“Mashtrim 3 mln USD”, Artan Gjermeni shpall të pafajshëm pronarët e Spitalit Gjerman

Nga Boldnews.al

Gjyqtari Artan Gjermëni ka shpallur të pafajshëm vëllezërit Përparim e Lefter Sulkaj, pronarë të Spitalit Gjerman, të akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe për të cilët Prokuroria e Tiranës kërkoi 30 vite burgim në total.

Duke argumentuar se bëhet fjalë për çështje civile, gjyqtari Gjermeni rrëzoi argumentat e Prokurorisë, sipas të cilës Përparim e Lefter Sulkaj, nëpërmjet mashtrimit, u kanë marrë tre ish-bashkëpunëtorëve të tyre financiarë një vlerë në total prej rreth 3 milionë euro.

Prokuroria e Tiranës nuk është treguar aspak dakord me këtë vendim të Gjermenit, duke e ankimuar në Gjykatën e Apelit, nga e cila kërkon dënimin me nga 15 vjet për secilin nga dy vëllezërit Sulkaj, si edhe gjobitjen me 30 milionë lekë të reja për kompaninë “Sulkaj” shpk.

“Mashtrimi” i ortakëve
Në vitin 2003, Lefter Sulkaj fton në biznes shtetasit Petrit Sulja dhe Ruzhdi Guza. Petri Sulaj ishte pronar i një trualli 700 m2 në rr. Nikolle Lena në Tiranë (pranë ish-21 Dhjetorit), hapësirë, në të cilën vëllezërit Sulkaj planifikonin ndërtimin e një godine 9-katëshe, në të cilën sot gjendet Spitali Gjerman.

Për ndërtimin e godinës, vëllezërit Sulkaj afrojnë edhe shtetasin Ruzhdi Guza. Të tre palët bien dakord për ndërtimin e godinës, si edhe shprehin vullnetin që, në rast se ndonjëri prej tyre kërkon të largohet pa u vënë në funksion ndërtesa, do të marrë 650 mijë USD nga aksionerët e tjerë.

Pas ndërtimit të këtij objekti, kallëzuesi Petrit Sulaj deklaron se i është kërkuar nga shtetasit Lefter dhe Përparim Sulkaj që pjesa e tij takuese nga ky investim, si edhe fitimin nga shitja e këtij objekti, ta qarkullojë në bizneset e familjes Sulkaj, duke i premtuar që do ia kthenin në të ardhmen.

Nëpërmjet një deklarate noteriale, shoqëria “Sulkaj” e Lefter dhe Përparim Sulkaj, deklaron se i detyrohet Petrit Sulaj shumën prej 1.085.000 euro, si pjesë takuese e fitimit dhe investimit nga bashkëpunimi si investitorë në ndërtimin e godinës së mësipërme. Këtë shumë deklaruesit merrnin përsipër t’ia kthenin viktimës Petrit Sulaj deri në datën 30.12.2016 duke u shlyer pjesë-pjesë çdo muaj.

Pas disa shlyerje të vogla, vëllezërit Sulkaj nuk vijojnë shlyerjen e detyrimeve ndaj Petrit Sulaj. Nga ana tjetër, ky i fundit konstaton se Lefter dhe Përparim Sulkaj nuk kanë pasur mundësi financiare dhe se është mashtruar prej vëllezërve, të cilët i kanë dhënë garanci për shlyerjen e shumës.

Në një zhvillim paralel, vëllezërit Sulkaj, në vitin 2013, i kanë kërkuar shtetasit Ruzhdi Guza që ai të vendoste si garanci në bankë një pronë, e cila ndodhet në godinën e ndërtuar së bashku, me vlerë mbi 240 mijë euro, si dhe i kërkuan gjithashtu shumen monetare prej 250 mijë dollarë, duke i komunikuar se kjo shume prej rreth 500 mije $ do t’i kthehej përpara fund vitit 2013.

Si garanci për këtë marrëveshjes, vëllezërit Sulkaj i japin Guzës në përdorim një ambjent 200 m2 në rr. Don Bosko, në pronësi të tyre. Sipas kushteve të kontratës, Guza do e përdorte këtë ambjent, pa afat, deri në shlyerjen përfundimtare të huasë nga Sulkajt.

Por, në vitin 2017, Sulkajt ia shesin pronën që i kishin lënë garanci, një personi të tretë, ndërkohë që nuk i kishin likujduar detyrimin ndaj Ruzhdi Guzës.

Shtetasi Ruzhdi Guza deklaron se vëllezërit Sulkaj i kanë thënë në atë kohë se punët i shkonin shumë mirë dhe se shuma do të kthehej edhe me përpara se ç’ishte premtuar verbalisht. Por, përtej këtyre deklarimeve dhe pas disa shlyerjeve, vëllezërit Sulkaj vijojnë t’i detyrohen Guzën një shumë të konsiderueshme parash.

