Studimi për SME-të, 61% e ndërmarrjeve raportojnë se u kanë ikur punonjësit në emigracion

Rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019. Shifra u dha nga Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania”, i cili zhvilloi një studim mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në vendin tonë, për periudhën Janar – Shtator 2019, ku u intervistuan 500 ndërmarrje në sektorët e shërbime, prodhim, agropërpunim, shitje shumicë e pakicë, ICT, artizanat. Largimi i popullatës dhe mungesa e theksuar e stafit ishte gjithashtu një ndër problematikat kryesore me të cilat janë hasur bizneset.

Në parashikimin për volumin e prodhimit/ kontratave për vitin 2020, 69 % e bizneseve janë shprehur se do të ketë rritje, ndërsa 31% e tyre e shikojnë situatën e njëjtë.

Në pyetjen lidhur me aktivitetin e prodhimit krahasuar me një vit më parë, 59 % e të intervistuarve janë shprehur së kanë pasur rritje të prodhimit.

25 % e të interesuarve, janë shprehur se kanë pasur probleme administrative si: Burokraci në shërbime; Mos kthim përgjigje brenda afatit; Rimbursimi i TVSH; Aftësi të dobëta në përgjigjet zyrtare nga Administrata.

LEXO EDHE  Banka e Shqipërisë, e pashqetësuar për oligarkun e Putinit në “OTP Bank Albania”

Pyetjes se çfarë ndryshimesh do të kërkonit të reflektohen në paketën fiskale 2020, 18.3% e bizneseve i janë përgjigjur se kërkojnë ulje të taksave, 10.2% të tatim fitimit.

Sipërmarrësit u pyetën mbi problematikat kryesore të hasura gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre. Problemet kryesore që rezultojnë janë si më poshtë:

-Kontrolle të tepërta nga shteti me objektiv për të gjetur gabime dhe vendosur gjoba.

-Konkurrencë e pandershme, çmimet, infrastruktura.

-Kualifikimi i punonjësve kërkon kohë të gjatë dhe ka kosto të lartë financiare.

-Mungesa e fondeve për zhvillimin e teknologjisë në industritë përpunuese / prodhuese.

-Largim i popullatës, mungesë të theksuar stafi­.

-Nivel i ulët i edukimit të tregut.