Kompania e lidhur me Balfin e Samir Manes përfitoi 1.5 milion euro për licencat e Bankers

Në nëntor 2012, Denis Alimehmeti, një 35-vjeçar që e kishte filluar karrierën një dekadë më parë si shitës në Qendrën Tregtare Univers në Tiranë, regjistroi një shoqëri aksionere të quajtur “Albanian Pipeline Services,” APS.

Një vit më vonë, në tetor 2013- Alimehmeti përfitoi një transfertë prej 1.5 milionë euro nga kompania Bankers Petroleum në llogarinë e tij në Raiffaisen Bank, në shkëmbim të një kontrate që i transferonte kanadezëve 50 % të aksioneve të APS.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2013, Bankers Petroleum i transferoi APS-së edhe 238 mijë euro të tjera për shërbime që lidheshin me përgatitjen e dokumenteve dhe marrjen e lejeve për ndërtimin e një naftësjellësi nga Fieri në Vlorë, si dhe për marrëdhënie me publikun.

Megjithatë, kompania e nxjerrjes së naftës bruto nuk e ekzekutoi kurrë kontratën për marrjen e aksioneve të APS, ndërkohë që Alimehmeti i transferoi 1.35 milionë euro kompanisë “Singapore Europe Real Estate,” S.E.R.E – e cila u ble në vitin 2016 nga grupi ‘Balfin.’

Një pjesë e pagesës së dhënë në formë huaje për S.E.R.E në vlerë 524 mijë euro, iu kthye mbrapsht Alimehmetit. Pjesa dërrmuese e kësaj shume iu transferuar një punonjësi tjetër të grupit Balfin, i cili e përdori për të investuar në një kompani serash, që më pas u përthith gjithashtu nga konglomerati në pronësi të biznesmenit Samir Mane.

Pjesa e mbetur u investua nga S.E.R.E, së bashku me fonde të tjera në një seri transaksionesh në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe në jug të Shqipërisë – të cilat përfshnin persona me të shkuar kriminale, të dyshuar si pjesëtarë të së ashtuquajturës mafia e pronave në bregdet.

Transaksionet me vlera të mëdha në llogarinë e Alimehmetit tërhoqën vëmendjen e Prokurorisë, e cila në gusht 2015 regjistroi një procedim penal për pastrim të produkteve të veprës penale. Prokuroria i pushoi hetimet në vitin 2017, pasi gjykoi se asnjë nga kompanitë e përfshira nuk kishte bërë evazion fiskal ose aktivitet në kundërshtim me ligjin.

Ndonëse marrëveshja midis Bankers dhe APS nuk është cilësuar e paligjshme, ajo ishte “jo ortodokse” dhe hedh dritë mbi kostot, nevojën për ndërmjetës dhe vështirësitë që ka hasur edhe investitori më i madh i dy dekadave të fundit për të marrë një licencë dhe për të bërë biznes në Shqipëri.

E pyetur nga BIRN, grupi “Balfin” u shpreh nëpërmjet një përgjigje me shkrim se edhe pse ka lidhje me APS-në dhe ka qenë i interesuar për të garantuar marrëdhënien e saj me Bankers – në qoftëse investimi do të realizohej, z. Samir Mane nuk ka qenë i përfshirë dhe nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë për marrjen e licencës së naftësjellësit.

Z. Samir Mane nuk është i përfshirë personalisht në operimin e përditshëm të ‘Balfin Group’ dhe aq më pak të kompanive të tjera që mund të kenë bashkëpunuar me kompanitë e grupit,” tha Balfin nëpërmjet një përgjigje me shkrim.

Kompania shtoi se edhe pse Denis Alimehmeti ka qenë dhe është në marrëdhënie pune me një nga kompanitë e “Balfin Group,’ marrëdhënia midis APS dhe Bankers Petroleum ka qenë midis dy kompanive private dhe tërësisht e ligjshme.

“Marrëdhënia kryesore që kjo kompani ka pasur, ka qenë me një kompani tjetër private, pra qartësisht një marrëdhënie ndërmjet dy kompanive private të ndërtuar sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin e shoqërive tregtare pa marrë asnjë fond publik, apo ndonjë fond tjetër që në mënyre direkte apo indirekte do të kishte ndonjë implikim në fondet e buxhetit, tatimet, taksat apo çdo lloj efekti tjetër ne financat e shtetit apo interesit publik në përgjithësi,” tha Balfin.

