Pasuria/ Nurihani e KLP, prokurorja e komunizmit, multimilionere në demokraci

Nga Boldnews.al

Anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Seiti dhe bashkëshorti i saj, kanë luftuar me “penë dhe pushkë” për të mbrojtur sistemin komunist, i cili luftonte armiqtë e brendshëm e të jashtëm dhe kundërshtonte pronën private.

Nurihani ka qenë prokurore në procese politike në periudhën e fundit të viteve ‘80. Ajo ka kërkuar dënime të rënda për persona që synonin arratisjen nga vendi. Ndërsa bashkëshorti i saj, në atë ka qenë komandant kufiri në Sopik të Gjirokastrës dhe luftonte me armë kundër atyre që donin arratisjen apo “diversantëve” që synonin rrëzimin e pushtetit popullor.

Kohët kaluan shpejt dhe Nurihani e familja e saj e kuptuan leverdinë e sistemit pluralist. Tashmë Nurihani dhe bashkëshorti i saj janë pronarë të pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave përllogaritet në mbi 200 mijë euro (mbi 250 milionë lekë të vjetra).

“Boldnews.al” ka siguruar deklaratat e pasurisë së dorëzuara nga anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimin e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Nga të dhënat e vetëdeklaruara nga Seiti, rezulton se ajo dhe bashkëshorti i saj, Hazisi janë pronarë të një apartamenti 110 m2 në Tiranë, vlera e të cilit është 166 mijë euro. Sipas shënimeve në deklaratën e pasurisë, pjesa më e madhe e shumës së këtij apartamenti është paguar nga vetë kompania ndërtuese, në formë “kleringu” për shërbimet që Hazis Seiti i ka ofruar si avokat për pesë vite, në periudhën 2012-2017.

Shuma e “kleringut” është në vlerën 123 mijë euro. Rreth 15 mijë euro i ka paguar nga të ardhurat ndër vite të tijat dhe bashkëshortes, Nurihanit. Ndërkohë që për këtë apartament ka për të shlyer edhe 28 mijë euro të tjera.

Krahas këtij apartamenti, familja Seiti ka prenotuar edhe një tjetër, i cili, së bashku me një vend-parkim shkon në vlerën e 41 mijë eurove.

Por, gjithnjë sipas vetëdeklarimit të bashkëshortit të Nurihan Seitit, “burimi i krijimit është; vlera 27 mijë euro është pagesë ‘klering’ nga puna si avokat pranë firmës ndërtuese, ndërsa vlera e parkimit, 14 mijë euro, është detyrim ndaj firmës”.

Në deklaratën e pasurisë, Hazis Seiti ka shënuar edhe pronësinë mbi një sipërfaqe toke 500 m2, në Yzberisht Tiranë, blerë në vitin 2010, në vlerën e rreth 150 mijë lekëve. Për këtë pronë, ai ka deklaruar si burim të ardhurat e tij dhe bashkëshortes ndër vite.

LEXO EDHE  Asambleja e PS/ Deputeti parashikon pasoja vdekjeprurëse: Rrëzoni bariun, ose...

Gjithashtu, në vitin 2010, familja Seiti ka blerë edhe një godinë 20 m2, me vlerë 22 mijë dollarë amerikanë, e cila kryen funksionet e zyrës.

Në deklaratat e pasurisë, anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti nuk shënon asnjë të ardhur dhe as punësimin ndër vite. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, për një periudhë të gjatë rezulton se ka ndarë jetesën e tij mes Shqipërisë dhe emigrimit në Greqi.
Këto “ece-jake” Shqipëri-Greqi duket se Hazis Seiti i ka mbyllur në vitin 2008, kohë kur ka nisur të punojë avokat.

Thuajse në të njëjtën periudhë që Nurihani nisi detyrën e saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, bashkëshorti, Hazisi nisi punën në Hipotekën qendrore Tiranë.

Po ashtu, ndoshta tërësisht rastësi, në të njëjtën periudhë nis punën në Ministrinë e Brendshme edhe vajza e çiftit Seiti, Santeliana. Ndërkohë, djali i familjes, Rei, është i punësuar në një firmë private.

Në deklaratat e pasurisë nuk janë të sqaruara në mënyrë të detajuara të ardhurat e krijuara nga familja Seiti. Për më tepër, nuk është vendosur asnjë shënim nëse Hazis Seiti ka paguar taksat dhe detyrimet e tjera, sidomos gjatë periudhës kur ka qenë emigrant në Greqi.

Për kujtesë, gjyqtarë e prokurorë të ndryshëm janë shkarkuar nga detyra, pasi nuk kanë qenë në gjendje që të provojnë me dokumenta të pakundërshtueshëm të ardhurat e tyre të ligjshme gjatë emigracionit.

Një pjesë tjetër janë shkarkuar nga detyra për faktin se bashkëshortët/et e tyre nuk kanë qenë në gjendje të depozitojnë dokumenta financiarë të huaj, madje edhe për periudhën kur ata nuk kishin krijuar familje me gjyqtarët e prokurorët.

Anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku përfshihet edhe Nurihan Seiti, nuk janë subjekte të ligjit të Vetingut. Për këtë arsye, këta anëtarë i kanë shpëtuar filtrit të imët që përdor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

E megjithëse, këta anëtar jo-prokurorë nuk kalojnë kontrollet e nevojshme, ata tashmë janë përgjegjës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si edhe për prokurorët e SPAK-ut.