Prokurorja Eriselda Bala dështoi në punën e saj si prokurore, por edhe si grua dhe nënë

Në nëntor 2018, unë dhe Rezearta Çaushaj raportuam rastin e Nashi Shehapit, drejtuese lokale e Partisë Socialiste dhe drejtoreshë kopshti ndonëse e pakualifikuar për këtë punë, e cila dhunoi dhe abuzoi një fëmijë 3-vjeçar. Që atëherë, përmes komunikimit me personelin dhe prindërit e fëmijëve të tjerë në kopësht, zbuluam një rrjet abuzimi, dhune e kërcënimi sistematik, korrupsioni, propagande e madje, dhe vjedhjeje nga ana e “të paprekshmes” Nashi Shehapi.

Kjo drejtoreshë jo vetëm që ka kërcënuar stafin dhe familjarët e fëmijëve të heshtin, por ka abuzuar me detyrën dhe pushtetin e saj për të trembur njerëzit të gënjejnë në mbrojtje të saj. Përveç kësaj, gjatë tre muajve të fundit Shehapi është mburrur se gëzon mbrojtje politike nga Bashkia Tiranë, Drejtoria e Kopshteve, Partia Socialiste, Ministria e Arsimit dhe madje prokuroria.

Pavarësisht se ne i kemi bërë publike emrat e zyrtarëve që po mbrojnë Shehapin, duket se fuqia e politikës po triumfon.

Dje, nëna e fëmijës së dhunuar mori një telefonatë nga prokurorja Eriselda Bala, e cila njoftoi se çështja nuk do të mund të hetohej më tej. Arsyeja, sipas prokurores, ishte mungesa e provave, që do të thotë se çështja nuk shkon në gjykatë.

Zonjës Bala i janë paraqitur dëshmitë e tre psikologëve, një dëshmi nga fëmija menjëherë pas ngjarjes, një dëshmi nga fëmija dy muaj më vonë, një regjistrim i fëmijës që tregon se Nashi i fuste “fëmijët e këqinj” në “vrimën e miut”, një raport mjekësor nga mjeku ligjor që raporton se të nxirat në trupin e fëmijës janë shkaktuar nga një i rritur, dhe dëshmitë e prindërve të fëmijës. Nuk jam e sigurt se çfarë i nevojitet prokurores Bala për ta konsideruar një çështje me vlerë për t’u ndjekur. Kam studiuar drejtësi dhe, ndonëse nuk i di me saktësi veçantitë e sistemit ligjor shqiptar, di mirë se çfarë përbën “provë të mjaftueshme” dhe di se provat e paraqitura përpara prokurores Bala janë mëse të mjaftueshme për ta vazhduar çështjen.

Në mënyrë të paqartë, prokurorja Bala njoftoi nënën e djalit, se nëse një prind tjetër del publikisht dhe pranon se fëmija e tij është rrahur, atëherë ajo mund ta vazhdojë çështjen. A mund të ketë kërkesë më absurd se kjo? A mund të imagjinohet të kapet një vrasës dhe prokurorja të thotë “nuk mund ta vazhdoj çështjen për këtë vrasje, sepse nuk ka prova që vrasësi të ketë vrarë më parë”?

Edhe nëse drejtoresha Shehapi ka ushtruar dhunë më parë (disa prindër kanë dhënë dëshmi për këtë), ky fakt është i parëndësishëm. Djali i vogël trevjeçar është terrorizuar dhe tmerruar nga një grua, së cilës i ishte besuar kujdesi për të.

Një tjetër arsye e prokurores për pushimin çështjes, ishte fakti se asaj nuk i pëlqeu faktin që unë shkova në zyrën e saj dhe e pyeta që të shpjegohej. Por, më vjen keq, e dashur Eriselda, por ju jeni e detyruar të mbani përgjegjësi publike dhe nëse nuk ju pëlqen qëndrimi im, atëherë, ju siguroj se mendimi juaj nuk do të përmirësojë atë.

Por çfarë ju shqetësoi ju në të vërtetë? A mos ishte fakti që unë e bëra publike faktin që ju e harruat për dy muaj dosjen në tavolinën tuaj? A mos ishte fakti që unë ju kërkova të më flisnit në anglisht sa herë që ju më drejtoheshit në shqip, megjithëse dini anglisht? A mos ishte fakti se unë e injorova refuzimin tuaj për të më pritur në zyrë dhe hyra në zyrë për të folur me ju pavarësissht urdhërave të kolegëve tuaj të zhgënjyer dhe nevrikosur? A mos ishte fakti që ju vura në dukje se nuk po e bëni siç duhet punën tuaj? A mos ishte fakti që unë nuk u frikësova nga “pushteti” dhe “pozita” juaj? A mos ishte fakti se ju menduat se do të mund ta mbyllni lehtë këtë çështje sepse fëmija e një çifti të divorcuar është pre e lehtë për abuzim dhe dhunim? Apo mos është fakti se unë shkrova publikisht dhe do të vazhdoj të shkruaj për paaftësinë dhe dështimin tuaj për ta trajtuar këtë çështje? Unë e kam shumë të qartë se përse ju nuk më keni qejf mua, por e gjithë kjo mund të ishte shmangur nëse ju do ta kishit bërë punën tuaj siç duhet.

E vërteta tani është që ju jo vetëm keni dështuar në punën tuaj si prokurore dhe mbrojtëse e zbatimit të ligjit, jo vetëm që keni dështuar të zbatoni ligjin përpara të cilit jeni betuar, por ju keni dështuar dhe si grua e nënë. Ju nuk keni dështuar vetëm në vënien e drejtësisë për një fëmijë të vogël të dhunuar e abuzuar, por ju po lini në baltë çdo fëmijë që ka qenë apo mund të jetë pjesë e Kopshtit Nr. 1 në Tiranë.

Në çfarë lloj vendi jetojmë ku mbrojtja e një të anëtareje edhe të të parëndësishme të Partisë Socialiste ka përparësi ndaj mbrojtjes së shtresave më të pambrojtura të të shoqërisë?/Exit.al/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here