Nga “Shullazi”, dosja “184” e “Lobimi”, Reforma bën lëmsh prokurorët

Nga Boldnews.al

Gjykata e Tiranës pushoi çështjen e ‘lobimit”, pasi konstatoi se Prokuroria, pas dy vjet hetimesh, nuk kishin siguruar prova për të mbështetur dyshimet e saj mbi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi.

Ky vendim, përveçse i dha fund një beteje që dukej më shumë politike se penale, risolli sërish në skenë “sëmundjen e re” të Reformës në Drejtësi-mosmarrëveshjet mes prokurorëve dhe drejtuesve të tyre.

Ndasitë e prokurorëve të lobimit
Me një vendim in-extremis, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës vendosi të përjashtonte nga grupi hetimor prokurorin Ervin Karanxha. Ndërkohë, në seancën para gjyqtarit Lazër Sallaku u paraqitën dy prokurorët e tjerë, Gjergj Tako dhe Kolë Hysenaj, edhe këta të dy me qëndrime të ndryshme për procesin.

Tako, i cili ka qenë prokurori që regjistroi procedimin penal në fund të vitit 2017, kërkoi nga gjykata dërgimin e çështjes në gjyq, për akuzën e “falsifikimit të formularëve”. Ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, i futur shumë më vonë si pjesë e grupit hetimor me urdhër të drejtueses Elizabeta Imeraj, kërkoi nga gjykata që të shtynte afatet hetimore, me qëllim marrjen edhe të disa provave të reja.

Gjyqtari Lazër Sallaku, pasi shqyrtoi materialet, rrëzoi kërkesat e dy prokurorëve, duke vendosur të mos kalonte për gjykim dosjen e quajtur tashmë ‘Lobimi” dhe duke i lënë prokurorët të vijojnë me “përplasjen” e tyre.

Ky konflikt mes grupit hetimor nuk është i pari pas miratimit të Reformës në Drejtësi, e cila, të paktën teorikisht, u siguron pavarësinë prokurorëve.

Debatet për “Shullazin”
Në Shtator 2018, ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, u përfshi në një debat të tepërt me 10 ish-vartës të saj, një prej të cilëve Olsian Çela, i cili u zgjodh së fundmi Prokuror i Përgjithshëm.

Në qendër të debatit ishte përbërja e grupit hetimor që do të prezantonte konkluzionet në çështjen “Shullazi”, pas pamundësisë së dy prokurorëve të çështjes për të qenë në seancë.

LEXO EDHE  FOTO/ Shton masat anti-Covid 19, por ja çfarë ndodh në qytetet kryesore

Në përplasjen e Prelës me prokurorët, drejtuesja e Krimeve të Rënda të asaj kohe synoi të ushtronte ndikimin e saj, jo-ligjor, për të diktuar përbërjen e grupit hetimor.

Në konflikt u përfshi edhe ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Kjo e fundit, megjithëse nuk kishte asnjë kompetencë ligjore, vendosi të sheshojë debatet brenda Krimeve të Rënda, duke penalizuar “prokurorët rebelë” me nisje procedimi disiplinor dhe me “transferimin” e tre prej tyre.

Justifikimet për dosjen “184”
Në Korrik të vitit 2019, prokurori i Krimeve të Rënda, sot pjesë e SPAK-ut, Klodian Braho, vendosi të shpallte mos-kompetencën dhe të dërgonte pranë prokurorisë së Dibrës dosjen “184”, në të cilën ishin përgjuar zyrtarë të lartë socialistë në “pazare” për votat e zgjedhjeve të pjesshme lokale të vitit 2016.

Shpallja e mos-kompetencës, e cila do të thoshte edhe “zero hetim” për zyrtarët e lartë socialistë, u mundua të kalohej në heshtje. Megjithatë, brenda Prokurorisë, rasti ziente.

Kur rasti u bë publik, ish-Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, në një shfajësim publik, u mundua që përgjegjësinë ta përcillte të gjithë tek prokurori i çështjes. Por ajo, në mungesë sinqeriteti, shmangu përgjegjësinë e saj, megjithëse ishte e përfshirë zyrtarisht në “degdisjen” e dosjes 184.

Të dhënat u zbuluan kur Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës në atë kohë, sot anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Esmeralda Keshi (Cami) e dërgoi rastin për ‘konflikt kompetence” pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, firma e së cilës vendosi përfundimisht që ish-dosja 184 të hetohej në Dibër, u justifikua se përgjegjësia ishte e prokurorit të çështjes.

Por ajo nuk dha asnjë sqarim bindës se, në rast se “përgjegjësia për hetimin është e prokurorit”, atëherë përse duhej ndërhyrja e saj, nëpërmjet një vendimi të posaçëm.