Gabimi i gjyqtarit liron shqiptarët që akuzoheshin për vjedhjen e mbi 100 shtëpive

Për shkak të gabimeve procedurale, gjykata e Kasacionit ka lënë të lirë dy shqiptarët të arrestuar në prill pasi akuzoheshin për grabitjen e mbi 100 shtëpive.

Gjyqtari i hetimit paraprak, që kishte firmosur arrestin me burg, nuk kishte dhënë motivacion të mjaftueshëm për të justifikuar masën. Për këtë shkak gjyqtarët ‘anuluan pa kthim’ masat e vendosura, duke zeruar muaj hetimesh e përgjimesh.

Sipas akuzës, dy të hetuarit bënin pjesë e një bande prej gjashtë personash, pesë shqiptarë e një italian, të arrestuar në prill nga karabinierët, me akuzën e vjedhjes së mbi 100 banesave në fshatrat midis Astit, Torinos e Cuneos.

LEXO EDHE  Transportonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 24-vjeçari/ VIDEO

Për mbledhjen e provave kishin menduar vetë hajdutët. Ata e kishin zakon t’u bënin foto viktimave teksa ishin në gjumë, një lloj suveniri që vërtetonte vjedhjen.

Në ngarkim të dy shqiptarëve të liruar ishin edhe disa përgjime ambientale, gjurmim i GPS dhe zotërim armësh, përveç ‘albumit’ të fotove të viktimave, i ruajtur në celularët e tyre.

Por, për shkak të një gabimi procedural, në shtator seksioni i katërt penal i Kasacionit i la të lirë dy qytetarët shqiptarë.

Kasacioni pranoi kërkesën e mbrojtjes, duke kthyer në liri dy të hetuarit, ndërsa katër anëtarët e tjerë të bandës mbetën në burg.