“Lodra” Gent Cakaj, propozimi për ministër, qesharak, refuzimi edhe më qesharak

Nga Boldnews.al

Gent Cakaj, djaloshi 28-vjeçar, është shndërruar në “lodrën” më të re në duart e drejtuesve më të lartë shtetërorë, Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë vendosi të hedhë në tregun politik shqiptar Gent Cakajn, duke e propozuar në fund të Dhjetorit 2018 për të marrë postin e Ministrit të Jashtëm. Emri i djaloshit kosovar, i cili vetëm pak muaj më parë ka marrë nënshtetësisë shqiptare, i shëbeu Ramës si një shashkë e suksesshmë për të shuar zhurmën e largimit të super-ministrave të tij, me të cilët kishte bashkëpunuar gjatë 5 viteve qeverisjeje.

Prej ditësh, diskutimet dhe komentet mbi ndryshimet qeveritare janë fokusuar vetëm tek Cakaj, një politikan i ri, anonim, por produkt i “shkollës së Baton Haxhiut”, krye-këshilltarit të Ramës dhe njeriut që mbështet më së forti tezën e “shkëmbimit të territoreve” ndërmjet Kosovës e Serbisë. Edhe pinjolli i tij, Gent Cakaj, duket se mbështet këtë tezë, e cila kundërshtohet nga Bashkimi Europian dhe Uashingtoni zyrtar.

Cakaj, një i ri pa përvojë në jetën politike e diplomatike, i shërbeu Ramës për ta zhdramatizuar situatën që mund të agravohej në ambjentin publik, pas ndryshimit të pjesës më të madhe të qeverisë. Kryeministri vendosi të hedhë në arenën politike një kandidaturë “qesharake” dhe problematike, me të cilën të merreshin analistët e komentatorët politikë.

Por, krahas propozimit “qesharak” të Ramës, mesditën e së Enjtes u publikua edhe dekreti i Presidentit Meta, me argumenta akoma më “qesharake” se sa ato të propozimit.

Kreu i Shtetit, në relacionin që shoqëronte refuzimin e emrit të Gent Cakaj, ka paraqitur disa argumenta, të cilat nuk kanë asnjë bazë kushtetuese. Meta e konsideron kandidatin për Ministër të Jashtëm pa përvojën e duhur, i pa përgjegjshëm për rëndësinë e detyrës dhe, në një lloj forme, rrezik për tërësinë e kufijve të…Kosovës.

Këto argumenta, të rreshtuara në formën e një hartimi, herë me nota patriotizmi të tepruar e herë me nota të politikës së brendshme konfliktuale, nuk kanë asnjë lidhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Nëse kryeministri zgjedh të bashkëpunojë me një person, të cilin Presidenti e konsideron si të papërvojë dhe të paaftë, ky vlerësim nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën.

Nëse Gent Cakaj mendon se shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi është një tezë e mirë, kjo sërish nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me tërësinë territoriale të shtetit tonë. Natyrisht, institucionet shqiptare nuk duhet t’ia lejojnë vetes që të përfaqësohen në arenën diplomatike nga një person që mbështet një tezë të rrezikshme. Por, gjithësesi, ky element nuk përbën shkak kushtetues për refuzimin e tij si ministër.

E zgjerojmë disi këtë temë-çfarë do të ndodh nëse edhe kryeministri Rama shprehet zyrtarisht në favor të tezës së shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi? A do të kërkojë presidenti Meta largimin nga detyra të Kryeministrit për shkaqe “patriotike”?

Pra, është e qartë që edhe Meta ka zgjedhur që “propozimit qesharak”, t’i përgjigjet me “refuzim qesharak”, duke e shndërruar Gent Cakjan thjesht në “lodrën e tyre të re”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here