Procedimi penal i Profesor Edmon Tupes, pasi doli në protestën e studentëve për t’i mbështetur, ka ngjallur shumë reagime.
Ndër to kanë qenë edhe nga radhët politike, ku së fundmi ka reaguar edhe deputetja e PD, Grida Duma.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Duma ndër të tjera shprehet se figurimi i emrit të tij në listën e të proceduarve, është një një medalje më shumë për të.
“Tupja kishte shkruar që “duhet bërë e pamundura”, e pamundura e vërtetë është që Tupja të preket, edhe më e pamundur është që të preket figura e tij nga proçedimet. Ai është rasti që edhe e keqja i shërben për mirë”, shkruan Duma.
Postimi i plotë:
Edmond Tupja,
Profesor i Universitetit të Tiranës prej 44 vjetësh. Shqipëruesi brilant i Sartrit, Prust, Delerm. Përkthyesi që i dha lexim e dëgjim në botën frankofone shkrimtarëve shqiptarë Kadare, Kongoli, Çapaliku.
Babai i një djali autik që shkroi për këtë fat e rëndesë në shpirt me forcën gjeniale të një njeriu që edhe dhimbjen e jeton pikërisht në sërën e tij me standardin e një shpirti të madh, duke ndihmuar me mijëra prindër të gjejnë kuptim në këtë beteje që zgjat gjithë jetën.
Një publicist që kritikon me sofistikimin e satirës për ta bërë dramën shqiptare jo thjeshtë te durueshme por edhe të kalueshme dhe të riparueshme.
Profesor Tupja është vlerësuar me çmime të shumta gjatë jetës së tij profesionale por besoj çmimi më i madh është mirënjohja që po merr sot nga studentët protestues.
Emri i tij figuron në listën e të proçeduarve në protestën e sotme, një medalje më shumë.
Tupja kishte shkruar që “duhet bërë e pamundura” , e pamundura e vërtetë është që Tupja të preket, edhe më e pamundur është që të preket figura e tij nga proçedimet. Ai është rasti që edhe e keqja i shërben për mirë.