Acromax Media GmbH është kthyer në një shqetësim për përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilëve iu fshihen postime, bllokohen faqe dhe llogari, për të vetmen arsye sepse kanë qëndrime kritike apo kundër qeverisë Rama dhe Rilindjes.
Deri më tani ishin raportuar raste të ndryshme të bllokimit apo fshirjes së postimeve, videove apo fotove, por duket se në masë Acromax po godet këdo që shpreh qoftë edhe një kritikë ndaj qeverisë.
Besart Kadia, ekspert në fushën e ekonomisë, ka postuar në rrjet fshirjen e një video 2 minutëshe, ku ai dhe profesori Rezart Prifti shpjegojnë alternativën e tyre.
“Acromax Media GmbH e cila zhduk çdo gjë që s’është në interes të shtetit vjen si gestapo dhe na detyron të fshijmë një video 2 minuteshe ku Rezarti dhe unë shpjegojmë çfarë është Alternativa në AbcNeës dhe A2 CNN. Ndër shumë ligje që thyhen ne Shqiperi një ligj është më i rendi dhe i pafalshimi: mendimi i lirë”, shkruan Kadia në rrjet.
Më herët, pedagogu dhe aktivisti i shoqërisë civile, Erion Kristo, përmes rrjeteve sociale ka kërkuar një reagim të njerëzve publikë dhe jopublikë ndaj Acromax.
“Ftoj të gjithë njerëzit publikë dhe jo publike që të organizohemi kundër Akromaksit si vrasëse e fjalës së lirë, në kundërshtim me rregullat e rrjeteve sociale. Ccdo ide është e mirëpritur”, shkruan Kristo.