Kolegji vendos gjykim në seancë publike për ankimin e Artan Lazajt ndaj KPK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të mërkurën kalimin për shqyrtim në seancë publike të ankimit të Artan Lazaj kundër vendimit të KPK-së e cila vendosi shkarkimin e tij në korrik të vitit të kaluar. Ankimi i Lazajt, i cili para shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, është i pari për të cilin KPA vendos kalimin në seancë publike.

KPA njoftoi se vendimi për të kaluar çështjen në seancë publike u mor për shqyrtimin e procedurës së ndjekur nga Komisioni për të rrëzuar një kërkesë të Lazajt për përjashtim të Komisioneres Brunilda Bekteshi.

“Gjykimi në seancë publike u vendos për të debatuar, nëse shkelja e rëndë procedurale e pretenduar nga subjekti i rivlerësimit në ankim, për mosshqyrtimin e kërkesës së tij për përjashtimin e Komisioneres Brunilda Bekteshi nga shqyrtimi i çështjes, nga një tjetër trup gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikuar, i ndryshëm nga trupi gjykues që ka dhënë vendimin nr. 34, datë 11.07.2018, ka ndikuar ose jo në bazueshmërinë e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e KPA.

KPA caktoi datën 23 Janar për gjykimi i kësaj çështje në seancë publike me praninë e palëve.

Lazaj u shkarkua nga KPK në korrik të këtij viti në një proces që u shty pas një sërë kërkesash proceduriale prej tij dhe avokatit të tij. Në vendimin e zbardhur Komisioni u shpreh se kërkesat për zgjerim të hetimit, përjashtim të trupit gjykues dhe më pas përjashtim të Komisioneres Bekteshi ishin përpjekje për zvarritjen e procesit.

“U konstatua një tentativë për të zvarritur procesin, nëpërmjet një sërë kërkesash strategjikisht të paramenduara dhe të parapërgatitura”, thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së Lazaj kishte kërkuar përjashtimin e Bekteshit duke pretenduar se në kohën kur ajo kishte qenë avokate kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trupi gjykues. Kjo kërkesë u refuzua atëherë nga KPK. Por bazuar mbi këtë refuzim Lazaj është ankuar në KPA duke pretenduar “shkelje të rëndë proceduriale”, për të cilën Kolegji vendosi shqyrtim në seancë publike.

Nga vendimi i zbardhur i KPK-së [Shiko këtu] rezulton se kjo e fundit vendosi të prapësonte kërkesën e tretë duke arsyetuar se ajo ishte thjeshtë një përpjekje për të zvarritur procesin. Në vendimin e arsyetuar KPK thotë se vendosi të mos e kalonte kërkesën për shqyrtim në një trup tjetër gjykues pasi kërkesa për përjashtim të Bekteshit “Rezultonte qartazi e vonuar dhe në mosrespektim të pikës 3 të nenit 27 të ligjit nr. 84/2016, si dhe e papranueshme, pasi nuk bazohej mbi fakte të reja. Gjithashtu, kjo kërkesë rezultonte me tendenca për zvarritjen e procesit të rivlerësimit”.

KPK arsyetoi se ngjarja për të cilën Lazaj ankohej kishte ndodhur në vitin 2016 dhe ai kishte pasur kohë ta ngrinte këtë pretendim më herët.

KPK e shkarkoi Lazaj për një sërë problemesh në kriterin e deklarimit të pasurisë. Në vendimin e arsyetuar thuhet se Lazaj kishte bërë deklarime të rreme, kontrata fiktive, kishte pamjaftueshmëri burimesh të ligjshme dhe kishte deklaruar pasuri që i kishte shitur, ndërsa thuhet se dha “përgjigje të pavërteta” edhe gjatë seancës dëgjimore.

Lazaj u mbrojt gjatë seancës dëgjimore dhe në përgjigjet për KPK kryesisht duke pranuar “ka bërë gabime të shumta, por që ato janë harresa, neglizhenca ose pasaktësi, nuk janë veprime të qëllimshme dhe nuk kanë pasur si objektiv apo pasojë fshehjen e pasurisë”. Në një rast ai tha se arsyet e mosdeklarimit të një pasurie që i takonte bashkëshortes kishte qenë e drejta zakonore sipas të cilës “gruaja e martuar nuk kishte pjesë takuese në shtëpinë e prindërve”.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here