Të gjithë pikëpyetjet/ Lirimi i Indrit Dokles, kundërshtitë e Prokurorisë dhe roli i “Burgjeve…”

Nga Boldnews.al

Kërkesa e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Indrit Dokle, për lirim me kusht, ka vendosur në llogore kundërshtare prokurorinë dhe gjykatën e Krujës.

Dokle, një ish-drejtues i bandës kriminale të Durrësit, fitoi lirinë mesditën e së Martës, pasi gjyqtarja Enkelejda Hoxha i pranoi kërkesën për lirim të parakohshëm, megjithë kundërshtinë e Prokurorisë së Krujës.

Indrit Dokle është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, në kuadër të përplasjeve me klaneve rivale në Durrës, të cilët janë përfshirë në përleshje të përgjakshme në periudhën 2002-2005.

Dokle u dënua gjithashtu me 16 vite burgim pak vite më parë pasi, në bazë të të dhënave të autoriteteve italiane, u zbulua se ai drejtonte një rrjet trafiku narkotikësh Shqipëri-Itali, nga qelia, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Në një zhvillim të mëvonshëm, gjykata e Krimeve të Rënda i bashkoi dy dënimet në një të vetëm, duke e dënuar Doklen përfundimisht me burgim të përjetshëm.

Pak javë më parë, avokati i Indrit Dokles, i cili gjendej i burgosur në Krujë, depozitoi në Gjykatën e qytetit, ku argumentonte se klienti i tij ka plotësuar kriteret për të fituar lirim me kusht.

Indrit Dokle

Neni 65 i Kodit Penal, para amendimeve të vitit 2017, parashikonte se të burgosurit e përjetshëm, për të cilët është dhënë dënim para 1 Marsit 2017, mund të fitojnë liri të parakohshme, me kusht që të kenë kryer të paktën 25 vjet burgim, si edhe për situata të jashtëzakonshme.

Pikërisht, në plotësimin apo jo të këtyre kritereve, kanë debatuar në sallën e gjyqit prokurorja e çështjes dhe avokati i Indrit Dokles.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Krujës deklaruan për “Boldnews.al” se ky institucion ka kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Indrit Dokles. Sipas prokurorisë, kundërshtimi ishte bazuar në disa elementë.

Sipas llogarive të Prokurorisë, i dënuari Indrit Dokle nuk kishte plotësuar 25 vjet burgim. Në një komunikim me “Boldnews.al” menjëherë pas vendimit për lirimin e të dënuarit, Prokuroria e Krujës deklaroi se “në vlerësimin e tyre, gjykata ka llogaritur gabim afatet e burgimit”.

Sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Krujës, gjykata i ka përllogaritur Indrit Dokles si kohë dënimi edhe faljet apo amnistitë që janë miratuar ndër vite, gjatë kohës që ai ka qenë në burgim.

Për Prokurorinë, faljet e dënimit dhe amnistitë nuk mund të llogariten si kohë dënimi. Si përfundim, Prokuroria e Krujës deklaron se Indrit Dokle duhet të vuante edhe të paktën 5 vite dënim, para se ai të pretendonte lirinë me kusht.

LEXO EDHE  Programi i Rindërtimit/ Rama paralajmëron administratën dhe ka një lutje për opozitën

Një tjetër pikë, shumë e rëndësishme, për të cilën Prokuroria e Krujës ka shprehur kundërshtinë e saj për lirimin e Dokles, ishte edhe fakti se nuk provohej plotësimi i kriterit ligjor për “sjellje shembullore” dhe “rast të jashtëzakonshëm”.

Indrit Dokle, sipas të dhënave zyrtare, nuk rezulton të ketë pasur “sjellje shembullore” gjatë kohës së dënimit. Këtë bindje, Prokuroria e Krujës e mbështet në faktin se ai, gjatë kohës që ka qenë në burgim, ka kryer edhe një vepër tjetër penale, atë të organizimit të trafikut të narkotikëve, për të cilën është dënuar me 16 vjet burgim.

Në seancë, prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe përjashtimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha nga shqyrtimi i kërkesës së Indrit Dokles, me argumentin se ajo kishte shqyrtuar kërkesa të mëparshme për këtë të dënuar. Gjithësesi, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares u refuzua nga një tjetër gjyqtar në Krujë.

Pavarësisht kundërshtive të Prokurorisë, gjykata e Krujës e ka gjetur me vend kërkesën e të dënuarit, duke vendosur lirimin e tij të menjëhershëm.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, gjykata e Krujës nuk e kishte publikuar vendimin dhe argumentat mbi të cilën ka mbështetur qëndrimin e saj.

Gjithësesi, ligji parashikon se, kërkesat për ulje dënimi/lirim me kusht kërkojnë domosdoshmërisht një karakteristikë pozitive nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), para se ato të merren në konsideratë nga gjykata.

Në rastin konkret, duket se Indrit Dokle ka marrë një karakteristikë pozitive nga drejtuesit e burgut të Krujës. Me zbardhjen e vendimit të gjykatës, pritet të shihet edhe se si e ka argumentuar burgu sjelljen e Indrit Dokles gjatë qëndrimit në burg.

Ligji penal shqiptar nuk ka një shpjegim ezaurues se cili është kuptimi i “rastit të jashtëzakonshëm” për rastet e lirimit të parakohshëm të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Prokuroria e Krujës, në përfundim të komunikimit zyrtar me “Boldnews.al”, deklaroi se do të apelonte vendimin për lirimin e parakohshëm të Indrit Dokles.

LEXO EDHE:

*Prokuroria paralajmëron ankim: Si u lirua nga qelia Endrit Dokle

*Prapaskenat/ Kontributi i kompanisë “Mateo Konstruksion” në lirimin nga qelia të Endrit Dokles