Kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor/ Kaso: Duhet reformë Kushtetuese, listat e hapura…

Partia Demokratike nuk është pro ndryshimit të sistemit aktual zgjedhor në Shqipëri, proporcional rajonal. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ se çdo sistem ka avantazhet dhe disavantazhet e tij, por në Shqipëri sipas tij, problemi nuk është këtu, por te demokracia e brendshme e partive.

Për Kason për momentin duhet të diskutohen çështjet më emergjente të Reformës Zgjedhore, ndërsa sistemi sipas tij i takon një reforme më të thellë kushtetuese. “Nuk besoj se ka një sistem të mirë apo të keq. Sistemi i takon një reforme më të thellë kushtetuese. Duhet të nisë me vërtetësi dhe pa paragjykime. Së pari duhet të diskutojmë pse ka dështuar sistemi aktual”, tha ai.

Një nga kritikat e shumta kundër sistemit aktual është se u jep pushtet absolut kryetarëve të partive në hartimin e listave të kandidatëve. Por Kaso nuk e shikon këtu problemin, por tek demokracia e brendshme e partive.

“Është e vërtetë që një nga kritikat që kam dëgjuar për këtë sistem pa të drejtë, se vendosin kryetarët e partive. Nëse ka një fenomen të tillë se është vërejtur nga partitë e mëdha, është defekt i demokracisë. Është një problem që fillon nga demokracia e brendshme e këtyre partive, por nuk mund të adresohet duke ndryshuar sistemin.

Ne kemi propozuar, pra kryetari, mendimin e tij për pëlqimin e sistemit maxhoritar. Është sistemi që garanton përfaqësimin më të madh të qytetarëve. Në këtë rast kush i firmos listat që depozitohen në KQZ, sigurisht kryetari i partisë, po në sistemin e famshëm proporcional me lista të hapura, kush i dorëzon? Do të ishin po ata kryetarë partish. Fajin nuk e paska sistemi, por abuzimi me pushtetin maksimal i një kryetari partie. Shërimi i kësaj plage është ajo që ne kemi thënë forcimi dhe kontrolli i mekanizmave të brendshëm. Psh. lista e kryetarit të marrë më parë aprovimin e kryesisë apo këshillit kombëtar për ti dhënë zgjidhje fuqisë absolute të kryetarit të partisë.

Duhet t’u kujtoj arsyet që ne në 2009 kemi zgjedhur sistemin proporcional që në kushtet ku në zonat e caktuara kishte filluar infiltrimi i elementit kriminal në politikë. Zgjidhja ishte implementimi i këtij sistemi, që ia linte barrën kryetarit të partisë, që të hartonte një listë që të mos i përmbante këto elementë. Në zgjedhjet e 2009 sistemi funksionoi në një masë të madhe. Janë vetë organet e partive, drejtuesi i PS-së, që deformoi sistemin. Janë mëkate të njerëzve që ia veshim sistemit. Nuk ka një sistem absolutisht të mirë apo të keq” tha ai.

LEXO EDHE  Ikja masive/ 23 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE në vitin 2019, arrijnë në 200 mijë në 8 vitet e fundit

Por cilat janë problemet e një sistemi me lista të hapura?

Ivi Kaso i radhit më poshtë. “Ne kemi dhënë gatishmërinë tonë për të diskutuar për sistemet elektorale, qoftë për proporcional kombëtar me lista të hapura. Në Kosovë kanë pranuar dështimin e sistemit të listave të hapura. Përfshin një qerfull ankimesh, zgjati njohjen e rezultatit. Ka një numër të pafund ankesash dhe numër personash që pretendojnë se sistemi nuk ka funksionuar. Sistemi i Kosovës është ushtrim demokracie por për fat të keq ka probleme të tjera. Çfarë problemesh do të kishte në Shqipëri? Është e pamundur që për 140 të përzgjedhur, për të pasur kohë në një fushatë për të bërë një fushatë nga veriu në jug të gjithë.

Mendoni që duhet që një person duhet të bëjë një fushatë nga veriu në jug. E pamundur fizikisht dhe ekonomikisht. Kjo do i linte vend dhe do e transformonte fushatën nga fizike në virtuale që do të bëhej në ekrane. Kjo do të kthente të njëjtat defekte të kryetarëve të partive, do u jepte fuqi pronarëve të TV-se të cilët do të kishin pushtet të vendosnin në media dhe kush jo. Debati për sistemin është nxitur nga subjekte të reja, apo persona që në një moment të caktuar ndihen të fuqishëm nga artikulimi i tyre apo që kanë akses të caktuar mediatik në një moment të caktuar dhe kërkojnë ta maksimalizojnë dhe që ky sistem u jep rezultate imediate” tha ai.