Nga Boldnews.al
Komisioneri Publik ka kritikuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) për hetim të paplotë të gjyqtares së Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova, për të cilën, shkalla e parë e Vetingut vendosi konfirmimin në detyrë.
Por, Komisioneri, megjithëse evidentoi një seri parregullsisht në aktivitetin e trupës së KPK-së, gjithësesi u prezantua i bindur në seancën e zhvilluar paraditen e kësaj të Hëne në gjyqtarja Kosova duhet të vijojë detyrën e saj.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetingu), me vendimin nr. 43, në Korrik 2018, konfirmoi në detyrë gjyqtaren Nertina Kosova. Komisioneri Publik dorëzoi ankimin kundër këtij vendimi në 24 Shtator 2019. Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi shqyrtimin e ankimit në Qershor 2019.
Ankimi
Në ankimin e tij, Komisioneri Publik kishte ngritur pikëpyetje mbi burimin e ligjshëm të pasurisë së gjyqtares Kosova, në të paktën 3 episode.
Sipas Komisionerit, gjyqtarja, megjithëse kishte marrë “dritën jeshile” nga KPK, gjithësesi nuk justifikonte ligjërisht burimin për sa më poshtë:
1. Shumën 1 milion lekë, e cila kishte shërbyer pjesërisht për blerjen e një apartamenti nga ana e gjyqtares
2. Një transfertë bankare të kryer nga “personi i lidhur”, vëllai i subjektit të rivlerësimit, nëpërmjet të cilës u ngrit dyshimi se ai nuk kishte mundësi për të kobtribuuar në të ardhurat e familjes prindërore të gjyqtares
3. Një raport huaje ndërmjet “personit të lidhur”, babait të subjektit, me një shtetas tjetër, e cila vuri në pikëpyetje mundësinë financiare të tij për të ndihmuar të bijën, gjyqtaren Kosova
4. Për mungesën e deklarimit të likujditeve të gjyqtares në llogari bankare
5. Si edhe dyshimet për pronësinë e një automjeti, i cili ishte regjistruar në emër të “personit të lidhur”, babait të gjyqtares.
Mbi këto pikëpyetje, Komisioneri Publik ngriti ankimimin e tij.
Tërheqja nga ankimi
Gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), gjyqtarja Nertina Kosova paraqiti argumentat e saj kundër ankimit të Komisionerit Publik, duke paraqitur rreth 70 fakte të reja që mbështesnin qëndrimin e saj.
Pas shqyrtimit të këtyre fakteve të reja, Komisioneri Publik vendosi të tërheqë ankimin, duke deklaruar gjithësesi se: “Shqyrtimi gjyqësor nga ana e Kolegjit… evidentoi disa mangësi të konstatuara gjatë hetimit të çështjes nga ana e Komisionit (KPK)”.
Sipas Komisionerit Publik, “këto mangësi u vërejtën në disa elemente të kontrollit të kriterit të pasurisë si: saktësia dhe mjaftueshmëria e deklarimit të pasurisë (periodike/Vetting), përmbushja e detyrimeve financiare, hetimi në mënyrë shteruese i burimit të ligjshëm të krijimit të pasurisë, të ardhurave dhe likuiditeteve”.
Duke vijuar argumentat e tij për tërheqjen nga ankimi, Komisioneri Publik deklaroi gjithësesi se “ky hetim në rastin konkret (në KPA) ishte i domosdoshëm, si për sa i takon subjektit të rivlerësimit, ashtu edhe personave të lidhur/të tjerë të lidhur me të, me qëllim krijimin e bindjes mbi besueshmërinë, në vlerësimin e këtij kriteri”.
Shkaqet e tërheqjes
Pasi ka prezantuar shkaqet formale të tërheqjes, Komisioneri Publik ka analizuar me detaje se përse nuk i qëndron pikëpyetjeve të ngritura fillimisht në ankimin e tij.
Sipas Komisionerit, gjyqtarja Nertina Kosova, me anën e provave të reja të paraqitura në seancën gjyqësore para Kolegjit të Apelimit, i krijoi bindjen se burimet financiare të pasurisë së subjektit janë të justifikuara me burime të ligjshme.
