“Hiletë” e Reformës/ Një paketë sigurimsash e hetues komunizmi në Drejtësinë e Re

Nga Boldnews.al

Donald Lu, një ambasador që rezultoi më shumë aventurier politik sesa diplomat, injoroi të gjithë paralajmërimet se kishte zgjedhur një ish-hetues komunizmi, Fatmir Xhafajn, për ta konsideruar si “aleatin” për hartimin e Reformës në Drejtësi.

Nuk u zbulua asnjëherë publikisht se, për cilat arsye, Xhafaj “komunisti”, bindi Lu “amerikanin” për të realizuar një prej reformave më thelbësore, por edhe më të dështuara, të ndërmarra në 30 vitet e fundit në Shqipëri.

E, një “brum” i zënë nga një “hetues komunist”, natyrisht do të sillte si produkt riciklimin dhe rikthimin e të-ngjashmëve të tij në atë që sot quhet “Drejtësia e Re”. Një tabor ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit famëkeq të Shtetit e ish-hetues që kanë ndjekur veprimtari “armiqësore” tashmë janë pjesë e strukturave që, siç thuhet, do të integrojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.

“Boldnews.al”, gjatë vitit 2019, e ka ndjekur me vëmendje projektin “Xhafaj” për emërimin e ish-kolegëve të tij të periudhës së komunizmit në postet kyçe të institucioneve të reja të drejtësisë.

“Babai” Xhafaj
Natyrisht, në krye të listës qëndron ai vetë, Fatmir Xhafaj, ish-hetues komunizmi, i katapultuar në qeverinë e Edi Ramës si Ministër i Brendshëm dhe i flakut nga kabineti qeveritar me një sms në Twitter, sapo shfaqi tendencat për të rivalizuar shefin e tij politik.

Për Xhafajn ka shumë të dhëna dokumentare, foto e dëshmi rrënqethëse, që dëshmojnë lidhjet e tij me parinë komuniste, si edhe me torturat në birucat e hetuesisë së Krujës.

“Biri” Dvorani
Një ish-prokuror i periudhës së komunizmit, Ardian Dvorani, është njeriu që tashmë kontrollon procedurat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Praktikisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Dvorani, ka në dorë përzgjedhjen e njerëzve që do të duhet të mbrojnë të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë.

LEXO EDHE  “Të mbarova punë me prokurorin” Si ia merr avokati paratë qytetarit

“Shokët” në KLGJ e KLP
Në Këshillin e Lartë Gjyqësor, strukturë që menaxhon karrierën e të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, “militon” Fatmira Luli, ish-gjyqtare në periudhën e komunizmit, e përfshirë në procese politike.

Krahas “karrierës” së saj, Fatmira Luli është bashkëshorte e Kujtim Lulit, ish-koleg zyre me Fatmir Xhafajn në Hetuesinë e Krujës dhe tashmë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, “procedurat” përzgjodhën të paktën dy ish-zyrtarë të rëndësishëm të periudhës së komunizmit.

“Boldnews.al” ishte i pari që publikoi dokumentin e Autoritetit të Dosjeve, në të cilën evidentohej fakti se anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi, i figuronte emri në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Publikimi i këtij dokumenti shkaktoi një zhurmë politike dhe publike, e cila, gjithësesi u fashit shumë shpejt, pasi Gjykata Administrative, me anën e një vendimi të dyshimtë, rrëzoi vendimin e Autoritetit të Dosjeve.

Në krah të Sheshit në tavolinën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë qëndron ish-prokurorja e periudhës komuniste, Nurihan Seiti.

“Boldnews.al” ka publikuar vendime gjyqësore, në të cilat Nurihani e KLP-së ka kërkuar dënime të rënda për persona që “nuk donin Enverin” apo që “shfaqnin simpati për Mehmetin”.

Së fundmi, disa dokumenta të vitit 1990, zbulojnë se edhe drejtuesi i sapo-zgjedhur i Prokurorisë Speciale, SPAK, Arben Kraja, ka qenë hetues në çështje të natyrës politike, në një kohë kur Shqipëria ishte në zgrip të rrëzimit të komunizmit.