Siguria ushqimore/ Koncensioni për “Noval”, dyshime për konflikt interesi e cënim konkurence

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në kompaninë "Noval Laboratory", në korrik 2019.

Nga Boldnews.al

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, ka vendosur që kontrollin e sigurisë ushqimore ta realizojë laboratori privat “Noval”, duke anashkaluar dyshimet e forta për konflikt interesi ndërmjet kësaj kompanie dhe procesit shumë të rëndësishëm të analizave mbi cilësinë e produkteve të tavolinës.

Me një urdhër të datës 23 Shtator 2019, Çuçi autorizon kompaninë “Noval Laboratory” që të kryejë analizat e mostrave të ushqimeve të marra gjatë kontrolleve zyrtare të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Sipas këtij urdhëri, “Noval” do të kryejë shërbimin për një periudhë 3-vjeçare, deri në nëntor 2022.

Kompania “Noval Laboratory” është në pronësi të biznesmenit Petrit Maho, i cili është i përfshirë edhe në prodhimin e vezëve, një prej produkteve më bazike, por edhe më problematike sa i përket sigurisë ushqimore.

Petrit Maho rezulton pronar i vetëm i kompanisë “Beata”, me aktivitet tregtar “Pulari, prodhim vezesh, shitje vezesh, import eksport produktesh bujqesore, baze ushqimore per blegtori, etj…”.

Konflikt interesi?
Në bazë të urdhërit të ministrit të Bujqësisë, kompania “Noval Laboratory” do të analizojë mostrat e ushqimeve të marra nga kontrollet e AKU-së, ku përfshihen edhe vezët.

Madje, sipas dokumentit me firmën e Çuçit, “Noval” u përzgjodh për të kryer kontrollet ushqimore, pasi ky laborator privat “ka kaluar me sukses testet ndërkombëtare, ndër të tjera, edhe për kontrollin e viruseve të E-Col-it dhe salmonelës tek vezët”, dy mikrobe të rrezikshëm për jetën dhe shëndetin e konsumtarorëve e sidomos të fëmijëve.

Pra, është e qartë se “Noval Laboratory” e Petrit Mahos do të kryejë testet mbi cilësinë e vezëve, ku përfshihen edhe produktet e kompanisë me të njëjtin pronar, “Beata”.

Ky moment krijon dyshime të forta për konflikt interesi. Pasi, njëra kompani e Mahos do të ushtrojë kontrollet mbi produktet e një biznesi tjetër, po në pronësi të tij. Për më tepër, është e vështirë të eleminohen dyshimet e publikut mbi cilësinë e vezëve “Beata”, kur kontrolli i tyre do të bëhet nga Laboratori “Noval” në pronësi të pularisë.

Cënim i konkurencës?
Kjo situatë e dyshimtë konflikt interesi mund të pasohet edhe me një anomali të tregut të prodhimit, shitjes dhe eksportit të vezëve. Krahas kompanisë “Beata”, në tregun shqiptar operojnë edhe shoqëri të tjera që kanë si aktivitet të tyre prodhimin e vezëve dhe pulari.

Këta operatorë të tjerë do të jenë subjekt i kontrollit nga shoqëria rivale e tyre, “Beata”, nëpërmjet “Noval Laboratory”.

Pa ngritur asnjë dyshim mbi integritetin dhe profesionalizmin e “Noval Laboratory”, kritere, të cilat gjithësesi nuk janë argumentuar për publikun e gjerë, vetëm fakti që operatorët në tregun e vezëve do të kontrollohen nga një kompani private e po të njëjtës fushë, krijon premisa për cënimin e konkurencës.

LEXO EDHE  Gjermania në vështirësi: Duam mijëra punëtorë në ndërtim nga vende si Shqipëria

Kostoja e fshehtë e koncensionit
Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, tashmë e ka shndërruar në fakt të kryer që “Noval Laboratory” do të kryejë analizat e mostrave të ushqimeve të marra nga inspektorët e AKU-së.

Megjithatë, në dokumentin që autorizon “Noval” të marrë përsipër këtë shërbim për autoritetet shtetërore, nuk përmendet se sa është vlera që do të paguajë shteti shqiptar në llogaritë e kësaj kompanie private.

Forma e përdorur në Urdhërin e Çuçit është një lloj kontratë koncensionare, për të cilën ministria e Bujqësisë do të paguajë për analizat. Por, vlera e parave që do të paguhet për “Noval” nuk përmendet në asnjë pikë të urdhërit. Ndërkohë që, Ministria e Bujqësisë, nuk ka bërë publike asnjë kontratë të nënshkruar me “Noval Laboratory” për këtë shërbim.

Lidhjet politike
Urdhëri i Çuçit është paraprirë nga kryeministri Edi Rama, i cili, në një vizitë pranë këtij Laboratori privat në Korrik 2019, deklaroi: “Do ishte vërtet shumë me interes edhe reciprok që të shikojmë mundësinë e një projekti bashkëpunimi me laboratorin tuaj, që është në standardet më të larta evropiane për sigurinë ushqimore, një projekt bashkëpunimi mes AKU-së dhe jush që do të na garantonte rezultate spektakolare dhe njëkohësisht transparencë të madhe në raport me të gjithë prodhuesit dhe tregtuesit…”

Rreth dy muaj pas kësaj deklarate, Ministri i Bujqësisë nënshkroi urdhërin që autorizon “Noval Laboratory” të kryejë analizat mbi mostrat e ushqimeve, të marra gjatë kontrolleve të autoritetit shtetëror, AKU.

Boldnews.al” ka raportuar më parë për disa ortaktëri të pronarit të “Noval Laboratory”, Petrit Maho, me disa personazhe të jetës politike në kompani të tjera.

Petrit Maho rezulton se është ortak në kompaninë “Pharma Next” me shtetasin George Balla, vëllain e Sekretarit të Përgjithshëm dhe njëkohësisht kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Më herët, biznesmeni Maho ka pasur raporte ortakërie me deputetin e maxhorancës socialiste, Tom Doshi, në kompaninë e vezëve “Beata”.

Në vitin 2013, Petrit Maho ka kryer disa transaksione me ish-prefektin socialist të Shkodrës, Paulin Radovani.

Kompania “Intermrd” e Mahos ka blerë “Radopharma” (Medica-Vet) dhe “Noval”, pak kohë para se Paulin Radovani të merrte postin e Prefektit të Shkodrës, në vitin 2013.