Nga Boldnews.al
Ka nisur ndërtimi i katër pallateve 5-katëshe në zonën arkeologjike të kategorisë së parë në qytetin e Durrësit.
Ky është një skandal, po të kihet parasysh rëndësia e kësaj zone, e cila ndodhet pranë asaj që njihet nga banorët e Durrësit si “Vila e Zogut”.
Madje betoni po hidhet mbi rrënojat, ndërsa objektet arkeologjike që kanë dalë në sipërfaqe gjatë gërmimeve të ekskavatorëve janë mbuluar me mushama, por pa penguar vijimin e ndërtimit.
Boldnews.al sjell pamjet mbi masakrën që po ndodh në zonë, ndërsa mësohet se policia është mjaftuar me një shërbim 24 orësh për të ruajtur objektet, dhe më pas është larguar.
Ndërtimi i 4 objekteve, 5 katëshe, ka nisur pavarësisht protestave të banorëve, por edhe urbanistëve, që kanë ngritur shqetësimin se zbatimi i një projekti të tillë në këtë zonë, rrezikon objekte të tjera, por njëkohësisht dëmton edhe rëndësinë që ka ajo, si zonë arkeologjike.
Firma Jedas shpk, është pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia e Durrësit, që në kohën që është dhënë leja, drejtohej nga Vangjush Dako.
Pak javë më parë në media, Adhurim Qehajaj, shef i zyrës së urbanistikës në Durrës, deklaronte për mediat se firma para se të merrte lejen plotësoi një sërë kriteresh e detyrimesh ligjore duke nisur nga studimi arkeologjik, mjedisor, sizmologjik etj.
Punimet në zonë u bllokuan për mbi 8 muaj, pasi banorë të zonëskishte paditur firmën ndërtuese në gjykatë, e cila në përfundim, vendosi në favor të saj.
Urbanisti Ardian Muka , i cili ka mbajtur edhe pozicionin e nënkryetarit për zhvillimin urban në këshillin bashkiak të qytetit, para votimeve të 30 qershorit, ka denoncuar projektin që po zbarohet, pra atë të ndërtimit të 4 ndërtesave 5 –katëshe.
Sipas tij, ky projekt rrezikon 3 ndërtime të tjera të bëra kohë më parë, ku janë strehuar 200 familje.
Muka i mbështet vërejtjet e tij në tre pika të rëndësishme, që lidhen me sizmologjinë, arkeologjinë dhe mjedisin. Urbanisti shprehet se terreni ku po ndërtohet është argjilor dhe shumë rrëshqitës.
Banorë të zonës i janë drejtuar Bashkisë, Prefekturës, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera lokale në Durrës rreth 3 muaj më parë, ku i kërkonin të pezullohej projekti. Por duket se gjithçka ka kaluar në heshtje.
Nga Prefektura banorëve i është thënë se nuk ka punime, e njëjta përgjigje i ka shkuar edhe nga Bashkia, ndërkohë që sot zona është betonizuar. Betoni është hedhur mbi gërmadhat e zonës arkeologjike, e cila duket se nuk ka pasur asnjë rëndësi për Bashkinë e drejtuar nga Vangjush Dako.
Fotot e siguruara nga Boldnews.al tregojnë se kjo zonë, e klasifikuar si arkeologjike e kategorisë së parë, me ritmet e punimeve, do të kthehet në një zonë të betonizuar dhe me pallate.