Qeni antidrogë zbulon kanabis në një makinë në Muriqan, arrestohet serbi

Një sasi droge, ende e pakonfirmuar pesha, është bllokuar sot nga Policia Shqiptare në bashkëpunim me atë të Malit të Zi në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Në pranga ka përfunduar drejtuesi i mjetit M.Sh., 55 vjeç, i cili posedonte një pasaportë serbe.

Gjatë kontrollit, qeni antidrogë i policisë shqiptare dha sinjal për drogën e fshehur në pjesën e pasme të makinës. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave, që dyshohen si të përfshirë në trafikimin e drogës.

“Policia Kufitare e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi, godasin një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në pranga një 55-vjeçar. Në PKK e përbashkët Muriqan – Sukobinë, u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, në dalje të Shqipërisë një mjet që drejtohej nga shtetasi M.Sh., 55 vjeç, me pasaportë Serbe.

Gjatë kontrollit të përbashkët u përdor edhe qeni antidrogë i Policisë shqiptare, i cili dha sinjalin për prani të lëndës narkotike tek pjesa e pasme e automjetit. Gjatë kontrollit të përbashkët fizik të dy policive në automjet u konstatua një sasi lënde narkotike, e dyshuar kanabis. Në bazë të marrëveshjes së përbashkët, veprimet e mëtejshme procedurale po i kryen Policia e Malit të Zi.

Specialistët e Antidrogës të DVP Shkodër po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rastit, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjetër që janë të përfshirë në këtë tentativë trafiku”, njofton policia.

LEXO EDHE  Furtunë te Kukësi pas eliminimit nga Europa/ Gjici shkarkon Ernest Gjokën