Kompania Bankers Petroleum i tha BIRN nëpërmjet një deklarate me shkrim se besonte që kompania APS – e sapothemeluar nga Alimehmeti në vitin 2012, ishte e vetmja në atë kohë që mund të përmbushte pritshmëritë e saj për suksesin e projektit.

“APS ishte e vetmja kompani, e cila në atë kohë plotësonte pritshmëritë e Bankers për realizimin e këtij projekti, i cili ishte kompleks dhe kërkonte njohuri në fusha të ndryshme. Për këtë arsye, Bankers kreu negociata serioze duke i konkretizuar me një kontratë dypalëshe në interes të realizimit të projektit,” tha kompania e naftës.

Naftësjellësi nuk u ndërtua kurrë
Bankers Petroleum filloi punë në Shqipëri në vitin 2004 me një kontratë koncesionare të firmosur nga ish- kryeministri Fatos Nano. Me kalimin e viteve, ajo qe në gjendje të rriste prodhimin e naftës bruto në vend deri në 21 mijë fuçi në ditë (1 fuçi është e barabartë me 159 litra), për një prodhim total prej rreth 1.2 milionë tonësh në vitin 2014. Të ardhurat nga shitja e kësaj nafte krijuan një kompani me xhiro vjetore maksimale prej mbi 500 milionë USD, shifër e barabartë me 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

Prodhimi në rritje i naftës bruto solli nevojën logjistike për të ndërtuar një tubacion naftësjellës nga fusha e Patos-Marinzës drejt terminalit bregdetar të naftës në gjirin e Vlorës. Për të arritur këtë qëllim, Bankers lidhi një marrëveshje me Denis Alimehmetin dhe kompaninë e tij APS në fund të vitit 2012. Sipas marrëveshjes, Alimehmeti dhe kompania e tij e sapo-krijuar, APS, merrnin përsipër të siguronin të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e naftësjellësit nëntokësor për transportimin e naftës bruto. Pas marrjes së lejeve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha, Bankers do të blente 50% të kapitalit aksioner të APS – me një shumë prej 1.5 milionë eurosh si dhe shpenzimet që APS do të kishte gjatë kësaj faze.

“Arsyeja e krijimit të shoqërisë APS ishte pikërisht dizenjimi dhe hartimi i të gjithë dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor, me qëllim ndërtimin e sistemit të tubacioneve, për transportin e naftës Fier-Vlorë dhe infrastrukturën përkatëse, me fillim ish uzinën e Azotikut në Fier dhe përfundim Terminalin Bregdetar të Naftës, Port Vlora 1,” ka shpjeguar Alimehmeti në dëshminë e tij në prokurori.

Ky projekt do të bënte të mundur transportin e naftës që nxirrej nga fushat e Patos-Marinzës, nga shoqëria ‘Bankers Petroleum Albania LTD’ nëpërmjet tubacioneve, [për] të shmangur transportin rrugor nëpërmjet autoboteve,” ka shtuar ai.

Nga janari në nëntor 2013, Bankers i pagoi APS-së 284,785 euro nëpërmjet 11 transfertave bankare për shpenzimet që kjo e fundit pati për përgatitjen e dosjes së koncesionit të naftësjellësit dhe marrëdhënie me publikun. Për të realizuar dokumentet e nevojshme për koncesionin e tubacionit, APS punësoi kompaninë “MEI Business Consultancy,’ e cila përfitoi 144 mijë euro si dhe kompaninë “Delta Publicity” për marrëdhënie me publikun, e cila u pagua 119,994 euro.

Më 4 mars 2013, APS iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me një kërkesë për të marrë autorizimin për ndërtimin e naftësjellësit Fier-Vlorë dhe të infrastrukturës përkatëse. Një muaj më vonë, me datë 22 prill 2013, METE i kërkoi pesë ministrive që të emëronin përfaqësues për ngritjen e një komision vlerësimi të koncesionit. Më 19 qershor 2013, METE i dha APS-së autorizimin për vazhdimin e procedurës për ndërtimin dhe shfrytëzimin e tubacionit prej 36 kilometrash. Sipas vendimit të METE-s, kompania APS duhej të dorëzonte brenda një afati 2 vjeçar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e lejes nga Këshilli i Ministrave.