Më konkretisht, Komisioneri Publik argumenton:
1. Për pikëpyetjen mbi shumën 1 milion lekë;
Kolegji, në konsideratë edhe të provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, iu përgjigj duke kryer dhe vënë në dispozicion të palëve një analizë financiare paraprake, hartuar në tri variante lidhur me zërin “shpenzime jetësore”, e për të cilën Komisioneri Publik mbajti qëndrim në seancën e mëparshme.
Në vlerësimin e Komisionerit Publik, kjo analizë financiare bëri të mundur verifikimin e origjinës dhe burimit të ligjshëm të të ardhurave të ligjshme prej 1.000.000 lekë, të përdorur nga ana e subjektit, sipas kontratës së sipërmarrjes së shtatorit 2006, në favor të shoqërisë së ndërtimit, burim i cili, sipas kësaj analize, identifikohet qartësisht në të ardhurat e ligjshme të familjes Kosova, administruar nga babai i subjektit.
2. Transferta e vëllait të gjyqtares
Komisioneri Publik pranon se provat e sjella nga gjyqtarja Kosova në seancat në Kolegjin e Apelimit provuan pretendimet e saj të mëparshme se një transfertë bankare e kryer nga vëllai i saj nuk ndikon në kriterin e pasurisë së gjyqtares.
Komisioneri Publik kishte konstatuar në ankimin e tij se vëllai i subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e personit të lidhur, nuk justifikonte me burime të ligjshme një transfertë bankare në shumën e rreth 23 mijë dollarëve.
Por, pas provave të administruara në KPA, Komisioneri konstaton se “më së paku treguan se vëllai i subjektit të rivlerësimit ka vepruar si përfaqësues i interesit tregtar të një shoqërie tregtare, pasi në to identifikohet si llogaria bankare dërguese, ajo pritëse, përfituese në Mbretërinë e Bashkuar dhe qëllimi i saj. Situatë faktike kjo e shoqëruar me një sërë veprimesh të tjera financiare, të kryera dhe nënshkruara nga vëllai i subjektit të rivlerësimit për llogari të shoqërisë “*” sh.p.k, si deklarata doganore, fatura tatimore, mandatpagesa etj”.
3. Huamarrja
Komisioneri Publik, vlerëson se aktet e paraqitura nga subjekti në seancën para KPA, të analizuara në harmoni edhe me aktet e tjera, “i përgjigjen dhe provojnë të kundërtën e shkakut të ankimit, lidhur me kohën e marrjes së një pjese të huas në cash, moment i cili do të përcaktonte edhe vlerësimin ligjor, nëse kjo hua do të trajtohet ose jo si e marrë nga personi tjetër i lidhur, i ati i subjektit të rivlerësimit”.
4. Likujditet e padeklaruara
Komisioneri Publik i vlerëson të pakonsiderueshme për të shkuar deri në shkarkimin e gjyqtares mos-deklarimin e një depozite bankare, e regjistruar fillimisht me dy emra, në emër të gjyqtares dhe babait të saj.
Nga provat e siguruara në seancën para Kolegjit të Apelimit, Komisioneri krijoi bindjen se ajo depozitë bankare ishte krijuar nga babai i gjyqtares dhe se ajo kishte qenë emër i dytë deri në momentin që ishte shkëputur nga certifikata e familjes së saj të trungut.
5. Automjeti
Edhe për një automjet, për të cilin Komisioneri Publik kishte ngritur dyshimet për burimin e pasurisë së gjyqtares, provat e paraqitura në Kolegjin e Apelimit, rrëzuan pretendimet e ngritura në ankim.
Sipas të dhënave paraprake, Policia e Sigurimit të automjetit ishin në emër të babait të gjyqtares dhe të vetë subjektit të rivlerësimit
Por, nëpërmjet shkresave zyrtare, si Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, ashtu edhe kompania e sigurimit, “kanë pranuar se ka pasur një gabim material në prezantimin drejt të faktit dhe se për periudhat respektive rezulton i siguruar vetëm personi tjetër i lidhur, i ati i subjektit të rivlerësimit”.
Për të gjitha këto arsye, Komisioneri Publik u tërhoq nga ankimi i vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Nertina Kosova.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas parashtrimeve të Komisionerit, e shtyu vendimmarrjen për në datën 26 Korrik 2019, në të cilën, me shumë mundësi, do të vendosë lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova.