Kajmaku e Kolë Hysenaj bëjnë paqe/ Ish-kryebashkiaku gati të mbyllë hesapet me drejtësinë

Nga Boldnews.al

Shefja e Protokollit të Bashkisë Vorë pritet të japë të Hënën një dëshmi në favor të ish-kryetarit të Bashkisë, Agim Kajmaku, në një zhvillim që nuk duket se është një “brerje ndërgjegjeje” e një zyrtareje ndaj ish-titullarit të saj.

Në media raportohet se drejtuesja e zyrës së Protokollit të Bashkisë së Vorës pritet të ndryshojë qëndrimin e saj fillestar dhe të japë një deklaratë mbështetëse ndaj Agim Kajmakut, përpara gjyqtarit Kujtim Vranici.

Ky zhvillim nuk është i vetëm dhe duket se nuk është rastësor. Të dhëna indirekte referojnë për një lloj “skenari” të mirëmenduar nga Agim Kajmaku apo mbështetës të tij, nëpërmjet të cilit të synohet edhe zbutja e masës së sigurimit ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës, por edhe ruajtja e të përzgjedhurit prej tij në krye të bashkisë së qytezës, Gentian Picari

Ndërkohë që gjyqtari i Tiranës, Kujtim Vranici do të shqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit, në të njëjtën kohë, gjykata administrative në Tiranë pritet të shqyrtojë padinë e dy ish-nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës.

Laureta Omeri dhe Hysen Brahimi kanë paditur Agim Kajmakun se i shkarkoi nga detyra, në një kohë kur ai nuk e kishte të drejtën e firmës, pasi ishte shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të ligjit të “Dekriminalizimit”.

Shqyrtimi i masës së sigurimit
Gjyqtari Kujtim Vranici është thirrur sërish në apel për rastin “Kajmaku” mesditën e së Hënës, pasi ish-kryebashkiaku i Vorës ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit.

Vranici është gjyqtari që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Agim Kajmakun, në nëntor 2019.

Ai pranoi kërkesën e prokurorit të Tiranës, Kolë Hysenaj, i cili e konsideronte Kajmakun si person të dyshuar për kryerjen e veprave penale të falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Gjithashtu, Kolë Hysenaj e konsideroi Kajmakun si të dyshuar edhe për “falsifikim dokumentash”, pasi ai shkarkoi dy nënkryetarët dhe emëroi në atë pozicion shefin e tij të Kabinetit, Gentian Picari, në një kohë që ai nuk e kishte më të drejtën e firmës, pas shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Dyshimet e prokurorit Kolë Hysenaj u mbështetën në deklarimet e drejtueses së zyrës së Protokollit, të cilat duket se inkriminonin Agim Kajmakun, e cila, sipas burimeve nga Prokuroria, deklaroi se ish-kryebashkiaku kishte firmosur ndryshimin e nënkryetarëve pas shkarkimit të tij nga detyra, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra Agim Kajmakun, pasi Prokuroria e Përgjithshme provoi si të vërteta akuzat e Partisë Demokratike se ai nuk kishte deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” dënimin e dhënë nga autoritetet greke, në vitin 2003.

Ligji “Për qeverisjen vendore” parashikon se, në rastin e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë, funksionet e tij i kryen nënkryetari, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

LEXO EDHE  Covid 19, humb jetën në Romë shqiptari 65-vjeçar/ Dedikimi prekës i bashkëshortes

Por, siç dyshonte fillimisht prokurori Kolë Hysenaj, Kajmaku, menjëherë pas shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorës, Loreta Omeri dhe Hysen Brahimi. Në vend të tyre, ai emëroi zv.kryetar shefin e tij të Kabinetit, Gentian Picari, i cili mori automatikisht detyrën e kryetarit të Bashkisë.

Burime nga Prokuroria e Tiranës deklaruan në nëntor 2019 se, zyrtarja e Protokollit të Bashkisë Vorë kishte pranuar para Kolë Hysenajt veprimet anti-ligjore të kryera nga Agim Kajmaku pas shkarkimit të tij nga detyra.

Prokurori Kolë Hysenaj u duk se nisi një fushatë agressive ndaj Kajmakut, i cili u shpall në kërkim, pasi Policia nuk arriti ta gjente në vendet ku ai qëndronte.

Prokurori Hysenaj shkoi edhe më tej, kur kërcënoi zyrtarisht noterët se, në rast se do t’i jepnin shërbime Agim Kajmakut, do të mbanin përgjegjësi penale.

Por, përtej këtij “agresiviteti” publik të Kolë Hysenajt, duket se gjërat kanë ecur ndryshe “nën rrogoz” dhe situata për Agim Kajmakun nuk ka qenë aq e vështirë.

Madje, përtej “kërcitjes së dhëmbëve” në dukje nga Kolë Hysenaj, Kajmaku ka qenë mjaftueshëm i lirë, aq sa të për të hartuar atë që konsiderohet si një “skenar”, në bazë të të cilit, edhe të sigurojë zbutjen e pozitës së tij penale, por edhe të ruajë njeriun e tij në krye të Bashkisë së Vorës.

“Skenari”
Guri më i fortë në dorën e prokurorit Kolë Hysenaj kundër Agim Kajmakut është dëshmia paraprake e shefes së zyrës së Protokollit të Bashkisë së Vorës.

Një ndryshim i deklarimeve të saj para gjykatës, megjithëse mund ta vendoste zonjën para akuzës për “dëshmi të rreme”, nga ana tjetër do të lehtësonte pozitën proceduriale të Agim Kajmakut.

Por, nga ana tjetër, do të zbehte edhe rolin “agresiv” të prokurorit Hysenaj, i cili është mjaftuar për hetimet e tij vetëm mbi bazën e një deklarimi, një veprim që konsiderohet “diletant” për çdo prokuror.

Në rast se zyrtarja e bashkisë pranon të Hënën, para gjyqtarit Vranici, se veprimet e Kajmakut janë kryer në përputhje me ligjin, pra që ai ka ndryshuar zëvendëskryetarët para se të shkarkohej nga KQZ-ja, atëherë rrëzohet akuza penale për “falsifikim dokumentash”.

Me rrëzimin e kësaj akuze, ligjërohen nga ana tjetër edhe veprimet e tij për shkarkimin e dy nënkryetarëve, Omeri e Brahimi, dhe emërimin e shefit të tij të kabinetit si zëvendës të përkohshëm, e më tej kryetar Bashkie.

Në këtë mënyrë, Agim Kajmaku synon që të vendosë edhe Gjykatën Administrative para një situate, në të cilën mund të jetë e detyruar rrëzojë padinë e dy ish-nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, për shkarkim të paligjshëm nga detyra.