Ambasada thirrje për BKH-në, qytetarët shpërthejnë në kritika

Nga Boldnews.al

Ambasada e SHBA-së në Tiranë nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale bëri thirrje që të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret të aplikojnë për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), por në një kohë të shkurtër, një numër i madh qytetarësh kanë nisur kritikat, kryesisht për kriteret, duke iu referuar SPAK dhe institucioneve të tjera të drejtësisë së re.

“Jeni prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, i gatshëm për të luftuar për drejtësinë që çdo shqiptar meriton? Jeni person me integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish të nevojshme për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit? Nëse mendoni se përmbushni kriteret për të drejtuar një institucion të rëndësishëm të programit kundër korrupsionit në Shqipëri, aplikoni për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Shqipëria është në hapat e fundit të zbatimit të reformës në drejtësi. Bëhu pjesë e historisë, apliko tani: https://bkh.al/aplikim/” -thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Deri në këtë pikë nuk është risi, pasi ambasada ka qenë aktive në çdo thirrje apo mbështetje në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, por ajo që vihet re është rënia e besimit të publikut.

“Për ju duhet të plotësojë një kusht të vetem, të jetë ish-hetues i rregjimit komunist që të ketë kryer genocid ndaj shqiptarëve. Jeni kthyer në zëdhensen e ish-hetuesve të rregjimit komunist. Me vjen tmerrësisht keq që taksat e mia shpërdorehen në këtë mënyrë duke mbeshtetur ata që e quanin Amerikën si armikun e tyre të madh dhe kërkonin shkatërrimin e saj, ndërsa ju po i vendosni në piedestal”. Ky është njëri prej komenteve, ndërsa të tjerë po në këtë linjë kritikojnë përfaqësuesit e ambasadës, që sipas tyre i kanë dhënë mbështetje institucioneve të reja të drejtësisë të cilat kanë në krye të tyre individë me të shkuar në regjimin komunist.

LEXO EDHE  "Po largohem së shpejti"/ Basha replikon me aktivistin: Mos ik! Unë prandaj u ktheva, të ftoj ....

“Të gjithë kushtet i plotësojmë, por nuk plotësojmë kushtin kryesor, nuk keni qenë gjykatës në diktaturë, dhe nuk jemi me Sorrosin”-ishte një tjetër koment nga qytetarët.
Gjithashtu ka edhe mesazhe mbështetëse, por pjesa më e madhe e reagimeve komenton me nota kritike. Kujtojmë se disa nga drejtuesit apo anëtarët e institucioneve të reja të drejtësisë kanë qenë hetues ose gjyqtarë para viteve 90’, madje për një pjesë të tyre ekzistojnë dokumenta që kanë marrë pjesë në dënime politike.

Gjithashtu edhe “elita” drejtuese e institucioneve të reja është akuzuar se janë pjesë jo vetëm të lidhura me pushtetin, por më parë kanë bërë karrierë si pjesë e “Fondacionit Shoqëria e Hapur” e cila financohet dhe promovohet nga multimiliarderi, me ndikim ekonomik dhe politik, kryesisht në vendet e lindjes George Soros.