Dega e PS në Shkodër në kaos, Rilindasit bëjnë zgjedhje formale në Vaun e Dejës, Pukë dhe…

Socialistët e Vaut të Dejës do të zgjedhin nesër drejtuesin e degës, duke nisur të parët procesin e riorganizimit të Qarkun e Shkodrës. E ndërsa në këtë bashki, socialistët do të zgjedhin mes Kristjan Shkreli dhe Elvis Preçit, në Bashkinë e Shkodrës, dega e PS-së do të drejtohet nga një emër i komanduar nga Kryesia Qendrore e PS-së, për faktin se kjo degë vijon të jetë e përçarë.

Zgjedhjet në Vaun e Dejës do të nisin në orën 16:00, ku anëtarët e asamblesë së zgjeruar do të votojnë për kandidatët e miratuar më parë nga Kryesia e PS-së.

Votimet pritet të jenë formale, pasi burime nga dega e PS-së, theksojne se kreu aktual Kristjan Shkreli, i cili është edhe bashkëpunëtori i afërt i Kryebashkiakut, pritet të rikonfirmohet.

Referuar burimeve nga PS, formalisht një garë do të zhvillohet edhe për degët e Malësisë së Madhe dhe të Pukës, ku sërisht duket se kryetari është i paracaktuar.

LEXO EDHE  Presidenca: Qeveria përdori Ministrinë e Drejtësisë për të rrëmbyer anëtarin e Kushtetueses

Problemi më i madh për PS-në mbetet dega në Bashkinë e Shkodrës, ku vijojnë përplasjet, madje ka dështuar edhe grupi i punës, i caktuar nga Kreu socialist Edi Rama.

Mes debateve të shumta, përplasjeve dhe akuzave, dega e PS-së në Shkodër prej disa muajsh është pa kryetar. Madje, Edi Ramës në një hark të shkurtër kohor i është dashur të ndryshojë disa herë të deleguarit. Në vend të Ditmir Bushatit, ish-ministër i Jashtëm, Edi Rama caktoi Valdrin Pjetrin, të cilin e caktoi edhe si kryebashkiak, por që nuk arriti të merrte mandatin për shkak të ligjit për dekriminalizimin.

Më pas caktoi grupe pune, që duket se nuk arritën të zgjidhin situatën, ndërsa gjithçka duket se është e ndarë sipas influencave të deputetëve.