Mos këmbeni euro deri në datën 20 janar

Euro ka vijuar rritjen e shpejtë edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.25 lekë, duke u rritur me 0.44 lekë në raport me ditën e mëparshme. Që nga data 27 dhjetor, euro ka shënuar rritje të shpejtë, duke u mbiçmuar me 1.56 lekë nga niveli më i ulët i dekadës prej 122.69 lekë që ishte arritur në 26 dhjetor.

Forcimi i monedhës euro po ndikohet nga efektet sezonale. Sipas aktorëve kryesorë të kursit të këmbimit forcimi i valutës vjen si rezultat i akumulimit të të ardhurave gjatë festave nga kompanitë edhe bizneset. Ky forcim i euros pritet deri në datat 20 janar ku bëhet edhe pagesat e fundit ndaj tatimeve. Pas kësaj data pritet që kursi i këmbimit të normalizohet sërish.

Në vitin 2018, kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a. Dy faktorët jo fondamentalë që ndikuan ishin konvertimet e kapitalit të bankave dhe paratë informale.

Një faktor që ndikoi ishin konvertimet e kapitalit të disa bankave nga euro në lekë, që erdhi si rrjedhojë e procesit të shkrirjes së disa bankave. Këtyre iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Shitblerjet e bankave pritet të vazhdojnë, teksa disa transaksione janë ende në proces dhe mund të kërkojnë sërish konvertim kapitali.

LEXO EDHE  VIDEO/ Fitorja e Argjentinës kualifikon edhe Perunë, ja gjithçka duhet të dini për Kupën e Amerikës

Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë shtuar ofertën për valutë që nga gjysma e dytë e vitit 2016, kur filloi dhe rënia e euros është rritja e hyrjes së valutës informale, e cila rezulton se po pastrohet në vend. Në një raport të fundit të MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave. Raporti konstatonte se “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”.