Skandalet e protestat/ Edi Rama nuk arrin t’i “shuaj” me lodrën Gent Cakaj

Nga Boldnews.al

Kryeministri Edi Rama kishte shumë alternativa për të zëvendësuar Ministrin e Jashtëm në detyrë, Ditmir Bushati. Por ai zgjedhur një riosh, të panjohur e pa përvojë politike e diplomatike. me qëllimin e qartë për ta shndërruar emrin “Gent Cakaj” në një temë debati dite, me shpresën që opinioni të harrojë skandalet korruptive dhe protestat që po trondisin qeverinë e Edi Ramës.

Prej disa ditësh, Rama është përfshirë në një debat thuajse shterpë me Presidentin Ilir Meta, mbi faktin nëse duhet dekretuar apo jo Gent Cakaj në postin e Ministrit të Jashtëm. Debati ndërmjet krerëve të shtetit është tërësisht i panevojshëm për qytetarët-është apo nuk është Gent Cakaj Ministër i Jashtëm, kjo pak rëndësi ka për qytetarët.

Por ky debat i sajuar ka rëndësi për Kryeministrin. Ai është duke synuar që të gjejë rrugëdalje, pa kosto politike, me protestën e studentëve. Rama shpreson që, nëpërmjet debatit me Metën, të zhvendosë vëmendjen nga protesta disa-javore e rinisë universitare. Por, nuk ia ka dalë.

Studentët vijojnë protestën e tyre, duke bllokuar auditoret, në pritje të përmbushjes së kërkesave të tyre minimale nga ana e qeverisë. Studentët nuk kanë shprehur as interesin më të vogël se kush do të jetë Ministër i Jashtëm. Ndaj, Edi Rama, e ka të kotë me ngritjen e tymnajës “Gent Cakaj”.

Protesta e banorëve të Unazës së Re, gjithashtu nuk ka pasur asnjë luhatje nga tentativa e Edi Ramës për të bërë “zhurmë mediatike” me ndryshimet qeveritare. Banorët, shtëpitë e të cilëve rrezikojnë shkatërrimin, nuk u bie aspak ndërmend se do të zëvendësohet Bushati apo edhe Damian Gjiknuri, institucioni i të cilit është ideatori i planit korruptiv të Unazës së Re.

Qindra banorë janë çdo ditë në protestë dhe Edi Rama nuk ka arritur t’u shuajë nervin e revoltës duke hedhur në tregun politik “lodrën” Gent Cakaj.

Ndryshimet në qeveri dhe, sidomos debati me Presidentin, nuk e ka ndihmuar aspak Edi Ramën që të zbusë kritikat dhe dyshimet për një aferë të pastër korruptive me tenderin e Unazës së Re. Kryeministri ka arritur të zhdukë nga pjesa më e madhe e medias klienteliste raportimet mbi tenderin skandaloz, por nuk ka arritur të shuajë kronikat e “Zërit të Amerikës”. Dhe, ky është një sinjal i qartë, të cilin Rama e kupton shumë mirë.

Debati mbi emrin e rioshit Gent Cakaj, natyrisht, nuk zgjidh problemet e dhjetra mijëra banorëve, në Veri e në Jug, të cilët, në këto ditë të ftohta po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit shtetëror. Dhjetra fshatra e zona të tjera të banuara janë të bllokuara prej ditësh, pasi institucionet shtetërore, si përherë, gjenden të papërgatitura për motin e ftohtë e me borë.

Mijëra banorë vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe dhjetra mijëra të tjerë, sidomos në qendrat kryesore urbane, kanë ndërprerje të shpeshta, pavarësisht se OSHEE raporton periodikisht se ka shpenzuar qindra milionë euro për sistemin e rrjetit energjitik.

Dhjetra mijëra persona që drejtojnë biznese të vogla, por edhe qytetarët që posedojnë një shtëpi po ndjejnë në këtë fillim viti efektin e rritjes së taksave. Edhe këtyre, as nuk u shkon në mendje që të ndjekin lojën e Edi Ramës me “lodrën” e Baton Haxhiut, Gent Cakaj.
Për këto arsye, e për shumë të tjera, zyra e propagandës qeveritare duhet të impenjohet më shumë për të sajuar një “kazus belli”, me të cilën të tërheqi vëmendjen e publikut. Kjo e Gent Cakaj rezultoi bllof. Por, me aq shumë probleme korrupsioni e skandalesh që po përballet kjo qeveri, do të jetë e vështirë që të gjejë diçka për të orientuar shqisat e opinionit drejt saj. I vetmi zhvillim, i cili realisht do të ndikojë tek qytetarët, është dorëzimi i plotë i kësaj qeverie.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here