Unai Emery zbulon prapaskenat e kapitenit: Granit Xhaka, një lider natyral

Unai Emery kërkoi nga lojtarët e tij, që të votonin për kapitenin e Arsenalit, pas largimeve verore të Laurent Koscielny dhe Petr Cech. Triumfoi Granit Xhaka, por më vonë shqiptarit iu hoq shiriti pasi u konfrontua verbalisht me tifozët, kur u zëvendësua në barazimin 2-2 me Crystal Palace. Sidoqoftë, Emery insiston se 27-vjeçari, që luan me kombëtaren e Zvicrës, ishte njeriu i duhur për atë rol. “Kapitenët kryesorë në sezonin e kaluar ishin Koscielny, Cech, Ramsey dhe Nacho Monreal. Të gjithë u larguan nga ekipi, – tha spanjolli për “BBC Sport”.

– Pra, lideri natyral në ekip, për shkak të vlerave të tij dhe asaj që përfaqësonte tek Arsenali, ishte Granit Xhaka. Unë organizova një votim me të gjithë lojtarët për të parë nëse ajo që ndjeja ishte reale. Gjithçka u konfirmua nga vetë lojtarët për kapitenin. Rrethanat e sollën që Xhaka të kishte një përplasje me tifozët, ndaj iu hoq shiriti. Sidoqoftë, ai mbetet lideri i Arsenalit, për shkak të vlerave që përfaqëson, për shkak të respektit që të gjithë kishin për të dhe për shkak të përvojës. 

Gjithsesi, që nga momenti kur ndalon së qenuri kapiten, ka lojtarë të tjerë, që gjithashtu kanë aftësi për ta marrë përsipër këtë rol, si Aubameyang, Ozil, Lacazette. Hierarkitë brenda një ekipi duhet të vendosen në bazë të vlerave. Trajneri duhet të lejojë që gjërat të rrjedhin natyrshëm, të kërkojë nga lojtarët për ta “votuar” kapitenin. Logjikisht, unë isha personi, që vendosja se cili do të bëhej kapiteni, por lojtarët duhej të pyeteshin, të më thonin se cilin e perceptojnë si të tillë”.

LEXO EDHE  Zyrtare/ Man.City apelon në CAS përjashtimin nga Championsi