Përfundon takimi për reformën zgjedhore/ Vasili-Bylykbashi: U hodh hapi i parë, mundësi për të çliruar vendin…

Ka përfunduar pas rreth 60 minutash takimi i parë mes përfaqësuesve të opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, me drejtuesit e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

E ndërsa palët në këtë takim janë dakordësuar për formimin e Këshillit Politik, ku do të diskutohen opsionet dhe propozimet për reformën zgjedhore, Petrit Vasili deklaroi për mediat se sot është hedhur hapi i parë, i cili në rast të luajalitetit dhe përgjegjshmërisë do të ishte një mundësi për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të blera dhe të manipuluara.
“Do ndërtojmë një proces konsesualiteti dhe gjithëpërfshirjeje.

Baza është parimore dhe krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të shprehen dhe zhbllokojnë procesin.

Synojmë një proces solid dhe të suksesshëm”, tha Vasili.

I pyetur se çfarë e detyroi opozitën për t’u ulur në një tryezë me Damian Gjiknurin, i kapur në përgjimet e dosjes 184, Vasili tha se nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi nga opozita, por kjo e fundit nuk mund t’i imponohet mazhorancës për personat që ajo mandaton në bisedime.

LEXO EDHE  Atentat me armë zjarri shqiptarit në Itali, plagoset në të pasme

“Do adresohen ato çështje që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit, por edhe në praktikë të procesit zgjedhor.

Baza krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësi të shprehen dhe të realizohet gjithëpërfshirja.

Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, i cili në rast të luajalitetit nga pala tjetër do ishte një mundësi për të ecur përpara drejt integrimit europian”, shtoi ai.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi tha se “sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë, dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i reformës zgjedhore. Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë mekanizëm do kemi asistencën ndërkombëtare”.

“Së fundmi, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jone, për të arritur këtë do të ngrihet një forum që do quhet Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer këtë reformë,” tha Bylykbashi.