Hapet gara për kreun e BKH, Kraja: Duhet një person me integritet, do të trajnohet nga SHBA

Kryetari i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja ka njoftuar hapjen e garës për kreun e Bryosë Kombëtare të Hetimit. Në një njoftim për mediat, Kraja kërkon që drejtori të jetë një person me integritet të lartë, i aftë profesionalisht dhe i motivuar për të kryer detyrën.

“Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj  për shpalljen e Njoftimit për Pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm. Ne duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për  Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, thuhet në njoftimin e tij.

LEXO EDHE  Reforma Zgjedhore, zbardhen 12 prioritetet e opozitës/ Në tryezë edhe çështja e sistemit zgjedhor...

Sipas Krajës, i gjithë procesi do të monitorohet nga ndërkombëtarët, ndërsa kandidati fitues do të trajnohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet  një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, përfundon njoftimi.