Konviktet si stalla, Studentët nuk kanë kushtet normale për jetesë

Në një kohë kur studentët ngrenë zërin edhe për përmirësimin e kushteve të konvikteve, Top Channel ka bërë një vëzhgim brenda godinave të rezidencës universitare studentore nr.1 në Tiranë, për të parë se çfarë ofron kjo rezidencë, sidomos me ardhjen e dimrit.

Kjo është një nga dhomat e konvikteve në qytetin Studenti ku jetojnë 3 studente mes lagështirës në 15 metra katror.

“Kemi vetëm një lavaman, ku lajmë enët, sytë dhëmbët në mëngjes. Dhe nuk mjafton besoj për 3 goca në një ambient kaq të vogël”, shprehet një studente.

Një dhomë ku mësohet edhe gatuhet, dhe ku ngrohja mungon. Gjumi në dyshekët me njolla, apo dyshekë që u kanë dalë sustat nuk bëhet i qetë. Problem mbetet edhe ngrohja, pasi prej vitesh kaldajat nuk punojnë.

“Ngrohësen e kemi blerë vetë, dhe kjo tostierja, frigoriferi apo interneti janë të gjitha tek një prizë”, shprehen studentët.

Por ajo çka të alarmon është rreziku që u kanoset nga elektriciteti. Vetëm një javë më parë, 3 studenteve u shpërtheu e vetmja prizë që kanë.

Por vështirësitë nuk mbarojnë me kaq.

Dera është një problem tjetër për konviktet që kanë ballkon, pasi nuk kanë asnjë siguri.

Papastërtitë në tualetet e përbashkëta dhe oraret për të bërë dush është një shqetësim tjetër i studentëve, me dritaret pa xhama nga ku hyn i ftohti.

“Për më tepër nuk është vendosur dorë, apo të përmirësohen kushtet e kësaj dhome dhe kjo ka sjellë që salla studimi të kthehen në dhoma, e si pasojë tani ka vetëm dy salla studimi në dy godina”.

Të tre vajzat paguajnë nga 45 mijë lekë në vit për t’u strehuar në këto godina, dhe nëse vetëm 1/3 e pagesës do të investohej çdo muaj në dhomën e tyre, tregojnë studentet, kushtet në vitin e dytë të shkollimit të tyre do të ishin shumë më të mira. Dhe pyetja që ngrenë është ku shkojnë lekët?!

Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here