Emrat e preferuar/ “Besnikët” e Arta Markut në KLP po monopolizojnë garën për SPAK

Nga Boldnews.al

Pak ditë pasi u hap gara për kandidimin e prokurorëve për në strukturën e Posaçme Hetimore, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe disa “miq të saj” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kanë nisur të lobojnë për përzgjedhjen e disa prokurorëve në strukturën më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi.

Burime nga institucioni i Prokurorisë deklaruan për “Boldnews.al” se disa miq e mikesha të kryeprokurores së përkohshme, të cilët njëkohësisht kanë qenë edhe vartës të dy prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të jenë kandidatë potencialë për t’u rekrutuar në strukturën SPAK.

Sipas të njëjtave burime, të paktën 5 prokurorë, deri më tani, po përgatiten të shpallen fitues të një gare që ende nuk ka nisur. Të gjithë janë emra që lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me Arta Markun.

Alketa Zifla, aktualisht Drejtore e Kabinetit të Arta Markut, pritet të jetë një prej emrave që do të kandidojë dhe, me shumë mundësi, do të fitojë një vend në Strukturën e Posaçme Hetimore Antikorrupsion. Zifla, e cila ka punuar prej kohësh prokurore në Fier, ishte prokurore në Tiranë para se t’i bashkohej stafit të ngushtë të Kryeprokurores së Përkohshme. Ajo njihet si një prej mikeshave më të ngushta të Arta Markut, por që nuk është dalluar asnjëherë për veprimtari të spikatur hetimore.

Milan Laskaj, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Lezhës, i caktuar me urdhër të Arta Markut. Ky është një prokuror me biografi profesionale anonime, por gjithësesi është përfshirë në listën e lobuar nga Kryeprokurorja e Përkohshme, për shkak të lidhjeve të saj miqësore.

Ermira Tafani, prokurore në Elbasan, ishte një prej kandidateve për Kryeprokurore të Përkohshme. Ajo u vetëkandidua në Dhjetor 2017, menjëherë pas shpalljes së kandidaturës së Arta Markut për drejtuese të përkohshme të institucionit të Akuzës. Në atë kohë, ajo u konsiderua si një kandidaturë fiktive, e cila u përfshi në garë vetëm për të krijuar idenë e rivalitetit me Arta Markun, pasi, në momentin e parë, nuk kishte kandidatura të tjera. Tafani është një prokurore thuajse e panjohur për opinionin. Emri i saj u publikua vetëm në një puntatë të emisionit “Stop” ku dyshohej, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të drejtësisë në Elbasan, si e përfshirë në korrupsion.

LEXO EDHE  Protestë e jashtëzakonshme e njerëzve të lirë, Rama ka vetëm një…

Enkelejda Millonai, drejtuese e caktuar e Prokurorisë së Elbasanit, me firmë të Arta Markut. Eksperienca e saj profesionale nuk ka lënë asnjë gjurmë në opinionin publik. Gjendet në krye të Prokurorisë së Elbasanit, falë njohjeve me “miqtë” e Arta Markut, dy prej të cilëve janë aktualisht anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Fatmir Lushi, aktualisht drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Fierit, vite më parë ka qenë koleg me Arta Markun në Prokurorinë e Shkodrës. Gjatë viteve të fundit, ka qenë pjesë e Prokurorisë së Elbasanit, njëlloj si Mirela Tafani dhe Enkelejda Millonai.

Siç shihet, të paktën 3 prokurorë nga “lista e Arta Markut” për SPAK janë nga Prokuroria e Elbasanit, strukturë të cilën e kanë drejtuar në vitet e fundit dy prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani dhe Gentian Osmani.

Madje, gjithnjë sipas burimeve konfidenciale të Prokurorisë, Kryeprokurorja e Përkohshme dhe “miqtë e saj” në KLP po lobojnë që njëri prej tyre, me shumë mundësi Fatmir Lushi, të përzgjidhet edhe drejtues i SPAK-ut.

Krahas emrave të mësipërm, burime të Prokurorisë deklarojnë se grupi i njerëzve të Arta Markut po punon për të bindur edhe dy prokurorë të tjerë, në Durrës- Afrim Shehu, i cili është prokurori, të cilit iu vodh zyra disa muaj më parë, si edhe Edmond Koloshi, drejtuesi aktual i Task-Forces në prokurorinë e qytetit bregdetar. Gjithësesi, ende nuk është e sigurt nëse këta dy prokurorë do të vendosin për të kandiduar për të qenë pjesë e SPAK-ut.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktoi që në prokurorinë e posaçme, SPAK, fillimisht do të jenë 15 prokurorë, të cilët do të përzgjidhen nga kandidatët që do të dorëzojnë dokumentacionin brenda një muaji. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet do të jetë një nga 15 prokurorët që do tëi marrë më shumë vota të kolegëve të SPAK-ut.