70 euro për të riprogramuar fluturimet e Fly Ernest/ Zef Preçi: Kjo është vjedhje, pse hesht qeveria

Pasagjerët që kanë humbur udhëtimet e tyre ajrore me kompaninë ‘Fly Ernest’ drejt Milanos, për një periudhë një javore do të kenë mundësinë të fluturojnë sërish, por duke paguar një tarifë shtesë prej 70 eurosh. Ky është njoftimi që aeroporti Nënë Tereza i ka bërë pasagjerëve të kompanisë që i është hequr licenca dhe ka pezulluar fluturimet.

Lidhur me këtë njoftim të çuditshëm të aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri ndaj pasagjerëve, ka reaguar eksperti i njohur i ekonomisë, Zef Preçi. Përmes një postimi në rrjet, ai shkruan se me zgjidhjen e ofruar, pasagjerët po grabiten, ndërsa Enti Rregullator dhe qeveria heshtin.

“Riprogramimi i udhëtimit me avion nga e njëjta kompani do të thotë që ajo (kompania) mundëson udhëtimin e pasagjerëve të pajisur me biletë (dmth që e kanë blerë njëherë bileten dhe ajo është e vlefshme) nëpërmjet agjencive të tjera partnere te saj. Kështu ndodh në të gjithë botën në rastet kur për çfarëdo arsye, duke përfshirë edhe ato financiare, fluturimi I avionëve të linjës së prenotuar është i pamundur”, shkruan Preçi.

LEXO EDHE  Ish-deputetja publikon dokumentin: Si mashtroi Erion Veliaj

Në vijim, eksperti i njohur i drejton një pyetje Autoritetit të Aviacionit Civil se me çfarë arsye qytetarët që kishin prenotuar biletat me “Fly Ernest” duhet të paguajne edhe 70 Euro plus për riprogramimin e fluturimit të tyre nëpërmjet EasyJet?

Duke shprehur mendimin e tij, Preçi shkruan se përveçse një vjedhje të qytetarëve shqiptarë të mashtruar nga “Fly Ernest”, ka një dakordësi në heshtje të Qeverise dhe Entit Rregullator përkatës me këtë grabitje të qytetareve shqiptare diten për diell.

“Kjo është “mbrojtja” që Qeveria dhe ky ent i ofrojnë konsumatorit shqiptar? TURP!”, mbyll reagimin e tij Zef Preçi.