Arta Marku, hetim penal për Bujar Sheshin. Kryeprokurorja nuk pranon asnjë përgjegjësi

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, njofton zyrtarisht se ka nisur hetim për fallsifikim dokumentash për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, lidhur me formularin e vetëdeklarimit, në bazë të të cilit deklaronte se nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Por, në të njëjtin njoftim, Prokuroria e Përgjithshme nuk merr asnjë përgjegjësi mbi veten për dështimin në verifikimin e kritereve të tij, përfshirë edhe atë për bashkëpunimin me ish-shërbimin sekret të diktaturës.

Në bazë të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar nga Arta Marku, ka për detyrë që të verifikojë kushtet dhe kriteret e kandidatëve prokurorë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por, siç rezulton nga dokumentat zyrtarë, Kryeprokurorja e Përkohshme nuk ka kryer verifikimet e plota, pasi Bujar Sheshi rezulton ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, sipas vendimit nr.12, dt. 22.01.2019 të Autoritetit të Dosjeve.

E, megjithatë, Arta Marku ka zgjedhur që të urdhërojë hetime për Bujar Sheshin, për shkak se nuk ka treguar të dhëna të sakta në formularin përkatës. Ndërkohë, as Arta Marku dhe as bashkëpunëtorët e saj duket se nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar.

Më poshtë është njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:

Duke marrë shkas nga rasti i bërë publik para disa ditësh, për anëtarin e KLP-së, prokurorin Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i bën me dije opinionit publik se:

Me marrjen dijeni prej KPK-së, për moskalimin me sukses të procesit të Rivlerësimit të disa prokurorëve, kandidatë për KLP nga radhët e prokurorive të apeleve, me qëllim plotësimin e vendit vakant në KLP, me datë 24. 09. 2018, Prokurori i Përgjithshëm shpalli thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit.

Pas thirrjes së parë, duke mos pasur asnjë kërkesë për kandidim, më datë 12. 10. 2018 u shpall thirrja e dytë, pas së cilës, më datë 25. 10. 2018 ka shprehur interesin prokurori Bujar Sheshi, duke dorëzuar deklaratën për shprehjen e interesit dhe dokumentet bashkëlidhur.

Pjesë e dokumenteve të dorëzuara prej kandidatit Bujar Sheshi, ishte deklarata e tij individuale, e nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, si detyrim ligjor i nenit 108, pika 3, shkronja “d” e ligjit nr. 115/2016, sipas të cilës, nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit deri më datë 02 Korrik 1991 si dhe Formulari përkatës i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).

Me shkresën nr. 2873, datë 26. 10. 2018, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar AIDSSH, për të verifikuar kandidaturën e prokurorit Bujar Sheshi, në ushtrim të funksioneve të tij, në zbatim të nenit 29, pika 1 të Ligjit nr. 45/ 2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Një verifikim i tillë, është kryer edhe për të gjithë kandidatët e tjerë dhe personave të ngritur në detyrë, me shkresën numër 933/ 1, datë 29. 03. 2018, shumë kohë pasi atyre u është verifikuar dhe konstatuar plotësimi i kushteve ligjore për të qenë kandidat për anëtar të KLP-së prej Komisionit të ngritur për këtë qëllim nga Prokurori i Përgjithshëm paraardhës, me Urdhrin nr. 18, datë 17. 01. 2017.

LEXO EDHE  "Faleminderit Shqipëri" / Conte reagon pas mbërritjes së 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë

Sipas këtij urdhri, i ngritur në bazë të nenit 109, pika 1, të ligjit nr. 115/ 2016, “Për organet e qeverisjes vendore”, komisioni ka për detyrë verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët prokurorë që kanë shprehur interes për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky komision, mbi bazën e rezultateve të nxjerra për çdo kandidat, brenda afateve ligjore, harton listën me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret.

Ky verifikim, përveçse është kryer në ushtrim të veprimtarisë dhe funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm, është kryer edhe duke marrë shkas nga shkresa e AISSH nr. 225, datë 15. 03. 2018 sipas së cilës verifikimi ishte i detyrueshëm dhe ishte kryer për çdo kandidat për KLP dhe KLGJ duke përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, avokatisë apo pedagogëve. Përgjigja në këtë rast ka ardhur për të gjithë emrat e kërkuar, sipas Vendimit të AISSH nr. 332/ 3 prot., datë 02. 05. 2018.

Në rastin e kandidatit për KLP, prokurorit Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Komisionit verifikimin e të gjitha kushteve ligjore parashikuar në nenin 108 të Ligjit nr. 115/2016, dhe, njëkohësisht i ka dërguar për verifikim AISSH,  formularin përkatës të plotësuar dhe nënshkruar prej kandidatit në respektim të nenit 29 të Ligjit 45/ 2015.

Pasi është njohur me Relacionin e Burimeve Njerëzore datë 01. 11. 2018, sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së.

Përgjigja e ardhur nga AISSH me shkresën nr. 1030/ 6, datë 23. 01. 2019, i është njoftuar KLP-së me shkresën nr. 2873/ 3, datë 25. 01. 2019 dhe Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pranë Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr. 2873/ 2, datë 25. 01. 2019.

Vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me Vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here