Në Shqipëri, është duke qarkulluar virusi AH1N1

Rastet e para me grip në vendin tonë janë izoluar tashmë. Ditët e para dhe shumë të ftohta të janarit kanë sjellë me vete edhe virusin e gripit. Deri më tani, Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik ka konfirmuar se, aktualisht në vendin tonë është duke qarkulluar virusi AH1N1.

“Po, ka filluar sezoni i gripit. Pra edhe numri i rasteve me viroza respiratore është rritur. Nuk kemi një numër tepër të lartë të rasteve, por jemi në sezonin e gripit. Ne kemi izoluar raste me grip, të cilët i përkasin virusit AH1N1, ish-virusi pandemik, i cili tashmë është kthyer në një virus sezonal”, tha Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, në ISHP.

Virusi AH1N1 shfaq simptoma të njëjta me viruset e tjera, si dhimbje koke, dhimbje muskulare të forta, kollë të thatë, etj.. Ekspertët e ISHP-së janë duke shqyrtuar format e shfaqjes së këtij virusi në popullatë, pasi me kalimin e kohës, viruset pësojnë mutacione dhe japin komplikacione te njerëzit.

LEXO EDHE  VIDEO/ Çfarë po ndodh në selinë e PS, pas kryesisë Rama dhe Balla nisin takimet me…

“Viruset e gripit janë shumë hileqarë dhe pësojnë mutacione të ndryshme, ndaj është shumë e rëndësishme që të kryhet vaksinimi ndaj gripit. Ky vaksinim kryhet në çdo kohë, gjatë të gjithë periudhës së gripit dhe krijon imunitetin e duhur, apo bën që personi, edhe nëqoftëse infektohet nga gripi, të mos kalojë forma të rënda të tij”, tha më tej Silva Bino.

Personat që kanë sëmundje kronike – si diabet, probleme pulmonare, apo janë obezë, – janë të prirur të shfaqin komplikacione nëse preken nga virusi i gripit. Ndaj, sipas ekspertëve, ata duhet të rendin të bëjnë vaksinën e gripit.

Aktualisht janë vetëm 4 raste të konfirmuara në Laboratorin e ISHP-së, ndërkohë që mund të ketë raste të tjera, të cilat trajtohen në shtëpi dhe nuk janë paraqitur te mjeku.

/Top Channel/