Nga Boldnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi pak ditë më parë gjyqtarin e Apelit të Korçës për të njëjtat problematika, të cilat në Korrik konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani.
Komisioni i Vetingut nuk pranoi argumentat e gjyqtarit Lubonja se, një pjesë të parave për blerjen e një apartamenti në Korçë, atij i ishin dhuruar nga vjehrri, i cili prej vitesh në SHBA. Madje, relatori i seancës dëgjimore e përmendi shpesh, duke krijuar edhe idenë se po ironizonte gjyqtarin se “kishte marrë para nga vjehrri pensionist”.
Në mënyrë tërësisht të ndryshme, Komisioni i Vetingut u tregua shumë “mirëkuptues” me prokurorin Osmani. Edhe ky i fundit ka deklaruar se një pjesë të konsiderueshme të shumës për të blerë një apartament 80 mijë euro në Tiranë, e ka marrë dhuratë nga vjehrri.
E, megjithatë, relatori dhe trupa gjyqësore e Vetingut nuk e panë të arsyeshme të “ironizonin” këtë dhuratë që vjehrri i kishte bërë Osmanit. Përkundrazi, ata e përligjën plotësisht justifikimin e prokurorit dhe e konsideruan të mjaftueshëm vetëm faktin që ai, pa asnjë dokument provues, paraqiti verbalisht para Komisionit të Vetingut.
Kjo ishte një prej shumë “tolerimeve” që Komisioni i Vetingut i ka bërë prokurorit Gentian Osmani, deri sa arritën në përfundimin që ai duhej të konfirmohej në detyrë. Siç është raportuar edhe më parë, relatori i procesit të rivlerësimit të prokurorit Osmani kishte gjetur edhe një seri shkeljesh të tjera.
“Sipas relatorit Roland Ilia, nga analiza financiare e aseteve të prokurorit Gentjan Osmani, rezulton se ai nuk ka pasur burime financiare për pagesën e 2 kësteve për apartamentin e porosituar në vitin 2009, me vlerë respektive 15 mijë euro dhe 32,680 euro, për një total prej 47680 euro. Prokurori Osmani ka vetëm një ‘dokument’ të shkruar me dorë për huanë nga shtetasi A.Ç. Ai gjithashtu nuk justifikon me të ardhura pagesën e huasë ndaj shtetasit A.Ç në vitin 2011 në vlerë 7000 euro, në vitin 2012 në vlerë 5000 euro, dhe në vitin 2013 me vlerë 8000 euro”..
Me më pak se gjysmën e këtyre problematikave, Komisioni i Vetingut ka shkarkuar nga detyra gjyqtarë e prokurorë të ndryshëm. Vlen të përmende rasti i gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva, i cili doli përfundimisht nga sistemi për më pas se 2 milionë lekë të vjetra, të pambuluara plotësisht me dokumenta zyrtarë.
Por, në rastin e prokurorit Gentian Osmani, pavarësisht numrit të lartë të problematikave, Komisioni i Vetingut sërish vendosi konfirmimin e tij në detyrë.
Menjëherë pas këtij vendimi u ngritën dyshime të shumta, përfshirë edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili i sugjeroi Komisionerit Publik ankimin e konfirmimit në detyrë të Gentian Osmanit.
Pas gjithë këtyre problematikave të konstatuara në Vetingun e prokurorit dhe pas pikëpyetjeve të ngritura nga ONM-ja, krijohen dyshime të forta se “një dorë tjetër” ka vendosur për fatin pozitiv të prokurorit Osmani. Përgjigja për këto dyshime mund të gjenden tek dosjet që ka ai nën hetim dhe lidhjet e tyre me maxhorancën socialiste.
Tashmë është publike se prokurori Osmani, hetues i dosjes në ngarkim të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zgjodhi që të arrestonte denoncuesin dhe të mos shqetësonte aspak familjarët e ministrit.
Gjithashtu, prokurori Osmani është i vetmi ndër 5 prokurorët e dosjes “Tahiri-Habilaj”, ndaj të cilit nuk është marrë asnjë masë penalizuese nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e cila u zgjodh vetëmme 69 votat e Partisë Socialiste të Saimir Tahirit dhe Agron Xhafajt.