Ibrahimovich gjatë prezantimit: Dua të dëshmoj përsëri veten, CR7 i bën mirë Seria A

Zlatan Ibrahimovich është prezantuar paraditen e sotme në mënyrë zyrtare te skuadra e Milanit.

Siç është bërë e ditur më parë, sulmuesi suedez do të mbajë të veshur fanellën me numrin 21, ndërsa më parë kur luante me “kuqezinjtë” mbante të veshur fanellën me numër 11.

Gjatë prezantimit te Milani, sulmuesi suedez, Ibrahimoviç, ndër të tjera ka folur edhe për kontratën që ka dakordësuar me klubin dhe rivalitetin me Cristiano Ronaldon.

“Milani është gjithmonë Milani. Historia nuk ndryshon. Skuadra ndoshta nuk është njësoj si më parë, por pas Berlusconit ndodhën shumë gjëra. Do të doja t’i kisha Boban dhe Maldini në fushë, por të jesh në rol drejtuesi, gjithashtu, nuk është diçka e keqe. Ne nuk mund të jemi gjithmonë të njëjtë, ndryshimet fizike dhe përvoja, gjithashtu; por besimi nuk ndryshon. Me shokët e mi do të jem shumë bashkëpunues, tani që kam dy fëmijë i kuptoj më mirë… Do të jem unë vetë, që do ta jap shembullin i pari. Jo të gjithë pëlqejnë të vuajnë, po unë e bëj”.

“Pas dëmtimit që kisha (te Manchester United), kisha shumë mendime  në kokë. Shumë kishin thënë se ishte e pamundur të kthehesha. Kam punuar një kohë të gjatë dhe, për sa kohë që mund të punoj, edhe luaj. E pamundur që unë të luaj si 10 vite më parë, por e di se çfarë duhet të bëj. Në vend që të vrapoj mund të qëlloj nga 40 metra… E di mirë se presioni për të luajtur në Milano është shumë i lartë, nga tifozët, klubi dhe shokët. Të gjithë presin rezultate. Duhet të bëjmë më shumë. Nëse luan te Milani kërkohen rezultate. Në mënyrë kolektive dua të përmirësoj situatën. Individualisht mezi pop res që të jem në fushë. Aty gjej adrenalinën e vërtetë.

Rivalitet me CR7? Është bukur që Cristiano luan në Itali, është e rëndësishme për Serie A. Kulusevski te Juventusi? Është mirë që lojtarët e Suedisë përfaqësohen me ekipe të shkëlqyera. Pak prej tyre e kanë këtë privilegj. Kur jeton në Amerikë është e vështirë t’i shikosh ligat europiane. Kam dëgjuar gjëra pozitive për Kulusevski dhe jam i lumtur për të. Ai do të kuptojë se çfarë duhet të bëjë në një ekip elite. Kontrata? Nëse mund të jap diçka për 6 muaj, atëherë do të vazhdoj. Nuk dua të qëndroj këtu, sepse jam Ibrahimoviç. Ajo që kam bërë në të kaluarën nuk llogaritet. Unë duhet ta dëshmoj veten time”.

LEXO EDHE  Barcelona këmbëngul për Martinez, Inter po punon për zëvendësuesin