Banka e Shqipërisë refuzon monitorimin e “Tirana Bank” të Samir Manes

Nga Boldnews.al

Biznesmeni Samir Mane po vështron nga larg se si dy institucione të rëndësishme financiare nuk bien dakord, nëse investimi i fundit i tij, “Tirana Bank”, duhet mbajtur ose jo nën monitorim.

Autoriteti i Konkurencës ka dyshime se “Tirana Bank”, e cila kontrollohet në pjesën absolute te aksioneve nga grupi “Balfin”, mund të cënojë rregullat e tregut, duke injektuar kredi favorizuese për kompanitë e tjera të Samir Manes.

Për këto dyshime, Konkurenca kërkon nga Banka e Shqipërisë që të kryejë monitorimin periodik të “Tirana Bank”. Por, kjo kërkesë e Autoritetit të Konkurencës nuk mirëpritet nga Guvernatori Gent Sejko dhe bordi drejtues i Bankës së Shqipërisë.

Pas një komunikimi të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, Autoriteti i Konkurencës, me vendimin e datës 19 Prill 2019 ka rrëzuar përfundimisht pretendimet e Bankës së Shqipërisë, e cila argumenton se ajo nuk ka kompetencë për të monitoruar aktivitetet tregtare që operojnë jashtë tregut bankar.

Debati tekniko-ligjor mes dy institucioneve duket se favorizon biznesmenin Samir Mane, i cili vijon i pashqetësuar aktivitetin e tij bankar dhe tregtar.

Konkurenca e cënuar
Në Gusht të vitit 2018, “Tirana Bank” njoftoi marrëveshjen-në parim, për shitjen e aksioneve të saj drejt grupit të biznesit Balfin (joint-venture me Komercalnija Bank, Maqedoni).

Në janar 2019, Autoriteti i Konkurencës miratoi shitjen, duke vendosur detyrimin e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën monitorim “Tirana Bank”, me dyshimin se ajo mund të shfrytëzojë likuiditetet e saj për të ndihmuar kompanitë e tjera të grupit “Balfin” në dëm të konkurentëve të tyre në treg.

Pas vendimit të Autoritetit të Konkurencës, kalimi i ‘Tirana Bank” nga “Banka e Pireut” tek “Grupi Balfin” u bë efektive në 6 Shkurt 2019, me miratimin përfundimtar nga ana e Bankës së Shqipërisë.

LEXO EDHE  “Ndarja nga Shqipëria për negociatat”/ Rama kapet me Presidentin maqedonas: Çudi!

Por, prej këtij momenti, Autoriteti i Konkurencës dhe Banka e Shqipërisë janë përfshirë në një “ping-pong”, i cili më shumë se procedurial, duke se kamuflon interesa të tjera.

Në fillim të prillit 2019, Banka e Shqipërisë njofton Autoritetin e Konkurencës lidhur me rastin “Tirana Bank” se, “ajo nuk mund të mbikëqyrë dhe të marrë masa për shoqëri tregtare që nuk ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare”.

Për këto arsye, Banka e Shqipërisë sugjeroi që brenda kompetencave që njeh ligji, të rishikohet dhe tërhiqet rekomandimi i lënë për Bankën e Shqipërisë, në lidhje me mënyrën e mbikëqyrjes së marrëdhënies së Bankës Tirana me personat e lidhur (pra, për kompanitë e tjera të Samir Mane dhe “Balfin Grup”).

Autoriteti i Konkurencës shqyrtoi kërkesën e Bankës së Shqipërisë. Në analizën e saj, ky institucion konstaton se “nuk gjen as edhe një shkak ligjor që të revokojë ose të ndryshojë vendimin e tij.

Sipas Autoritetit i Konkurencës, “është e pa argumentuar dhe nuk qëndron ligjërisht, kërkesa e bërë nga Banka e Shqipërisë”.

Për këto arsye, me vendimin nr. 613, datë 19.04.2019, Autoriteti i Konkurencës rikonfirmon qëndrimin e tij, sipas të cilit: “Të gjitha shoqëritë tregtare të kontrolluara nga “Balfin shpk”, që zotërojnë pozitë dominuese ose që do të marrin në të ardhmen këtë pozitë, duhet të monitorohen dhe të trajtohen si aktivitete të lidhura me sistemin bankar, pavarësisht objektit të veprimtarisë së tyre”.