Me anë të një letre zyrtare më 2 tetor 2013, Denis Alimehmeti dhe APS iu drejtuan përfaqësuesit ligjor të Bankers Petroleum në Shqipëri, për të proceduar me blerjen e 50% aksioneve të APS për vlerën 1.5 milionë eurosh, pas realizimit të fazës së parë të marrëveshjes midis palëve. Në këtë letër është përcaktuar dhe numri i llogarisë së Denis Alimehmetit pranë Raiffeisen Bank.

“Akti final që shoqëronte përfundimin e fazës së parë ishte miratimi i ‘Autorizimit për Vazhdimin e Procedurave,’ dhe kjo u arrit me dt. 19.06.2013,” shprehet Alimehmeti në dëshminë e tij. “Opsioni për të vijuar me fazën e dytë dhe vijimin e procedurave kontraktuale u bë i pamundur, për arsye të lidhura me kompaninë Bankers si: ulja e çmimit të naftës, ulja e prodhimit dhe si rrjedhojë reduktimi i nevojës për të nxituar me ndërtimin nga ana e tyre e ‘Pipeline’, si dhe me kalimin e afatit dy vjeçar të vlefshmërisë së autorizimeve të marra,” ka shtuar ai.

Sipas Prokurorisë, me mbylljen e fazës së parë të marrëveshjes, APS në përputhje me kontratën i dorëzoi Bankers Petroleum të gjithë dokumentacionin, si dhe lejet dhe autorizimet përkatëse. Pas shqyrtimit të dosjes dhe miratimit të saj nga Bankers, kompania e naftës ka bërë një pagesë prej 1.5 milionë euro në llogarinë bankare personale të Alimehmetit. Në vijim, APS duhej të kalonte në favor të Bankers 50 % të kuotave të kapitalit të saj, duke e bërë kompaninë e naftës bashkëortake në këtë projekt. Por sipas Prokurorisë, pavarësisht kërkesave të APS, kompania Bankers nuk i mori në dorëzim 50 % të kapitalit dhe nuk dha konfirmim për vazhdimin e fazës së dytë të projektit.

Drejtori i Bankers në Shqipëri, Leonidha Çobo nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për mungesën e vullnetit nga ana e kompanisë Kanadeze për të ekzektuar kontratën për marrjen në dorëzim të 50% të kuotave të kapitalit. Në vendimin e pushimit të hetimeve, prokuroi Pali Decolli shkruan se ‘kontrata është nënshkruar nga ana e Qendrës në Kanada dhe shtetasi Leonidha Çobo vetëm e ka nënshkruar atë.’

“Në dijeninë e tij nuk është bërë kalimi i kuotave të aksioneve nga kompania APS në ndonjë kompani tjetër,” shkruan Decolli, duke shtuar se kjo erdhi si pasojë e ‘riorganizimit të brendshëm,” të kompanisë Bankers.

Hua ndaj kompanive të lidhura me Balfin
Pas marrjes së pagesës nga Bankers Petroleum prej 1.5 milionë euro në llogarinë e tij personale në 17 tetor 2013, Alimehmeti ka paguar tatimin e të ardhurave në burim në vlerë 149 mijë euro, edhe pse transferimi i 50% të kuotave të APS-së tek kanadezët nuk ishte realizuar.

Një ditë më pas, ai i ka transferuar 1.35 milionë euro kompanisë ‘Singapore European Real Estate’, e cila është regjistruar në Tiranë në 22 gusht 2012. Në fillim, kjo kompani ka qenë në pronësi 100 % të kompanisë ‘ofshore’ Euro-Singaporean Real Estate and Trade”, e regjistruar në Ishujt Virgjin Britanik. Kapitali themeltar i kompanisë ishte 100 mijë lekë.

Në 8 nëntor 2013, Denis Alimehmeti është bërë aksioner i kompanisë S.E.R.E me 20 % të kuotave të kapitalit, pas një investimi prej 100 mijë eurosh. Vlera e kapitalit të kompanisë është rritur në 14.1 milionë lekë. Alimehmeti ka deklaruar para prokurorëve se shumën prej 1,350.800 euro e ka depozituar në favor të S.E.R.E, me kushtin që të bëhej aksioner i kompanisë. Sugjerimin për kompaninë SERE ia ka dhënë miku i tij, Altin Daka, i cili jetonte në Dubai dhe ka pasur si qëllim realizimin e investimeve në fushën e ndërtimit.

