Si përfundoi me dënime qesharake vjedhja 2 milion eurove e ilaçeve të rimbursueshme

Nga Boldnews.al

Arrestimi i pronarit të “Omega Pharma”, Nadir Çausholli si dhe 3 punonjësve të kompanisë për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme në tetor të 2015, u cilësua si sukses i organeve ligjzbatuese. Por sot, pas rreth 1 viti, të arrestuarit janë jashtë hekurave të burgut dhe dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është kompensuar nga taksat e qytetarëve.

Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, organi i akuzës ka kërkuar 3 vjet burg për biznesmenin Nadir Çausholli për “Falsifikim dokumentash”. Por kjo kërkesë e prokurorisë duket e lehtësuar pasi për një vepër penale të tillë mund të kërkohet nga 1 deri në 7 vite burg. Lidhur me veprën penale të “Mashtrimit”, prokuroria sërish u tregua zemërmirë për Çaushollin duke kërkuar 3 vjet burgim, pavarësisht se ligji të jepë të drejtë të kërkosh dënim deri në 10 vite burgim.

Edhe pse dy vepra penale rëndonin mbi pronarin e “Omega Pharma”, organi i akuzës kërkoi shkrirjen e tyre duke kërkuar në total 3 vjet burg. Të njëtën dorë lehtësuese, prokuroria përdori edhe për 3 punonjësit e tjerë duke dhënë dënime minimale deri në 2 vite burg.

Ndërkohë për kompaninë “Omega Pharma”, prokuroria vendosi një gjobë prej 50 milion lekësh (të vjetra) si dhe ndalohet të lidhë kontrata me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për një periudhë 3-vjeçare. Edhe kjo masë ishte tepër e butë në krahasim me dëmin ekonomik prej 2 milion eurosh që i solli “Omega Pharma” buxhetit të shtetit.

E sikur të mos mjaftonin masat lehtësuese të prokurorisë, edhe gjykata nga ana tjetër lehtësoi nga dënimi biznesmenin Nadir Çaushollit duke vendosur pezullimin  e dënimit me burgim dhe vënien në Shërbimin e Provës për një periudhë 2 vite e 6 muaj.

Ndërkohë për kompaninë “Omega Pharma”, gjykata ul dënimin me gjobë duke e çuar në 33 milion lekë (të vjetra) ndërsa merr në konsideratë kërkesën e prokurorisë për të pezulluar bashkëpunimin me F.S.D.K.SH-në për një periudhë 3-vjeçare.

Për financieren e “Omega Pharma”, Arjola Piperaj, gjykata vendosi dënimin vënien në provë prej 2 vjetësh, edhe pse prokuroria kishte kërkuar 2 vjet burg.

Të njëjtin vendim lehtësues, Gjykata e Tiranës dha edhe për financieren tjetër Laurta Kushova duke caktuar vënien në provë prej 18 muajsh.

LEXO EDHE  LAJMI I FUNDIT/ Pallati përfshihet nga flakët në qendër të qytetit

Edhe për menaxheren e shit-blerjeve të depos farmaceutike “Omega Pharma”, Blerina Qatja, gjykata caktoi vënien në provë prej 2 vitesh pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg.

Skandali që tronditi jo pak sistemin farmaceutik në vend, i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 2 milion eurosh. Këto para nuk u zëvendësuan nga ata që shkaktuan dëmin, por madje sot nuk kemi asnjë të dënuar me burg për këtë vjedhje galopante nëpërmjet falsifikimit.

Si u zbulua falsifikimi prej 2 milion eurosh?

Gjate analizës në Drejtorinë e Informatikës dhe Analizës Statistikore (D.I.A.S) pranë F.S.D.K.SH-së për muajt Prill-Shtator 2015 është konstatuar rritje e nivelit të konsumimit të Barit me emërtim tregtar “Ketosteril”.

Nga të dhenat e D.I.A.S lidhur me shitjen e ketij medikamenti janë identifikuar depot farmaceutike që e tregtonin atë, ku subjektet e vetme importues dhe distributor me të drejtën ekskluzive per tregtimin e tij janë “Rejsi Farma”.

Sipas F.S.D.K.SH-së, depoja farmaceutike “Omega Pharma” ka bërë hyrje fiktive të këtij medikamenti në magazinën e saj, pavarësisht se dy kompanitë që kishin ekskluzivitetin nuk raportonin për shtije të medikamentit.

Nga kqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Pharma” për periudhën qershor 2013 – maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se “Rejsi Farma” nuk ka bërë shitje të ketosterilit tek “Omega Pharma” dhe se ky sybjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.

Nga kqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet ketosteril dhe insulina. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar.

Përsa më sipër, u provua se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.