Detajet teknike/ Ja pse DSIK nuk ka kryer verifikime për Gent Cakaj

Nga Boldnews.al

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi në fundjavë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), nisur nga fakti i dyshimtë që ky institucion ka kryer vetëm për një ditë verifikimet mbi Gent Cakaj, emrin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për t’u emëruar në postin e Ministrit të Jashtëm.

Kërkesa e Metës u mbështet menjëherë nga partitë opozitare, të cilat, duke qenë se më parë kanë qenë në pushtet, e kuptojnë qartësisht se verifikimi i DSIK është, në rastin më të mirë formal, ndërsa në rastin më të keq, fiktiv.

DSIK, duke u nisur nga fakti se kryen një veprimtari operative dhe jashtë vëmendjes së publikut, në vlerësimin e qytetarëve të interesuar, mund të konsiderohet si një strukturë sekrete, nga ato që mbledh e përpunon të dhëna të rëndësishme shtetërore ose për individët. Në fakt, DSIK është një institucion në varësi të Kryeministrit dhe vetëm mbledh e përpunon të dhëna të institucioneve të tjera, si Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Shërbimi për Çështjet e Brendshme e Ankesave (SHÇBA), Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU), të cilat, shpesh rezultojnë vetëm “thashetheme”.

Në procesin e mbledhjes së të dhënave, DSIK funksionon si çdo organ tjetër i administratiës publike. Zyrtarët e tij u drejtojnë kërkesa institucioneve që zotërojnë informacionet dhe, pasi i marrin të gjithë të dhënat, hartojnë raportet për pajisjen ose jo të individëve të ndryshëm me çertifikata sigurie.

Pra, procesi është administrativ dhe, si në çdo rast, kryhet me anën e komunikimit shkresor. Në rastin e kandidatit për Ministër të Jashtëm, Gent Cakaj, verifikimi i kryer nga DSIK rezulton të jetë kryer për 24 orë (në datën 3 janar është dorëzuar aplikimi, në datën 4 janar 2018 është kryer verifikimi dhe është dhënë çertifikata e sigurisë). Ky afat minimal kohor krijon dyshimet e forta se verifikimi i kryer nga DSIK është thjeshtë ‘formal”.

Çdokush që kërkon të pajiset me çertifikatë sigurie, më së pari, plotëson një formular aplikimi rreth 20 faqe, në të cilin shënohen të dhënat personale, vendbanimet në kohë të ndryshme, arsimimi punësimet, jetesa jashtë vendit, pjesëmarrja në organizma të huaj, etj.

Gjithashtu, të njëjtat të dhëna të detajuara kërkohen edhe për familjarët e afërt të aplikantit, ku përfshihen bashkëshortja e fëmijët madhorë. Këto të dhëna, pasi administrohen në zyrat e DSIK-së, përpunohen në format shkresor dhe u drejtohen kërkesa disa institicioneve të sigurisë, ku, krahas SHISH, SHÇBA e SHIU, përfshihen edhe Policia e Shtetit dhe Prokuroria.

Këto institucione, pasi marrin kërkesat e DSIK kryejnë verifikimet e tyre administrative në të gjithë degët/strukturat në varësi të tyre. Kështu, Prokuroria e Përgjithshme u dërgon shkresë të gjithë prokurorive të rretheve gjyqësore, për të konstatuar nëse aplikanti është në proces hetimi apo në shqyrtim gjyqësor.

SHISH kryen të të njëjtin verifikim shkresor në degët e saj në rrethe. E, njëlloj, të gjithë institucionet e tjerë të përfshirë. Ky proces administrativ, hartim shkresash/kthim përgjigjesh, në rastin më të mirë kërkon 15 ditë kohë. Pra, në kushte optimale, të gjitha institucionet e përfshirë në verifikimin e një individi, i kthejnë përgjigje DSIK-së brenda 2 javëve pune.

Por, në rastin e të propozuarit për Ministër të Jashtëm, DSIK-së i është nevojitur vetëm 24 orë. Për më tepër, për emrin Gent Cakaj, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar deklaron se ka marrë të dhëna edhe nga shteti Kosovar, duke qenë se aplikanti ka shtetësinë kosovare, krahas asaj shqiptare.

Është thuajse e pamundur që DSIK të ketë hartuar shkresën për autoritetet kosovare, t’ua ketë dërguar dhe ato të fundit të kenë kryer verifikimet e të kenë kthyer përgjigje brenda 24 orëve. Duke marrë në konsideratë që komunikimi, në çdo rast është shkresor, duket thuajse e pamundur që kërkesa e DSIK të ketë mbërritur në Kosovë brenda 24 orëve. E, për më tepër, të jetë kryer verifikimi e të jetë kthyer përgjigja.

Ekziston një mënyrë komunikimi i shpejtë, por që nuk është as ligjor dhe as i praktikueshëm- ai që realizohet nëpërmjet internetit (e-mail). Ky lloj komunikimi nuk konsiderohet zyrtar dhe, edhe nëse të gjithë institucionet e përfshira në verifikimin e figurës së Gent Cakaj do të kenë vepruar në këtë mënyrë, sërish ai nuk do të konsiderohet zyrtar.

Pra, ngado që të rrotullohet procedura e ndjekur nga DSIK për verifikimin e figurës së Gent Cakaj, rezulton qartësisht që ajo nuk është kryer në përputhje me ligjin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here