KPK shkarkon kreun e Gjykatës së Tropojës

Dritan Seci, kryetari i Gjykatës së Tropojës është shkarkuar sot nga detyra.

Burimet e para bëjnë me dije se pas hetimit dhe analizimit të dosjes së kreut të kësaj Gjykate, trupi gjykues ka venodsur shkarkimin e tij për parregullsi.

Procesi i vetingut për Secin u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici.

PASURIA
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Dritan Seci nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2004, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij vetjake pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 20.1 milionë lekëve me një rritje mesatare vjetore prej 1.4 milionë lekësh. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve me 13.7 milionë lekë. Referuar deklaratave të pasurisë, gjyqtari Seci zotëron një apartament dhe një lokal shërbimesh në Bajram Curri si dhe një apartament në Tiranë.

Ai deklaron gjithashtu në total 5.9 milionë lekë likujditete bankare dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.

LEXO EDHE  VIDEO/ Arrestohet i dënuari me mbi 7 vjet burg, akuzohet për…

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 33.6 milionë lekë. Rreth 53% e të ardhurave kanë si burim aktivitetin e bashkëshortes si farmaciste, ndërsa paga nga funksioni i gjyqtarit zë 46.8% në buxhetin e familjes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik rezulton se 14 deklaratat e analizuara janë pa diferenca negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Megjithatë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mosdeklarimin e të ardhurave nga pagat në vitin 2010; ndërkohë që kreu i Gjykatës së Tropojës ka deklaruar kursime familjare në vlerën e 2 milionë lekëve në të njëjtin vit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.