Nga Boldnews.al
Përparim Kulluri, një prej prokurorëve që i është bashkuar Prokurorisë për Krime të Rënda që në fillimet e saj, ka vepruar në mënyrë të dyshimtë me një kredi lehtësuese që ka fituar si i pastrehë në vitin 2006.
Në formularin e pasurisë, dorëzuar në vitin 2007, prokurori Kulluri deklaron se ka marrë një kredi në vlerë 5 milionë lekë të reja, me interes fiks 3%, për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Në deklaratat e pasurisë, të publikuara në “opendata.al”, prokurori Kulluri nuk e shpreh specifikisht se kjo kredi është me kushte lehtësuese, nga ato që rimbursohen në pjesën më të madhe nga shteti për disa kategori zyrtarësh, të cilët nuk kanë shtëpi në vendin ku ushtrojnë funksionet.
Por, disa elementë të kredisë, konfirmojnë faktin se ajo është një kredi e butë-së pari, shuma 5 milionë lekë, e cila është vlera maksimale e kredisë së butë që favorizon shteti dhe, së dyti, norma e interesit 3% e pandryshueshme gjatë të gjithë afatit të shlyerjes së kredisë. Në rastet e kredive të buta, banka u jep kredimarrësve deri në 80% të shumës së apartamentit. Pjesa tjetër mbulohet nga kredimarrësit.
Bazuar në këto elementë, duket qartë se prokurori Përparim Kulluri ka përfituar në vitin 2006 një kredi të butë, në vlerën 5 milionë lekë. Pasi ka marrë këtë kredi, ai e ka kaluar të gjithë shumën për porositjen e një apartamenti me vlerë totale 6.5 milionë lekë. Për këtë apartament, ai ka deklaruar se ka shlyer 5 milionë lekë nga kredia, ndërsa ka mbetur detyrim 1 milionë lekë.
Në bazë të vetëdeklarimit të prokurorit Kulluri, krijohen dyshime të forta se ai, ose ka mashtruar me kredinë, duke nënshkruar kontratë fiktive, ose ka fshehur pasurinë.
Ligji për subvencionimin e kredive për strehim për zyrtarët, si edhe udhëzimet e dala në zbatim të tij, ndër të tjera përcaktojnë se, që një zyrtar të përfitojë kredi të butë, duhet në radhë të parë të shlyejë diferencën ndërmjet shumës së kredisë dhe vlerës së plotë të apartamentit.
Me fjalë më të thjeshta, në rastin e Kullurit, ai fillimisht duhet të shlyente shumën 1.5 milionë lekë dhe më tej të merrte kredinë e butë në vlerën 5 milionë lekë. Por, siç rezulton nga deklaratat e pasurisë, prokurori Kulluri deklaron se ka paguar për blerjen e apartamentit 5 milionë lekë të marra nga kredia, ndërkohë që ka mbetur detyrim ndaj shitësit edhe 1 milionë lekë.
Pra, ai e ka përfituar kredinë e butë pa shlyer diferencën e çmimit. Ky fakt, ndoshta i ka kaluar pa verifikuar bankës, por ky variant duket thuajse i pabesueshëm, duke marrë në konsideratë skrupulozitetin e institucioneve bankare sa i përket plotësimit të kushteve për dhënie kredie.
Për më tepër, diferenca prej 1 milion lekë nuk deklarohet si e shlyer deri në vitin 2016, pra edhe 10 vjet pas porositjes së apartamentit.
Ky fakt krijon dyshimin e dytë. Kjo shumë, ose i është dhënë shitësit në forma të dyshimta, pa lënë gjurmë në dokumenta financiarë, ose vlera e apartamentit që ka porositur prokurori Kulluri është rritur në mënyrë fiktive.
Në të dy rastet, shkeljet mund të jenë të natyrës penale, të parashikuara në nenin që lidhet me “Mashtrimin me kredi”.
“Boldnews.al” nuk ka mundësi efektive për të provuar nëse pagesa 1 milionë lekë është kryer nga prokurori Kulluri tek shitësi i apartamentit dhe nëse kjo pagesë, nëse është kryer, rezulton të jetë produkt i veprimeve antiligjore. Fakt është që, në deklaratat e pasurisë deri në vitin 2016, prokurori nuk deklaron shlyerjen e këtij detyrimi të lindur në vitin 2006.
Por, nga ana tjetër, bazuar mbi vetëdeklarimin e prokurorit Kulluri, ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për të krijuar dyshime se kontrata e porosisë ndërmjet tij dhe shitësit të apartamentit mund të jetë fiktive.
Duke ndjekur këtë linjë dyshimi, me shumë mundësi, apartamenti ka kushtuar 5 milionë lekë, aq sa ka qenë limiti i kredisë së butë. Dhe, për të përfituar këtë kredi, në shumën e plotë, duke pasur parasysh se shuma që do të përfitonte nga banka duhet të ishte deri në 80% të vlerës së apartamentit, prokurori Kulluri duhet të ketë nënshkruar një kontratë fiktive, me vlerë më të lartë të shtëpisë së porositur.
Vlera e apartamentit të porositur prej tij është 6.5 milionë lekë, saktësisht aq sa duhet të ishte vlera e tij për të përfituar kredinë e butë në shumën e plotë prej 5 milionë lekësh.
Në çdo rast, krijohen dyshime se prokurori Kulluri ka vepruar në mënyrë të paligjshme për të përfituar këtë kredi të butë shtetërore, pjesën më të madhe e interesave të së cilës paguhet nga taksat e qytetarëve.