Vetingu i Denarit/ Biba, 3 apartamente, njëri dhuratë, fonde nga Soros, makina e miliona në banka

Nga Boldnews.al

Kushdo që mendon se Denar Biba është një “servil i verbuar” ndaj Edi Ramës, aq sa mund të humbasë edhe lirinë e tij për t’i forcuar pushtetin kryeministrit, di vetëm gjysmën e të vërtetës.

Pjesa tjetër e së vërtetës, ajo që gjendet nëpër dokumenta, është që nënkryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ia “ka parë hajrin” sjelljes së tij karshi pushtetit të Edi Ramës.

Denar Biba, i cili së fundmi ishte iniciatori i mos-njohjes së dekretit presidencial për zgjedhjet lokale, dhe bashkëshortja e tij, Elona Kana, ndihmëse në Gjykatën e Lartë, rezultojnë ndër çiftet më të pasura të personave që krijojnë të ardhura vetëm nga punësimi në shtet.

Biba dhe Kana nuk rezulton të kenë asnjë trashëgimi, të mos jenë marrë asnjëherë me biznes, të paktën nga viti 2003 e këtej. E megjithatë, të ardhurat e tyre vjetore, herë herë kanë arritur në vlera 3-4 milionë lekë të reja, të siguruara nga punësimi në shtet, dhënie leksionesh, si edhe nga projektet e fondacionit Soros.

Bashkëshortët Biba janë pronarë të tre apartamente, njëri prej të cilëve i dhuruar, të llogarive bankare me shuma të mëdha, automjeteve, obligacione e Bono Thesari, si edhe posedues të Fondeve të Investimit në një bankë të nivelit të dytë.

Vetingu
Pasuria e nënkryetarit të KQZ-së është përfshirë në procesin e Vetingut prej një viti, për shkak se bashkëshortja e tij është subjekt i rivlerësimit si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka hedhur shortin për vetingun e Elona Kana (Biba) në Maj të 2018-ës.

Por, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, Kana ende nuk është përballur me seancën dëgjimore të Vetingut, ndërkohë që pjesa më e madhe e subjekteve të atij shorti kanë kaluar, më së paku para KPK-së, ndërsa disa kanë përfunduar procedurat edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Boldneës.al” ka siguruar, nëpërmjet një kërkese zyrtare, deklaratat e pasurisë të Denar Bibës dhe Elona Kanës, të dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Nga të dhënat, rezulton se Denar Biba nuk i ka shpëtuar “virusit” që ka zënë gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga Vetingu, atë të dhuratave mes familjarëve dhe huave pa interes dhe pa afat shlyerjeje.

Dyshimet në deklarimet e para
Denar Biba ka deklaruar pasurinë e tij që në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, në vitin 2003.

Në deklaratën e parë ai shënon si pasuri të tijën vetëm të ardhurat 1.3 milionë lekë të reja, si edhe një hua në vlerë 2 milionë lekë. Për këtë hua, nuk deklaron as se kujt ia ka marrë, as nëse ka interes dhe afat shlyerjeje dhe as se përse e ka përdorur.

Pra, kjo ishte pasuria e Denar Bibës, në atë kohë Drejtor Drejtorie në Gjykatën e Lartë, si edhe përfitues i projekteve të Soros-it, sipas vetëdeklarimit të tij.

Por, një vit më pas, Denari dhe bashkëshortja e tij bëhen pronarë të një apartamenti me vlerë 4 milionë lekë. Në deklaratën e pasurisë nuk jepet asnjë e dhënë për burimin e blerjes së këtij apartamenti-as kredi, as kursime, as borxhe. Asgjë. Shënimi i vetëm është që Denari është bërë pronar i këtij apartamenti dhe, për pagesën e tij ka përdorur një hua në vlerë 1.5 milionë lekë.

Nuk është e qartë nëse kjo hua (1.5 milionë) lekë është e ndryshme nga ajo e para (2 milionë lekë), apo është e njëjta. Gjithësesi, si në deklaratën e pasurisë së mëparshme, edhe për këtë hua nuk jepet asnjë e dhënë se kujt ia ka marrë, nëse është me interes apo jo dhe sa është afati i shlyerjes.

Në vitin 2006, Biba blen një automjet 250 mijë lekë, ndërkohë që kursen nga të ardhurat 350 mijë lekë.

