Nuk është bërë asnjë një vit nga mbyllja e hotel Sheraton. Hoteli, i cili aktualisht menaxhohet nga Kastrati Group me emrin Mak Tirana, kalon sërish në menaxhim ndërkombëtar. Rrjeti ndërkombëtar “Hyatt” ka përfunduar marrëveshjen me investitorin shqiptar.
Kastrati Group e bleu strukturën e Mak Albania këtë vit. Vlera e transaksionit me Hyattende nuk është bërë e ditur. Paraprakisht, flitet se investitori e jep në menaxhim pjesën e strukturës së Mak Albania (ish Sheraton) për 20 vite.
Mesditën e kësaj të enjteje, në kryeqytetin shqiptar është nënshkruar marrëveshja për të sjellë në Shqipëri të gjithë eksperiencën dhe menaxhimin në fushën e hotelerisë, të kompanisë gjigante amerikane “Hyatt Hotels Corporation”, me seli në Chicago. Standardet më të larta të hotelerisë vijnë në Shqipëri falë bashkëpunimit të këtij “brand”-i të famshëm amerikan me “Kastrati Group”, për të menaxhuar pikërisht ambientet e ish-hotel Sheratonit pasi bleu “Mak Albania”-n.
Turizmi elitar shqiptar do të ketë tashmë një “Hyatt Regency and Residency”, hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri dhe që do të ketë kapacitete më të mëdha sesa më parë, por edhe një pasaportë “gold”.
Bashkë me Sheraton, kjo është marka e tretë ndërkombëtare që futet në tregun vendas në fushën e hoteleri-turizmit. Në fund të muajit gusht ka nisur të mirëpresë pushuesit e udhëtarët e parë, “Hilton Garden Inn”. Përfaqësues të biznesit thonë se prania e markave të specializuara në fushën e shërbimit, do të rrisë standardin në këtë sektor.
Në fjalën e tij mbajtur gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Rama theksoi ndër të tjera rekomandimet apo ankimet që lënë zakonisht vizitorët e huaj kur vijnë në Shqipëri, teksa të bie në sy problemi i akomodimit jo të përshtatshëm. Një investim kaq i rëndësishëm për një hotel me 5 yje në Shqipëri sjell shumë përfitime për ekonominë shqiptare, qoftë me punësimin e stafit të tij, ashtu dhe me shpenzimet më të mëdha që do të bëjnë turistët kur gjejnë një shërbim dhe akomodim më të rehatshëm.
“Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ende një hotel me 5 yje, që janë elita e industrisë së turizmit. Tashmë jemi në nisje të një projekti gjigant për sjelljen e Hyatt, që do të lërë në harresë njëherë e mirë edhe lotët e atyre që u pikëlluan kur u largua Sheratoni. Në fakt, as ai nuk ishte një hotel i mirëfilltë me 5 yje, pavarësisht pretendimeve”, tha Rama.
Duke uruar ata që bënë të mundur këtë marrëveshje, Rama tha se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të priste për të qenë i pranishëm në ceremoninë e radhës së nënshkrimit të një tjetër kontrate me një tjetër markë të fuqishme.