Pak ditë pas dhënies së huasë, SERE ka bërë tre pagesa në favor të llogarisë së Alimehmetit me përshkrimin “kthim fondesh”, për një total prej 174.781 euro. Në 19.06.2015, S.E.R.E ka bërë një transfertë të katërt në favor të Alimehmetit, me përshkrimin ‘kthim kontributesh ortaku’ me vlerë 350 mijë euro.

Administratori i parë i S.E.R.E ka qenë shtetasi Litian Broka, i cili është zëvendësuar në vitin 2014 nga shtetasi Klard Flaga. Në 16 qershor 2016, 80 % të aksioneve të S.E.R.E transferohen nga kompania Euro-Singaporean Real Eastate and Trade tek shtetasi shqiptar Altin Daka, ndërsa kuotat e Alimehmetit shkojnë tek ‘BFI Invest,’ pjesë e Balfin Group në pronësi të biznesmenit Samir Mane. Në 17 tetor 2016, BFI Invest e rrit përqindjen e kapitalit në 75 % dhe në 4 nëntor 2016 bëhet pronar i plotë i S.E.R.E.

Në toal, Alimehmeti ka marrë 524 mijë euro mbrapsht nga S.E.R.E, dhe sipas deklarimeve të tij në Prokurori kjo shoqëri i detyrohet 826.990 euro. Me paratë e kthyera nga huaja për S.E.R.E, Alimehmeti ka blerë një apartament në Yzberisht me vlerë 120,625 euro dhe i ka dhënë një kredi prej 350 mijë euro ‘shokut të tij’ dhe njëherazi administrator i S.E.R.E, Klard Farga.

“S.E.R.E është bërë pjesë e Balfin Group në nëntor të vitit 2016. Nga bilanci i kompanisë që kemi marrë dhe dokumentacioni që ndodhet ne arkivën e shoqërisë SERE, rezulton se ka një hua nga z. Alimehmeti. Shuma e huasë së mbetur është më e vogël dhe huaja është marrë me kushte tregu dhe është ende në fuqi, e kontabilizuar në bilancin e shoqërisë,” tha Balfin.

Administratori i S.E.R.E sh.p,k, Klard Farga ka deklaruar para prokurorëve se e ka njohur Denis Alimehmetin që nga viti 2006, kur ai punonte si shitës në QTU. Si administrator i kompanisë S.E.R.E, Flaga ka thënë se paguhet 80 mijë lekë në muaj. Në dhjetor 2013, ai ka regjistruar shoqërinë Agrocon Sh.p.k, me objekt veprimtarinë e ndërtimit të serave dhe kapital 100 mijë lekë. Për ta zhvilluar këtë aktivitet, ai ka marrë me qira një sipërfaqe toke nga shteti për një afat 99-vjeçar me shumën 400 mijë lekë në vit. Pasi ka përfunduar rreth 20 % të projektit, në muajin shkurt 2016, shoqëria ‘Agrocon’ Sh.pk i është shitur për 100 mijë lekë kompanisë ‘Balfin Group.”

Farga ka deklaruar se huaja e marrë nga Alimehmeti prej 350 mijë eurosh ka pasur qëllim investimin në sera dhe ai i ka likuiduar vetëm shumën 116 mijë euro, të cilën pretendon se e ka siguruar nga fitimet e shoqërisë ‘Agrocon’ Sh.p.k.

Balfin e konteston deklaratën e Fargës në Prokurori mbi fitimet e vjelura nga kompania ‘Agrocon’, përpara se kjo e fundit të blihej nga grupi.

“Siç mund ta verifikoni lehtësisht nga bilancet e kompanisë “Agrocon, nuk rezulton që kjo kompani të ketë dalë me fitim dy vitet e para (deri në vitin që ka ndodhur transaksioni me Z. Flaga, shoqëria rezultoi të ketë një humbje te mbartur prej 8 milionë lekësh),” tha Balfin.

“Jo vetëm që ortaku përpara se Balfin të blinte kuotat e tij nuk ka marrë ndonjë fitim, por për shkak te ecurisë së kompanisë dhe nevojës për investime, ai rrezikonte seriozisht të humbiste edhe huanë që i kishte dhënë kompanisë,” shtoi ajo.

Grupi Balfin nënvizoi se pasi mori pronësinë e kompanisë, i shleu ortakut të mëparshëm huanë që ky i fundit i kishte dhënë kompanisë dhe në shtesë të saj bëri edhe 4 milionë euro investime.