LEXO EDHE  Vinçi takohet me telat elektrikë, dy persona në gjendje kritike (FOTO)

Milionat
Në vitin 2007, Biba shet Volksvagenin për 360 mijë lekë (pra, rreth 100 mijë lekë të reja më shtrenjtë se sa e ka blerë). Me të ardhurat e fituara, si edhe disa kursime, blen një Mercedez me vlerë 430 mijë lekë.

Ndërkohë, arrin të kurseje edhe 1 milion lekë të reja, të mundësuara nga rritja e të ardhurave familjare nga pagat, të cilat në atë vit përllogariten në 2.6 milionë lekë.

Duke nisur nga viti 2007, Denar Biba dhe Elona Kana sigurojnë të ardhura të konsiderueshme nga aktivitetet e tyre profesionale (të punësuar).

Nga viti 2007 deri në vitin 2012, të ardhura e familjes Biba nga pagat variojnë në shifrat 2.3-3 milionë lekë në vit. Këto të ardhura u krijojnë bashkëshortëve mundësinë e kursimeve periodike.

Në vitin 2012, kursimet e tyre, Biba dhe Kana vendosin t’i investojnë dhe shpenzojnë. Fillimisht ata blejnë Bono Thesari në vlerën 13 mijë euro. Gjithashtu, krijojnë një depozitë bankare në vlerën 2 milion lekë të reja, si edhe blejnë një automjet Hyundai, 19 mijë euro.

Në atë vit, çifti Biba-Kana kanë siguruar nivelin më të lartë të të ardhurave vjetore-në një shifër që arrin në 4.8 milionë lekë të reja nga pagat dhe një dëmshpërblim i bashkëshortes për largim nga puna (në KKRT). Gjithashtu, kësaj shifre u shtohen edhe 13 mijë euro të tjera, të përfituara nga projektet e Soros, fondacionit “Konrad Adenauer”, të ardhura nga depozitat në shumën 1700 euro, si edhe shitja e Mercedezit, në vlerë 4 mijë euro.

Apartament dhuratë
Pikërisht, në vitin më të begatë të Denarit sa u përket të ardhurave, ai fiton edhe një apartament 134 m2 dhuratë. Sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2012, Biba deklaron se ka përfituar dhuratë apartamentin nga prindërit e tij. Pjesa takuese e Denarit është 50%. Pjesa tjetër është e motrës së tij.
Krahas pasurisë, viti 2012 ishte i mirë edhe për karrierën e Denar Bibës. Në tetor të atij viti, ai zgjidhet anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si propozim i Partisë Socialiste.

Në periudhën 2013-2016, të ardhurat e çiftit vijojnë të jenë të larta, të cilat i lejonin të shtonin llogaritë bankare, të përdornin para për Fonde Investimesh në një bankë të nivelit të dytë dhe, mbi të gjitha, të prenotonin një apartament të ri, me vlerë 83.400 mijë euro, si edhe një vend-parkimi në shumën 7 mijë euro.

Në këtë mënyrë, Denar Biba, gjithnjë sipas deklarimeve të tij, rezulton pronar i tre apartamenteve-i pari i blerë në shumën 4 milion lekë në vitin 2004, për të cilin nuk ka shënuar asnjë burim; i dyti është apartamenti i dhuruar nga prindërit në vitin 2012; dhe i treti, apartamenti i prenotuar në vitin 2015, në vlerë 83.400 euro.

Por, pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme, Denar Biba deklaron se ka marrë një hua me vlerë 5 mijë euro. Sërish, si edhe në deklaratat fillestare, ai nuk shënon se kujt ia ka marrë dhe as nëse kjo hua është me interes apo dhe kur është afati i shlyerjes.

Në vijim, në deklaratat e pasurisë për vitin 2017 dhe 2018, Denar Biba rikthehet të deklarojë edhe huanë në shumën 1.5 milionë lekë që kishte marrë në vitin 2004 për blerjen e apartamentit të parë.

Në deklaratat e pasurisë rezulton që Denar Biba, me të ardhura të konsiderueshme prej shumë vitesh, vijon të mbajë të pashlyer një hua në vlerën 1.5 milionë lekë për rreth 15 vjet.

Gjithësesi, të dhënat e sipërcituara janë siguruar nga formularët e pasurisë të plotësuar nga Denar Biba dhe bashkëshortja e tij, Elona Kana.

Këto të dhëna tashmë janë subjekt i procesit të Vetingut, të nisur për bashkëshorten e tij, ndihmëse në Gjykatën e Lartë.