“Ish-sigurimsat në strukturën e reformës në drejtësi”, Nebil Çika flet me emra

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste dhe ish-të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika ka renditur disa anëtarë të organeve të reja të reformës në drejtësi, që sipas tij janë ish-sigurimsa.

Në studion e emisionit “Aktualitet”, Çika deklaroi se i pari në listë qëndron kryetari i sapozgjedhur i SPAK, Arben Kraja. Gjithashtu përmendi dhe kreun e KED, Ardian Dvorani. Sipas tij, pjesë e listës janë edhe anëtarët e KLP, Bujar Sheshi e Nurihan Seiti.

“Personi që është përcakruar të drejtojë SPAK është një ish-sigurims. Këtë ne e kemi denoncuar edhe më herët për shkak të kaluarës kriminale të tyre. Sigurimi i Shtetit, prokuroria, gjykatat komuniste kanë kryer krime ndaj njerëzimit, gjenocide. Ky njeri u dënua kot së koti se sipas drejtuesit të SPAK, ka kryer një krim politik.

Ai është dënuar për kalim të paligjshëm. Kemi bërë edhe një listë. Përveç Arben Krajës, autorët e krimeve janë futur në të gjithë strukturën e reformës në drejtësi. Nuk është vetëm SPAK. SPAK është prodhimi i tyre. Fillon që nga Parlamenti, ku ka hetues. Një pjesë janë zbardhur, ndërsa të tjerë nuk i nxjerrim dot publikisht.

Një Parlament i dominuar dhe i drejtuar nga ish-sigurimsa, zgjedh një KLP me dy anëtarë ish-sigurimsa, pastaj kemi edhe Ardian Dvoranin në KED. Ai ka dhënë vendime për Stalinin, për diktaktorin më të madh të botës. Kemi edhe Bujar Sheshin dhe Nurihan Seitin, që kanë dhënë dënime të rënda për agjitacion dhe propagandë. Më poshtë kemi edhe dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë. Vendet kyçe i kanë njerëzit që kanë kryer krime në kohën e diktaturës. Shkon zinxhirë puna”, deklaroi Nebil Çika.

LEXO EDHE  A mund ta shpërndajë Meta Parlamentin? Juristi Ledio Braho: Vendos Kushtetuesja