Kryeministri Edi Rama, ka thirrur në një mbledhje rektorë dhe dekanë të Universiteteve Publike për të diskutuar 8 kërkesat e studentëve, ku nuk është kursyer me sulmet dhe akuzat ndaj tyre, për gjendjen në të cilën ndodhet Universiteti publik në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij ai teksa tha se u desh protesta e studentëve që të mësonte se kolegët e tyre të verbër nuk kanë as kushtet minimale, ka ‘kërcënuar’ rektorët dhe dekanët, duke u shpreh se ai nuk do të jetë më i njijti karshi tyre.
“U desh protesta që të dëgjoja se studentët e verbër nuk kanë gjënë mëminimale.
Jeni në administrim por nuk keni bërë asgjë.
Për mua 8 pikat e ngritura janë vetëm parathënia e një libri që është shumë i ngatërruar, por që patjetër duhet të përfunduar.
Nuk jam unë që duhet të ju them juve se sa përgjegjësi keni, jeni ju që duhet ta nxirrni përgjegjësinë tuaj. Unë di vetëm të ju them kaq. Unë nuk jam më ai që isha para kësaj historie, në raport me universitetin. Protesta do të mbarojë një ditë, universiteti do të kthehet në gjendje normale, por mua sa të jem këtu do më keni protestues”, – tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Më tej ai shtoi: “E kuptoj kur nuk ke mundësi, por kur ke mundësi dhe i keqpërdor është e papranueshme.
Jam marr me universitetin vetëm kur kam parë 4 dekanë të shqetësuar dhe alarmuar, për mosmarrëveshje me rektoratin. I kam takuar dy palët e jam përpjekur ti kuptoj, e kamë parë në ngërç të madh që vjen jo nga ligji, por nga mungesa e dëshirës dhe ndoshta kapacitetit për t’iu nënshtruar ligjit”.
Por i gjendur përballë mohimit kategorik të dialogut nga studentët, Rama ‘kërkoi’ që të ishin rektorët e dekanët ata që do të ndërmjetësonin që për këtë situatë të dialogohet, pasi sipas tij 8 pikat janë vetëm parathënia e një libri të ngatërruar, por që do të përfundojë.
Nga ana tjetër, studentët vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim protestash, nëse nuk do u plotësohen kërkesat.