Nga Boldnews.al
Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, është fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 6 tetor.
Nëse i referohemi karrierës politike të Albin Kurtit, duket se me fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit, ai korri frytet e një periudhe 22 vjeçare që nis si lider i protestave studentore, pastaj si lider i lëvizjes Vetëvendosja, që më pas e shndërroi në parti politike.
Kurti filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit, u bë pjesë e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Grupi, me anë të protestave dhe të mosbindjes civile, kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb.
Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.
Kurti do të arrestohej në atë kohë, por si rezultat i presionit ndërkombëtar u lirua më 7 dhjetor 2001.
Pas çlirimit të Kosovës, Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën dhe në 2005 u themelua Vetëvendosja.
Me kalimin e kohës, Lëvizja Vetëvendosje u kthyer në parti, e cila ishte gjithmonë e gatshme të zgjidhte opozitën sesa një marrëveshje për pushtet.
Por problemet nuk kishin të ndalur për Kurtin, edhe njëherë, tashmë në Kosovën e pasluftës ai do të shikonte sërish qelinë e burgut.
Në vitin 2017 ai u arrestua bashkë me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Referuar gjithë aktivitetit politik të Albin Kurtit, duket se ai u shpërblye me fitimin e zgjedhjeve dhe të drejtën për të krijuar qeverinë e re të Kosovës, pas 22 vjetësh.
Karriera e Kurtit në politikën shqiptare ka një veçanti dhe vështirë që mund të gjendet një politikan që i ka ngjitur shkallët e karrierës në mënyrë të tillë.
Modelin e Kurtit nuk mund ta gjesh as në Shqipëri, ku përgjithësisht politikanët që kanë bërë karrierë janë suportuar nga liderët historik të partive. Kjo ka ndodhur me Edi Ramën, që u fut në politikë me suportin maksimal të Fatos Nanos, më pas me mbështetjen e Ilir Metës, derisa mori kontrollin absolut të PS-së.
Traditën e vijoi, kur Rama mbështeti pa hezitim grupin e të rinjve që ishin pjesë e Mjaft dhe më pas G 99. Modeli është Veliaj apo Spiropali, që u katapultuan në krye të selisë së PS-së, pa dhënë asnjë ditë kontribut në këtë parti.
Veliaj sot konsiderohet si pasardhës politik i Ramës në Partinë Socialiste, ndërsa Elisa është ministre e Shtetit, pasi më parë dështoi në drejtimin e Doganave, por që vijoi karrierën duke u bërë deputete. Shërbimi më i madh i Veliajt për të majtën është kur tregoi një histori horror në 2011, kur shpërndau në kancelaritë europiane sesi i ishte rrëmbyer bashkëshortja një prej kandidatëve për kryebashkiakë të Rilindjes, gjë që më pas kërkoi ndjesë për zhurmën që krijoi. Ndërsa Elisa, pati një rrugë më të shtruar.
Ndaj sot modeli i Albin Kurtit ndoshta nuk është i “gëlltitshëm” nga disa prej Rilindasve që u kuoptuan në politikë dhe në nivelet drejtuese me suportin e Ramës.
Kaq mjafton për të kuptuar sepse sot, 3 ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovës dhe shpalljes së rezultatit, nuk ka asnjë koment, për të mos thënë urim për fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin.