Tërmeti në Tiranë/ Emrat dhe kompanitë, kush janë ndërtuesit e arrestuar

Nga Boldnews.al

Policia e Tiranës është duke zhvilluar një operacion masiv për ndalimin e të paktën 38 personave, ndër ta ish-zyrtarë, ndërtues e projektues, të dyshuar nga Prokuroria e kryeqytetit se janë përgjegjës për dëmtimet në një numër të konsiderueshëm godinash, gjatë tërmetit të 26 Nëntorit.

Ndërkohë që veprimet policore po vijojnë, emrat e disa prej të arrestuarve tashmë janë publikuar. Ndër personat kryesorë, sipas të dhënave të deritanishme, janë ndaluar ish-kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, si edhe ish-drejtuesit lokalë të Kasharit, Besnik Fuçia e Faik Fejza.

Por, krahas ish-zyrtarëve, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-ndalime edhe për disa biznesmenë të fushës së ndërtimit dhe projektues e inxhinierë.

“Boldnews.al” kreu verifikime paraprakë, në bazë të të cilave identifikoi ndërtuesit dhe kompanitë e tyre, si vijon:

  1. Gerti Çalliku, administrator i “GB-Construction”. Kompania e tij është duke ndërtuar aktualisht kompleksin “Future Home”, në zonën e Unazës së Re. Pak muaj më parë, kompania e tij u falenderua publikisht nga Erion Veliaj, pasi po u siguronte banesa me qera banorëve të Astirit, të cilët, sipas kryebashkiakut të kryeqytetit, kishin vendosur t’i prishnin vetë ndërtimet për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.
  2. Vjollca Hoxholli, bashkëshortja e ndërtuesit të njohur publikisht, Rrapush Hoxholli, i cili nuk jeton më. Bashkëshortët Hoxholli kanë pasur edhe më parë probleme me drejtësinë.
  3. Ali Dyrmishi. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Dyrmishi rezulton ortak në dy kompani që kanë aktivitet në fushën e ndërtimit, “DESTAXHEI” dhe “HAPESIRA X”.
  4. Bukurije Halili. Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrit, një person me këtë emër rezulton të jetë administratore e “AGI-BES HALILI”, kompani e cila ka ndërtuar disa godina në Tiranë, përfshirë edhe në zonën pranë Kopshtit Botanik. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, “Boldnews.al” nuk arriti të verifikonte nëse bëhej fjalë për të njëjtin person.
  5. Qirjako Gjergo është regjistruar në QKR, me objekt supervizor ndërtimesh.
  6. Hekri Disha, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ushtron aktivitetin privat të topografit.
  7. Agim Eski, një tjetër i arrestuar, rezulton të jetë projektues dhe konstruktor, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit
LEXO EDHE  "Periudhë kritike, shtoni testimet"/ Basha: Deklaratat tona nuk janë akuza ndaj qeverisë

Ndërkohë, ndër emrat e publikuar në listën e të arrestuarve është edhe Adhurim Qehajaj, i cili deri pak kohë më parë ka mbajtur detyrën e Shefit të Urbanistikës në Bashkinë Durrës. Për momentin, është e paqartë se ku lidhet emri i tij me hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Tiranës.