Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka folur për bisedën që ka zhvilluar me ish-presidentin e ndjerë amerikan, George H.W. Bush, për Kosovën, shumë vite më parë.
“Ishte takimi më i rëndësishëm i jetës sime”, është shprehur Berisha në emisionin ‘Pressing’, në televizionin T7, duke iu referuar takimit me Bushin e Vjetër, në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1992.
“Mund të them se çështje kryesore në atë takim ka qenë Kosova”, ka kujtuar Berisha, ndërsa thotë që ka qenë vetë Bush ai që e ka hapur këtë temë.
‘”Dua t’i jap meritë mikpritësit tim… e hapi bisedën me Kosovën’’, tha më tej Berisha duke folur për takimin e 15 qershorit të vitit 1992.
‘’Mori atllas përpara, dhe hartën e Kosovës, duke më pyetur mua për situatën’’, është shprehur Berisha.
‘‘Për mua, dhe për çdo shqiptar, Kosova ishte nën pushtim, dhe e kërcënuar për ekzistencën e saj. Copëtimi i mëtejshëm i saj e shuante nga harta”, është shprehur më tej Berisha.