LEXO EDHE  VIDEO/ Fatos Klosi: Është çmenduri të më thuash mua ‘mos përdor drogë’. Dua mo!

Guza deklaron se, në kohën që u ka dhënë hua vëllezërve Sulkaj, ai nuk kishte dijeni dhe i ishte mbajtur me qëllim i fshehur fakti se ata ishin në vështirësi financiare për shkak të borxheve të shumta në bankë dhe në individ të ndryshëm.

“Mashtrimi” i biznesmenit të farmaceutikëve
Ndaj vëllezërve Sulkaj është depozituar një kallëzim penal edhe nga pronari i një kompanie farmaceutike në Tiranë.

Sipas kallëzimit, kompania farmaceutike është mashtruar nga shtetasit Lefter Sulkaj dhe Përparim Sulkaj, të cilët nëpërmjet gënjeshtrës i kane marrë në periudhën korrik-gusht 2016 një shumë prej 1.234.295 euro, nëpërmjet parapagimeve të bëra nga shoqëria e tij në favor të shoqërisë “Sulkaj” sh.p.k.

Këto parapagime janë bërë nga shoqëria në pronësi të kallëzuesit, për furnizime me medikamente dhe materiale mjekësore të cilat shoqëria “Sulkaj” sh.p.k., do i bënte siç kishin rënë dakord në marrëveshje me njeri-tjetrin.

Sipas kallëzuesit, të pandehurit Lefter Sulkaj dhe Përparim Sulkaj kane pasur si synim vetëm përvetësimin e shumes së mësipërme të parave pa patur si qellim përmbushjen e kontratës apo futjen në një marrëdhënie tregtare. Ai ka sqaruar se, nga informacionet e mëvonshme, i ka rezultuar se në këtë kohë, Sulkajt kanë marrë një numër të konsiderueshëm borxhesh dhe huash në një numër të konsiderueshëm personash me qëllimin për të mos i kthyer ato.

Në bazë të një kontrate noteriale, të nënshkruar në vitin 2017, Përparim dhe Lefter Sulkaj deklarojnë se të gjithë mallrat e importuara apo të blera në vend prej tyre, do të shiten vetëm tek shoqëria e kallëzuesit, deri në shlyerjen totale të parapagimit. Gjithashtu Sulkajt marrin përsipër t’i dhurojnë kallëzuesit kuotat e shoqërisë “Sulkaj” sh.p.k. në rast shitje te klientë të tretë në shkelje të kushteve të kësaj marrëveshje.

Në kallëzimin e tij, biznesmeni i farmaceutikëve deklaron se vëllezërit Sulkaj nuk i janë përmbajtur kushteve të kontratës dhe, në mashtrim, ata i kanë përvetësuar shumën që ai u kishte dhënë hua.

Mbrojtja e avokatëve dhe…e Gjermenit
Avokatët mbrojtës të vëllezërve Sulkaj kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë. Ata kanë mbështetur faktin se veprimet e Përparim dhe Lefter Sulkaj nuk janë mashtrim, por marrëdhënie civile kontraktuale mes palëve.

Në mbrojtjen e tyre, të pandehurit Sulkaj kanë shpjeguar se ata nuk kanë pasur qëllim mashtrimin. Këtë pretendim, ata e mbështesin në faktin se kreditorëve të tyre u kanë kthyer shuma të ndryshme parash, megjithëse jo me transferta bankare. Për pjesën tjetër të detyrimeve, ata kanë deklaruar se ua njohin kreditorëve, por kanë qenë në vështirësi financiare.

Këto argumenta të mbrojtjes janë “përthithur” edhe nga gjyqtari i çështjes, Artan Gjermeni, i cili ka rrëzuar hetimin e Prokurorisë së Tiranës.

Për Gjermenin, akuza ndaj vëllezërve Sulkaj për “mashtrim” në rrethana rënduese, nuk qëndron. Në vendimin e marrë në nëntor 2019, gjyqtari Gjermeni e konsideron mos-kthimin e shumës prej rreth 3 milionë euro ndaj huadhënësve një çështje “civile” dhe jo penale.

Duke u mbështetur në këto argumenta, gjyqtari Artan Gjermeni ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Lefter dhe Përparim Sulkaj me nga 15 vjet burgim, duke i shpallur të pafajshëm.

Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka ankimuar këtë vendim, po përballet me vëllezërit Sulkaj në një tjetër proces, ku ata akuzohen gjithashtu për “mashtrim” në kushte rënduese.

Në këtë proces, Lefter dhe Përparim Sulkaj akuzohen nga një avokat se, nëpërmjet mashtrimit dhe me ndihmën e punonjësve të një banke të nivelit të dytë, i kanë përvetësuar shumën prej rreth 750 mijë USD.