“Në konkluzion, çmimi i blerjes dhe kosto e futjes së ‘Balfin Group’ në këtë kompani nuk ishin aspak të ulëta,” tha ajo.

Investimet në pasuri të paluajtshme
Biznesmeni, Samir Mane, gjatë konferencës vjetore me temë: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri” | Foto nga :LSA.

Pasi siguroi huanë nga Alimehmeti, kompania ‘Singapore European Real Estate’ u përfshi në një seri investimesh në fushën e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit në Tiranë dhe jug të Shqipërisë. Me parata e marra hua nga Alimehmeti dhe një kredi bankare 1.171.909 euro, S.E.R.E nënshkroi një kontratë sipërmarrje me Znj. Lavdie Caushi dhe siguroi një leje për ndërtimin e një pallati 13-katësh në rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Më tej, më 9 tetor 2013, S.E.R.E bleu një tokë në Himarë me sipërfaqe 71,000 metra katrorë nga shtetasit Pëllumb dhe Majlinda Petritaj për 16.2 milionë lekë. Më 16 tetor 2014, S.E.RE bleu një sipërfaqe toke në fshatin Akemi të Vlorës për 55.6 milionë lekë dhe një sipërfaqe tjetër nga Ina Petritaj për 27 milionë lekë.

Pullumb Petritaj u arrestua në fillim të muajit tetor në Vlorë pas akuzave se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka tjetërsuar me anë të vendimit fals të gjykatës, një sipërfaqe prej 100 hektarësh në zonën turistike të Zvërnecit. Petritaj dhe persona të tjerë janë akuzuar si pjesë e “mafies së pronave” në bregdet dhe sipas Prokurorisë, është i lidhur me Artur Shehun, një personazh me precedentë penalë gjatë viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Petritaj i mohon akuzat.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, dyshohet se përveç 100 hektarëve në Zvërnec, Petritaj ka tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të vendimeve gjyqësore më shumë se 500 hektarë tokë në zona të ndryshme të bregdetit të jugut, përfshirë dhe sipërfaqen në Palasë që iu shit kompanisë S.E.R.E.

Kjo sipërfaqe toke në plazhin Dhraleo të Palasës iu shit më 17 shkurt 2014 nga S.E.R.E kompanisë ‘Green Coast’ – e cila është gjithashtu pjesë e “Balfin Group për 13.2 milionë lekë. Në të njëjtën ditë, shoqëria S.E.R.E i ka shitur shtetasit Gerian Kuka një sipërfaqe prej 13,000 m2 në Dhërmi për 2.95 milionë lekë. Ndërkohë, toka në fshatin Akemi të Vlorës e blerë nga Artur Shehu, iu shit shtetasit Klajdi Toska për të njëjtën vlerë me çmimin e blerjes prej 55.6 milionë lekë.

Në plazhin e Dhraleos, në tokën e blerë nga Petritaj, Balfin Group ka zhvilluar resortin turistik ‘Green Coast,’ i cili ka marrë dhe vlerësimin si investim strategjik në turizëm nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

E pyetur nga BIRN mbi rrezikun që sillte për kompaninë zhvillimi i një projekti mbi një tokë me probleme pronësie, Balfin Group tha se mundësia e saj e vetme për të konfirmuar pronësinë e tokës janë dokumentet zyrtare, të lëshuara nga institucionet shtetërore shqiptare.

“Në momentin e blerjes nga ‘Green Coast’ apo të lidhjes së kontratave të bashkëpunimit ndërmjet kësaj të fundit dhe pronarëve të tokës, nuk ka pasur asnjë dyshim në lidhje me pronësinë e tokës ku po ndërtohet projekti,” tha kompania, duke shtuar se në aktivitetin e saj, Balfin Group përpiqet që të tregojë kujdes maksimal për trajtimin e çdo ndjeshmërie lokale në vendet ku ajo zhvillon projekte.

“Ne kemi qenë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa familje që filluan të kenë pretendime në lidhje me pronësinë e tokës ku ne po zhvillojmë projektin, ndaj familjeve që kanë shitur fillimisht këtë tokë,” tha Balfin. “Pavarësiht kontestimeve (që siç thamë kanë ndodhur më vonë), akoma nuk ka ndonjë ndryshim në pronësinë e tokës që të shkojë në favor të familjeve që kanë pretendime,” përfundoi ajo./ reporter.al/

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *