do të vijojë të jetë anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, megjithëse nuk duhet të ishte aty.

Një zgjidhje “in-extremis”, por që duket shumë e vështirë për t’u përmbushur, është një dorëheqje e mundshme e Arta Markut nga anëtarësia në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.