Boldnews.al
Senati i Universitetit të Tiranës hedh poshtë pretendimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili u ka hedhur fajin universiteteve për mosplotësimin e shumë prej kërkesave të studentëve.
Për VKM-në tashmë të anuluar nga qeveria që i detyronte studentët të paguanin shtesë për provimet e mbartura, Rama ka artikuluar disa herë, se kjo ka qenë një kërkesë e bordeve të universiteteve, më pas e miratuar nga qeveria. Por, Senati i Universitetit të Tiranës përgënjeshtron deklaratat e kreut të qeverisë. “Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura”, sqarohet në deklaratën e Senatit.
Senati i Universitetit të Tiranës hedh poshtë edhe deklaratat e Ramës për pamundësinë e përgjysmimit të tarifave, një tjetër kërkesë e studentëve.
Kreu i qeverisë, në deklaratën e fundit, dje, në emisionin “Top Show”, hodhi poshtë këtë pikë të kërkesave të studentëve. “E duam tarifën e njëjtë për të gjithë”, ishte një nga kërkesat që iu bë kryeministrit Edi Rama nga një student i universitetit të Elbasanit, në studion e “Top Show”. “Ashtu s’ka”, u përgjigj Rama, duke i mëshuar më pas dialogut me studentët, që këta të fundit e kanë refuzuar në mënyrë kategorike pa plotësimin më parë të kërkesave të tyre.
Ndërkohë, në deklaratën e Senatit të Universitetit të Tiranës, thuhet qartë: “Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjet e efekteve financiare për UT-në”.
“Në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe procedurale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik. Në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare. Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së”, thuhet më tej në deklaratë.