“Rilindja” del hapur/ Reforma në Drejtësi, mjet për të goditur kundërshtarët

Nga Boldnews.al

“Shefat” e Rilindjes nuk fshihen më-tashmë po e pranojnë edhe hapur se Reformën në Drejtësi e hartuan për t’u hakmarrë politikisht ndaj kujtdo që u del përpara. Këtë kanë dëshmuar dje dy drejtuesit e lartë të maxhorancës, në sulmet e tyre ndaj ish-aleatit, sot armik, Ilir Meta.

Në sinkron me njëri-tjetrin, si krye-rilindasi, Edi Rama, ashtu edhe pasuesi i tij, Taulant Balla, iu hakërryen presidentit me “Reformën në Drejtësi”, pas debatit që ka nisur si pasojë e refuzimit të nga ana e Metës të emrit të Gent Cakaj, të propozuar nga Rama për postin e Ministrit të Jashtëm.

I pari ishte kreu i qeverisë, Rama, i cili, në një nga “cicërimat” e paradites së të Shtunës, u shpreh, ndër të tjera: “…Gjykata e re Kushtetuese do i japë fund kësaj maskarade..”, duke iu referuar faktit se ngërçi President-Kryeministër për çështjen e emërimit/refuzimit të ministrave duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

Por, ky “mesazh” i Ramës lidhet edhe me faktin që Gjykata Kushtetuese është institucioni që vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës, në rast se konstatohet shkelja e Kushtetutës. Dhe, Rama, më shumë se njëherë, e ka shprehur kohët e fundit se Meta ka shkelur Kushtetutën. Ndaj, “me Gjykatën e re Kushtetuese”, natyrisht, Rama i referohet edhe mundësisë së nisjes së procedurave për shkarkimin e kreut të Shtetit, pasi të zgjidhen anëtarët e gjykatës që shërben si “guardian” i ligjit themeltar.

Nëpërmjet mesazhit kërcënues për Metën, Rama duket i bindur se “Gjykata e re Kushtetuese” do i japë atij të drejtë. Kjo bindje, Ramës mund t’i burojë ose nga njohuritë e thella që ka ai për Kushtetutën, ose për faktin që “gjyqtarët e rinj” kushtetues do të jenë pjesë e gardhit të tij politik.

Biografia profesionale e kryeministrit- një ish-piktor- nuk jep asnjë garanci se ai e njeh dhe arrin të interpretojë Kushtetutën. Pra, bindja e tij duket se rrjedh nga fakti që “Gjykata e re Kushtetuese që do i japë fund maskaradës” së Metës do të jetë e gjitha nën kontrollin e tij.

Pas Ramës, një mesazh kërcënues që lidhet me Reformën në Drejtësi lëshoi kundër Metës edhe Taulant Balla, numri dy i “Rilindjes”. Edhe ky, në një postim në rrjetin social të paradites së të Shtunës, shprehet ndër të tjera: “…Ne s’jemi as PD, as LSI dhe s’kemi ndërmend të humbasim kohë me konflikte të kota me ju. Sepse ju s’keni asnjë shans dhe s’do keni asnjë mundësi të pengoni as punën tonë dhe as Reformën në Drejtësi, që e di Shqipëria dhe bota se “sa shumë” e dëshironi të realizohet”.

Pra, për Ballën, debate Kryeministër-President vjen si shkak i Reformës në Drejtësi. Në pamje të parë, e gjithë çështja e refuzimit të emrit të Gent Cakaj për Ministër të Jashtëm, nuk ka asnjë lidhje me zbatimin e Reformës në Drejtësi. Por, Balla, i cili edhe vetë nuk është aq “qelibar” sa u përket dyshimeve mbi veprimtari penale, e kanalizon debatin Rama-Meta tek Reforma në Drejtësi.

Madje, me këtë “reformë madhore”, Balla duket qartë që e kërcënon Metën, kur i kujton faktin se ai ka qenë një ndër kundërshtarët e saj dhe…”këtë e dinë edhe ndërkombëtarët”. Për të sjellë në vëmendje faktet, të cilat u referohet Balla, duhet të rikthehemi në vitin 2016, kohë kur politika shqiptare u përfshi në debatin e ashpër për hartimin e Reformës në Drejtësi.

Në atë kohë, “Rilindja”, megjithëse ishte në koalicionin qeverisës me LSI-në e drejtuar nga Ilir Meta, nëpërmjet mekanizmave të saj propagandistikë shpërndante tezën që Ilir Meta dhe LSI-ja janë kundër Reformës në Drejtësi, pasi, me zbatimin e kuadrit të ri ligjor, krerët dhe zyrtarët e lartë të asaj force politike do të përballen me pasojat e rënda penale.

Kjo tezë, pra arrestimi i Metës, duket se mbështetej edhe nga disa ndërkombëtarë që ishin në Tiranë në kohën e hartimit të Reformës në Drejtësi. Njëri prej këtyre, të cilit me shumë mundësi i referohet edhe Balla në komentin e tij, është Donald Lu. Ky i fundit ka kërkuar hapur arrestimin e Metës dhe ky fakt u pohua nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një letër që i kishte dërguar Kongresit Amerikan, në vitin 2017.

Ndaj sot, kur Ilir Meta ka vendosur të acarojë politikisht “Rilindjen”, drejtuesit e maxhorancës e kërcënojnë me Reformën në Drejtësi, atë “reformë”, të cilën e propoganduan për të mirën e qytetarëve, por që e kanë kontrolluar dhe po e kontrollojnë në çdo qelizë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here