Deklarata e fortë e ish-presidentit: Modeli ‘Rama’ duhet rrëzuar me çdo kusht e çdo çmim

Përmes një postimi në Facebook, ish presidenti Bujar Nishani ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë. Nishani thotë se kryeminsitri Edi Rama nuk u ka paraqitur asgjë diplomatëve të huaj, ndërsa ata kanë mbetur të pataksur e të shokuar nga fjalori dhe tollovia e retorikës pa lidhje e pa asnjë kod diplomatik të kryeministrit.

“Të caktosh në këtë post shumë të rëndësishëm por ca më shumë delikat, një djalosh pa asnjë formim diplomatik, pa asnjë eksperiencë drejtuese dhe negociuse, me paraqitje konfuze dhe problematike për çështje kardinale ndërkombëtare ku është i fokusuar kryesisht interesi shqiptar, tregon plotësisht këtë paaftësi, papërgjegjshmëri e ndoshta ca më shumë se to, të Kryeministrit të Shqipërisë”- shkruan Nishani ndër të tjera duke iu referuar propozimit të kryeministrit për të vendosur në krye të ministrisë së jashtme Gent Cakajn.

Postimi i plote i Bujar Nishanit:

Përpara dy ditësh Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takimin vjetor me Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë. Takimi vjetor i Presidentit të Republikës dhe ai i Kryeministrit me Trupin Diplomatik nuk është thjesht e vetëm një traditë ndërkombëtare apo event protokollar në marrdhëniet diplomatike, por në rastin e kryetarit të qeverisë një paraqitje për ridimensionimin dhe deklarimin e dinamikës së marrdhënieve ndërkombëtare dhe të afishimit të objektivave vjetor të Qeverisë dhe vendit në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Asgjë nga këto nuk dëgjuan nga kryeministri shqiptar, ambasadorët e huaj.

Ata kanë mbetur të pataksur e të shokuar, besoj unë, nga fjalori dhe tollovia e retorikës pa lidhje, pa logjikë politike e pa asnjë kod diplomatik të këtij kryeministri. Asnjë arritje të vitit të shkuar nuk pati Kryeministri që tu paraqiste përfaqësuesve të vendeve partnere.
Nuk kishte asgjë për tu treguar për ekonominë, për rendin dhe sigurinë, për institucionet dhe demokracinë, për luftën ndaj krimit, për tregëtinë dhe zhvillimin.

Të gjitha kishin qenë një dështim.
Por asgjë, as për angazhimet, kontributet dhe gadishmërinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s. Asgjë për proçesin e Integrimit Evropian e veçanërisht se si do të vijonte angazhimi dhe rrugëtimi në lidhje me përmbushjen e prioriteteve kyçe të vendosura nga Këshilli Evropian për qeverinë e tij deri qershorin e ardhshëm.

Asgjë për bashkëpunimin tregëtar midis Shqipërisë dhe vendeve që përfaqësonin diplomatët e huaj në atë sallë. I vetmi artikulim i Kryeministrit Shqiptar për situatën dhe kontributin rajonal ishte adresimi për tarifat e vendosura nga Kosova ndaj Serbisë !!!!!
Qesharake pa fund !

Ç’punë ka Kryeministri i Shqipërisë me tarifat e Kosovës ndaj Serbisë. Ka tre muaj që sa herë ky kryeministër del e flet për marrdhëniet rajonale, merret me shpjegimin e vendosjes së tarifave të Kosovës ndaj Serbisë. A thua se Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës e kanë pajtuar për zëdhënës shtypi Kryeministrin e Shqipërisë. Se çfarë halli e ka zënë Kryeministrin e Shqipërisë me tarifat e Kosovës ndaj Serbisë veç ai e di !

Ambasadorët dhe diplomatët e huaj duhet të na ndjèjnë për adresimet qesharake që Kryeministri ynë ju bëri nominalisht disave prej tyre. Jashtë çdo norme protokollare, çdo etike diplomatike dhe çdo serioziteti institucional. Ata duhet të jenë të sigurt se ajo sjellje e këtij kryeministri nuk është as kodi zakonor i shqiptarëve, as kulura shoqërore e këtij populli dhe as standardi i dinjitetit të shtetit të tyre.

Paaftësia dhe papërgjegjshmëria në lidhje me politikën e jashtëme të Kryeministrit të Shqipërisë nuk është as ndonjë sekret e as ndonjë surprizë. Ajo u demonstrua edhe njëherë me tërë dimensionin real të saj në rastin e caktimit të Ministrit të ri të Punëve të Jashtëme.

Të caktosh në këtë post shumë të rëndësishëm por ca më shumë delikat, një djalosh pa asnjë formim diplomatik, pa asnjë eksperiencë drejtuese dhe negociuse, me paraqitje konfuze dhe problematike për çështje kardinale ndërkombëtare ku është i fokusuar kryesisht interesi shqiptar, tregon plotësisht këtë paaftësi, papërgjegjëshmëri e ndoshta ca më shumë se to, të Kryeministrit të Shqipërisë.

Sot është evidente se pothuajse 80% e opinionit publik mbështesin qëndrimin e Presidentit të Republikës për mos dekretimin e Ministrit të ri të Jashtëm. Por, po aq e vërtetë është se në tërësi ky opinion nuk ka gjeneruar prej ndjeshmërisë së garancive apo mosgarancive kushtetuese të proceseve institucionale.

Kjo për një fakt fare të thjeshtë.
Sepse ndjeshmëria qytetare e garancive kushtetuese është asgjesuar e zhbërë me kohë prej atij vetë, Kryeministrit të Shqipërisë.

Ai e asgjesoi dhe e zhbëri Kushtetutën e vendit, ndjeshmërinë e qytetarëve për të, kur kufizoi kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i FA, jo duke ndryshuar Kushtetutën por me një ligj të thjeshtë.

Ai i asgjesoi garancitë kushtetuese me ligjin famëkeq të ndarjes territorjale duke injoruar atë që e thotë edhe sot e kësaj dite kjo Kushtetutë për organizimin territorjal, me një ligj partiak dhe elektoral për veten e tij.

Ai i asgjesoi garancitë kushtetuese me ligjin anti-Arsimit të Lartë duke shkelur përcaktimin fondamental të Kushtetutës mbi të drejtën për arsim.

Ai e grisi fare Kushtetutën duke zgjedhur me dhunën e shtetit Prokuroren e Përgjithëshme në shkelje flagrante të çdo neni, rrjeshti e gërme të saj për Prokurorinë.

Ai asgjesoi çdo garanci kushtetuese duke lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese e pa Gjykatë të Lartë, kushedi për sa kohë, vetëm e vetëm që të prodhonte proçedura të deformuara e të kapte sistemin e drejtësisë për interesa personale të tij.

Ai asgjesoi garancitë kushtetuese të këtij vendi duke prodhuar ligjin special individual për grabitjen e pronës publike tek Teatri, për interesa qartazi korruptive. Njeriu që sot përgjërohet për kolonën kushtetuese të shtetit, jo vetëm e ka shembur prej kohësh këtë kolonë që mban çatinë e shtetit por i ka rrjepur edhe çdo tjegull asaj çatie.
Ky është modeli që sot promovon paaftësinë , që ka marrë peng seriozitetin e shtetit, që ka asgjesuar ndjeshmërinë e garancive kushtetuese tek opinioni, që ka rrënuar tërë shtetin.
Ky model duhet rrëzuar me çdo kusht e me çdo çmim.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here